Përse i kërkojmë intelektualët e mëparshëm? Nga Evans Drishti

Ata e kishin kuptuar me kohë se marrja e një diplome mbetet vetëm një hap i parë drejt udhës së gjatë në plotësimin e një karriere, e cila natyrshëm kërkon vizione dhe pikëpamje të depërtueshme në terren.

Trupmëdhenj…Hijerëndë…Shtatlartë… Fisnikë… Njerëz me paraqitje dinjitoze dhe shije ëmbël… Largpamës… 

Ecjet e tyre plot finesë dhe njerëzillëk. Ndrisnin fytyrat e tyre, s’njihnin moshë, pasi mendjet i kishin tejet të mprehta dhe të freskëta. Sytë që u vezullonin shprehnin shumë, shumë më tepër se ç’mundohej njeriu të kuptonte përtej tyre. Sytë që shihnin gjithnjë përtej, përtej asaj që mund të shihej në të zakonshmen. Buzëqeshjet e tyre tepër domethënëse, joshëse, që s’kishin se si mos të të bënin për vete… Mallëngjehej njeriu në të tilla raste… 

Bisedat e tyre ishin shumë me vlerë, domethënëse, plot delikatesë dhe logjike… Ishin fjalëmbël dhe tregoheshin mjaft të kujdesshëm në përzgjedhjen e frazave. Fjalët e tyre kishin peshë, pasi mendjet e tyre të mprehta peshonin, shumë më tepër se ç’peshonte edhe floriri… 

Një jetë e tërë në profesionin e arsimit, natyrshëm të kulluar si në profesion ashtu edhe në jetë. Njohës të shkëlqyer të terminologjisë pedagogjike e arsimore, por jo vetëm… 

Profesionin e tyre e kryenin me plot përkushtim, megjithëse shkonin shumë përtej kësaj, pasi për nga intelekti që zotëronin ishin më shumë se akademikë të fushave përkatëse. Shfaqnin përherë sjellje dhe komunikime shumë fisnore mes kolegësh, por po aq fisnore dhe njerëzore edhe mes nxënësish, studentësh, prindërish e dashamirësish, të cilët një tjetër respekt gëzonin për intelektualitetin dhe paraqitjen e tyre profesionale. 

Një diapazon shumë të gjerë zotëronin, pasi ishin shumë të kulturuar. Ishin munduar tërë jetën  të mos ngelnin të kufizuar thjesht dhe vetëm në një drejtim, prandaj vizionet dhe koherencat i shoqëruan përherë, pasi ata lexonin, shkruanin, kuptonin, gjykonin, depërtonin në mendjet e të tjerëve, reflektonin urtësi dhe maturi…

Dinin sepse lexonin… 

Jo vetëm lexonin, por edhe kuptonin, gjykonin dhe aftësoheshin në të kuptuarin e gjërave të ndryshme, qofshin këto edhe zanate. Ishin mjeshtër në rrobaqepësi, publicistikë, laborator, muzikë, artizanat… Kishin fituar prej vitesh shije mjaft të holla për eksperienca të larmishme. Ta kishte ënda t’i shihje me sa kujdes e përkushtim punonin, teksa përherë viheshin në nxjerrje të sa e sa produkteve… Kushdo ngelej jashtëzakonisht i kënaqur nga ajo punë e tyre plot hijeshi, sepse aty kishin dhënë shpirtin e tyre, pasi puna u jepte një kënaqësi të paparë… Dukeshin të tjetër njerëz… 

Kishin pikëpamje të qarta për jetën dhe vlerat jetësore. Ishin aspirues të denjë të një kulture të gjithanshme, teksa mishëronin në vetvete të gjitha vlerat njerëzore dhe kulturën popullore. Tradicionalja dhe bashkëkohorja gërshetoheshin mjaft këndshëm në tiparet e tyre, në karakterin e tyre të qëndrueshëm. Ishin njohës të shkëlqyer të të dyja kaheve dhe i reflektonin më së miri kudo ku ishin të pranishëm. 

