“PRO detyrave të shtëpisë”

Detyra e barabartë me përgjegjësi, është pasaporta e përballimit të sfidave të jetës, mosdhënia e detyrave në hershmëri, mosedukimi i fëmijës me kulturën e punës, ndikon në formimin e individëve të dobët e të paaftë për të përballuar jetën.

Le ta nisim me shkollën. . . 

Të mësuarit është një proces që e ka ndjekur njeriun gjatë gjithë zhvillimit të tij. Në fillim mësimi erdhi si përvojë jetësore dhe brezat ua përcillnin këtë përvojë brezave pasardhës. 

Në zanafillë të mësuarit ishte spontan, natyror, i pakushtëzuar, i padetyruar nga rrethana të caktuara, të ardhura si detyrë e imponuar nga dikush. Pra të mësuarit më parë nuk ishte institucional. Më vonë me zhvillimin e shoqërisë njerëzore dhe me vetëdijesimin e tyre në çështje të caktuara, të mësuarit u kthye në institucion. 

Me kalimin e kohës, ai po zhvillohej me hapa të shpejtë, duke u bërë kështu më i paplanifikueshëm. Mësimi është një kategori që ka njohur një zhvillim të pandërprerë deri në ditët e sotme. 

Të bërit mësim institucional, patjetër që ka edhe elementë që e shoqërojnë si: metoda, teknika, orë të veçanta që iu shërbejnë të nxënit, orët e kontrollit etj. Por një element i rëndësishëm i pashmangshëm tradicionalisht në procesin mësimor është edhe detyra. 

Detyrë klase, detyrë shtëpie, detyrë projekti, këto janë disa koncepte që një fëmijë ndeshet sot në ambientet e shkollës pa përmendur edhe aspekte të tjera. 

Por si ka lindur detyra si koncept dhe cili është roli i saj . . . 

Detyra si koncept nuk njihet. Mund të them që ky koncept ka ekzistuar shumë herët kuptohet jo në këtë formë që kemi sot ku detyrat alternohen me krijimin, opinionin individual, teknologjinë etj. Megjithatë detyra kemi pasur edhe para 50, 60, 70 apo 80 viteve dhe vazhdojmë t’i kemi në shkollat tona si element i lidhur ngushtësisht me procesin e mësimnxënies. 

Në të vërtetë detyrat nuk jepen kot. Asnjë mësues, pedagog nuk i jep detyrat që nxënësin ta lodhë, t’i shtojë atij stresin, ankthin etj. Pedagogu e shikon detyrën si element të rëndësishëm të vlerësimit të punës së tij, por edhe të punës individuale të nxënësve duke e bërë detyrën si mjet matës i angazhimit dhe aftësisë së nxënies tek nxënësi. Roli i tyre konsiston në disa aspekte:

1. Detyrat e shtëpisë duhet të kenë për qëllim ngulitjen e atyre që ke mësuar në klasë. Paraprakisht duhet sqaruar nxënësi që për të zgjidhur detyrat duhet të mësohet mësimi në fillim dhe të aftësohet që ta kuptojë e të jetë në gjendje ta thotë me fjalët e veta përmbajtjen. 

2. Detyra e shtëpisë është një punë individuale që shërben për të mësuar njohuri të reja dhe për t’i ngulitur ato. 

3. Detyrat e shtëpisë duhet të jenë me qëllim krijues, që të zhvillojnë fantazinë dhe inteligjencën. 

4. Detyrat e shtëpisë duhet në thelb të kenë përsëritjen. 

Këto janë disa klauzola që shoqëroi në gjenezë detyrën si hallkë e pazëvendësueshme në arsim. Lipset të jemi të qartë se nuk ka detyra shtëpie pa udhëzim të saktë nga mësuesi. Shpesh mësuesit i japin detyrat në fund të orës së mësimit, ku nuk kanë as mundësi t’i shpjegojnë dhe nxënësit janë të lodhur, ndaj shikohet e arsyeshme që detyra të shpjegohet në fillim të orës. Sa më shumë rritet niveli i klasës aq më shumë detyra gjykoj të jepen.

Pro detyrave


“Mjaft me detyra!”, kjo është thirrja që trumbetohet në shumë shtete evropiane, si një kërkesë për të hequr detyrat e shtëpisë te nxënësit. Mesa duket disa janë të mendimit se detyrat i pengojnë fëmijët të zhvillojnë një sërë aktivitetesh të rëndësishme krijuese dhe fizike, të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e mëvonshëm të fëmijës. Është fakt që shkollat më të mira evropiane si në Danimarkë, Suedi, Finlandë jepen pak ose aspak detyra. Ata janë në një proces avangardë dhe kërkojnë nga shkolla që fëmijët të pajisin me koncepte dhe menjëherë pas daljes nga klasa fëmija të jetë në gjendje t’i zbatojë në jetën reale. Por pyetja lind: “A është në gjendje fëmija të përballojë detyrat e jetës nesër?A mundemi të kultivojmë te fëmija ndjesinë e përgjegjësisë për jetën?” 

Detyrat nuk e kanë shtrirjen vetëm në institucionet arsimore, qenia njerëzore është përballë detyrave gjatë gjithë procesit jetësor. Ne përballemi me detyra në familje, në punë, në marrëdhënie me të tjerët. Në qoftë se fëmijët i edukojmë lirshëm pa i mveshur konceptin e punës dhe të përgjegjësisë për diçka, çfarë qytetarësh do të ndërtojmë në të ardhmen? 

Mendoj se sisteme të tilla ndërtojnë individë “dembelë” që e mësojnë veten lehtë pa vështirësi, sepse detyra në vetvete ka një mision, ajo imponon ndjenjën e punës, kërkimit, nxit procese mendore që i shërbejnë fëmijës si gjimnastikë si shkathtësi nesër, në përballimin e problemeve që mund të hasin në jetën reale. Jeta e vërtetë fillon përtej oborrit të shkollës, aty ku gëzojmë liri, mundësi, por aty përballemi edhe me realitetin e vështirë të punës, realitetin e vështirë psiko-social. Detyra e barabartë me përgjegjësi, është pasaporta e përballimit të sfidave të jetës, mosdhënia e detyrave në hershmëri, mosedukimi i fëmijës me kulturën e punës, ndikon në formimin e individëve të dobët e të paaftë për të përballuar jetën. 

Liria nuk ekziston në të vërtetë nëse nuk shoqërohet me detyra.

Erisa Sipri

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Mësues, nxisni prindërit të lexojnë me fëmijët në shtëpi

Next Article

Shkrimi i një përmbledhjeje dhe vetëvlerësimi

Related Posts