Përurimit të librit me poezi “Kukuta e Sokratit” i dhamë karakterin e një feste poezie… një mbrëmje me tinguj pianoje, verë dhe lexime e interpretime poezish nga studiues, shkrimtarë e poetë, gazetarë të mirënjohur të kulturës, mësues letërsie, lexues të pasionuar të poezisë.
Me prof. Sabri Hamitin shtëpia botuese Albas ka 20 vjet bashkëpunim, ndërsa unë personalisht kam mbi afro 30 vjet që bashkëpunoj me akademikun e nderuar për tekstet e letërsisë në shkolla. Më vjen mirë që përveç librave studimorë, shkollorë apo universitarë, bashkëpunimi ynë zgjerohet dhe me këtë libër poetik.
Ky është një libër poetik, që përmbyll serinë e nisur herët nga autori me librin e parë, “Njeriu vdes i ri” (1972) për ta mbaruar me librin e dhjetë “Kukuta e Sokratit” (2018), si një dekalog në dhjetë libra poetikë.
Librat i lidh së bashku meditimi filozofik në thellësi, në kontekst, por dhe në dukje si psh., përsëritja apo rimarrja e figurës së Prometeut, Sizifit, Sokratit, nëpërmjet të cilëve heroi lirik tregon mbijetesën e vet në të gjitha rrethanat familjare apo kombëtare, shoqërore apo individuale.
Në këtë libër janë bashkuar e shkrirë harmonikisht poezia me filozofinë, klasikja me modernen, mendimi eseistik me ndjesinë e zjarrtë poetike. Dhe nuk mund të ndodhë ndryshe përderisa brenda Sabri Hamitit është dhe studiuesi dhe profesori dhe poeti dhe politikani e mbi të gjitha Sabriu personal.
Poezia KUKUTA – mbyllet me vargun “Ke pi në kupën e Sokratit” si një konstatim i fortë, po aq i fortë sa pirja e qumështit të nanës shprehur në një varg më sipër.
Eshtë dilemë njerëzore që na vjen aq bukur poetikisht: për të bërë një jetë me ato virtyte e vlera si ajo e vetë Sokratit dhe që në fund vendos të flijohet për to apo të zgjedhim një jetë burracaku që i vidhet heroizmit?
Ky libër transmeton porosi morale e mesazhe estetike, duke na ftuar në një lexim që siç thotë Sabri Hamiti, duhet krijuar atmosfera që poezia të përjetohet si një solemnitet shpirtëror. Libri është shoqëruar me 16 vizatime të mrekullueshme nga piktorit i mirënjohur, Daut Berisha.
Rita Petro
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.