Ishin bashkëshortë të shkëlqyer, prindër model, familjarë të përkushtuar, persona që reflektonin përherë largpamësi dhe dinjitet kulturor, sa herë që komunikonin si brenda familjes ashtu edhe në shoqëri e kudo ndodheshin Ishin shumë të qartë dhe të kuptueshëm, sa seriozë aq edhe tolerantë, dinin të tregoheshin gjakftohtë në shumë rrethana. 

E kuptonin jetën dhe pasqyronin jetiken. 

Të tillë qenë disa figura të ndritura të Shkodrës si: Mësues i Popullit Hysen Lohja (i ndjerë) Doktor Fiqiret Bushati (i ndjerë). Honoris Causa Faik Luli (i ndjerë), Prof Islam Dizdari (i ndjerë), Prof Is’hak Ramadani (i ndjerë), Prof Xheladin Sokoli (i ndjerë), Prof Xhavit Drishti (i ndjerë), Mjeshtër Kujtim Alija (i ndjerë) e sa e sa të tjerë

… 

Hysen Lohja, Mësues i Popullit, mjeshtër i letrave shqipe, sportist i shquar, fitues i sa e sa medaljeve në sporte të ndryshme, njohës i shkëlqyer i arsimit, kulturës dhe traditës shqiptare…

Doktor Fiqiret Bushati profesor dhe mjek njëherazi, që në gjenezë kishte krijuar një autoritet dhe personalitet të padiskutueshëm jo vetëm në mbarë Shkodrën, por edhe në trevat shqiptare. 

Honoris Causa Faik Luli, një mjeshtër i letrave shqipe dhe i gjuhësisë shqipe. Një personalitet i padiskutueshëm dhe një enciklopedi më vete. Autor i shumë botimeve dhe shkrimeve të larmishme…

Prof Islam Dizdari, një didakt dhe ekspert i shquar i pedagogjisë. Njohës i shkëlqyer i arsimit shqiptar, i kulturës dhe traditës shqiptare, metodist me vlera të rralla. Autor i shumë botimeve dhe artikujve jetikë… 

Prof Is’hak Ramadani, një arsimtar i devotshëm në lëmin e gjuhës Italiane dhe jo vetëm. Një enciklopedi më vete e kulturës dhe traditës popullore si dhe i qytetërimeve të lashta dhe bashkëkohore. 

Prof Xheladin Sokoli, një bibliotekë e shumanshme dhe një kolos i letrave shqipe dhe njohës i shkëlqyer i kokave botërore. Shkurt një enciklopedi e pashtershme. 

Prof Xhavit Drishti, qoftë si ekspert i matematikës, qoftë një muzikant i shkëlqyer, qoftë një rrobaqepës mjeshtër, qoftë një intelektual i vlerave të larta profesionale e njerëzore… 

Mjeshtër Kujtim Alija, i cili ndërroi jetë pak kohë më parë, eksperti i Dirigjimit, i Festivaleve për fëmijë, i bandave muzikore dhe i sa e sa eventeve thelbësore që ngriti në Shkodër dhe mbarë trevat shqiptare… 

Secili prej tyre, e natyrshëm sa e sa të tjerë lanë gjurmë të pashlyeshme në kulturën Shkodrane e shqiptare jo vetëm në fushën e tyre të arsimit, por edhe në shumë fusha të tjera të jetës. Dhanë kontribute të vyera duke u kthyer në personazhe të shumëkërkuar dhe shumëdëshiruar në mbarë masën e gjerë popullore. 

Ata e kishin kuptuar me kohë se marrja e një diplome mbetet vetëm një hap i parë drejt udhës së gjatë në plotësimin e një karriere, e cila natyrshëm kërkon vizione dhe pikëpamje të depërtueshme në terren. 

Secili prej tyre shënoi epokën e tij duke hedhur themele të patundshme jo vetëm në strukturën arsimore, por duke zhvilluar dhe emancipuar një shoqëri të tërë, e cila padiskutim u mbetet mirënjohëse gjithnjë… 

Ja përse i kërkojmë intelektualët e mëparshëm?… 

Nga Evans Drishti 

©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Përse i kërkojmë intelektualët e mëparshëm? Nga Evans Drishti

Next Article

Bisedë letrare për librin "Pinoku" nga nxënësit e klasës 3-B, shkolla “Protagonistët”

Related Posts