Autorja e librit “Pa e vrarë mendjen” Natasha Poroçani ishte e ftuar në shkollën “Jeronim De Rada” në kryeqytet për të biseduar për këtë libër me nxënësit e klasës së tretë dhe të katërt.
Pasi ka ndalur në bibliotekat e shkollave, pasi kanë qeshur e kanë luajtur me personazhet e librit “Pa e vrarë mendjen”, fëmijët kanë patur rastin të kenë mes tyre autoren e këtij libri, zonjën Natasha Poroçani.
Në klasën e III dhe të IV të shkollës “De Rada” në Tiranë, mëngjesin e së mërkurës, klasa gumëzhinte. Zonja Poroçani, e befasuar nga pritja që fëmijët i kishin bërë librit të saj, u shkri mes fëmijëve, të cilët ishin ta paparashikueshëm në diskutimet dhe komentet e tyre.

-Unë mendoj, tha Ana sybukur, se një njeri që shkuan është gjithmonë edhe mësues, sepse në libra ne mësojmë shumë gjëra të ndryshme për jetën.
-Në fillim, historitë dukej sikur ishin të trishtuara, por pastaj uaaaa, u shkrimë së qeshuri.
Dhe mes të qeshurave e komenteve, fëmijët nisën të gjejnë personazhet e librave në jetët e tyre.
-Mua me dukej sikur ju teta, keni qenë me mua në shtëpinë time dhe po mendoja se mos e njihni mamin tim dhe ajo jua ka treguar gjërat e mia?
-Është komplimenti më i bukur ky që më bëri sot Krisi, tha zonja Poroçani, sepse ky është edhe qëllimi i punës sime, fëmijët të gjejnë veten në rrëfenjat e mia.

Kaltra, Albi, Drilona, Jetmira, personazhet e librit, dukej sikur u bënë një me Bjornën, Broklin, Anën, dhe shumë fëmijë të tjerë të shkollës “De Rada”.
-A mund të më thoni, -pyeti një vogëlush buçko- ju e keni titulluar “Pa e vrarë mendjen”, sepse ju nuk e keni vrarë mendjen, apo se ne personazhet nuk e vrasin mendjen?
Mes kënaqësisë që i lexohej në fytyrë, autorja i shpjegoi aq bukur:
-Unë e kam vrarë aq shumë mendjen, sa kuptova që në të vërtetë ju fëmijët nuk e vrisni mendjen aq sa ne të rriturit…dhe …oh sa mirë e bëni ….sepse lernani ne të rriturve ta vrasim mendjen, ju vetëm jini të lumtur.

-Kur je përballë fëmijëve, kur i dëgjon, e kupton sa e madhe është bota e tyre. E kupton se me sa shumë dashuri e përkujdesje po rriten e po edukohen nga prindërit e mësuesit.
Teta Natasha u premtoi fëmijëve se shumë shpejt do të dalë edhe libri tjetër për ta.
-Me sa duket, tha ajo, ne të rriturit jemi shumë egoistë- shkruajmë shumë për veten dhe më pak për fëmijët.

Zonja Poroçani u largua mes një klime aq të bukur e të ngrohtë me premtimin që shpejt do të vijë vëllimi tjetër me tregime.
Të shohim, do ta mbajë fjalën?

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.