Përse duhet të studioj matematikë?

“U lodha me këto detyra…Përse duhet të studioj matematikë?… Madje nuk dua të iki fare në shkollë”… Këto fjalë i thoja mamit kur isha i vogël derisa një ditë më pyeti: “Po çfarë do të bësh ti, Jori?”

Nuk ishte aspak e vështirë ta gjeja, s’kisha as nevojë ta mendoja. Unë doja të luaja me top, të luaja në kitarë, të shëtisja botën, ndoshta edhe të gatuaja vetëm që matematikë të mos mësoja. Dhe kështu i thashë, më mirë të më bënte detyrat dhe ta vazhdoja unë ëmbëlsirën që kishte nisur.  Më tha se një orë donte të piqej e kishin kaluar 20 minuta. 

-Duhet të bësh zbritjen – më tha, duhej matematika. Madje dhe për ato notat e kitarës më duhej matematikë të mbaja ritmin. Të shëtisja botën duhej matematika sepse do prisja biletat. Me pak fjalë nuk i shpëtoja dot, e mora mësimin dhe vazhdova detyrat aq të vështira…

Tani kanë kaluar disa vite, shtatë më saktë, që të flas në gjuhën e matematikës dhe sa më shumë rritem kuptoj më mirë lidhjen e matematikës me çdo gjë që ekziston, me universin. Çdo gjë është llogaritur në mënyrë aq perfekte, ekuacione që vetëm matematika i kupton. Ajo është gjuha e përbashkët që flitet njësoj në çdo vend të botës. Sa fakte interesante, sa gjeometri ka në natyrë.

Për shembull, simetria që i pëlqen syrit të çdo njeriu. E gjejmë te krahët e fluturës, te vijat e zebrës, te vetë trupi i njeriut. Format sferike të planeteve aq të mistershëm për ne, forma spirale që ata krijojnë duke ardhur rreth diellit. Spiralja e guackës së kërmillit, spiralja e shenjave të gishtave, gjashtëkëndorët e hojeve të bletës, e guackës së breshkës.

Gjithmonë njeriu është munduar të kopjojë gjeometrinë e natyrës dhe një ndër shembujt më të bukur janë dhe piramidat e Egjiptit që çdo vit tërheqin mijëra turistë. Jo  vetëm bukuria, por dhe prakticiteti që kanë ofruar këto forma në jetën e përditshme. Njeriu i ka zbuluar që në lashtësi. Rrota, ky cilindër është një nga shpikjet më të mëdha të njerëzimit.

Është shumë e vështirë për mua të bëj një përmbledhje se përse është e rëndësishme të mësojmë matematikë, prandaj dua të them si mbyllje dy shprehje shumë të bukura të thëna nga ata që quhen “baballarë të fizikës moderne”. Ata  janë Galileo Galile, i cili zbuloi se toka rrotullohet, megjithëse pati kundër regjimin e asaj kohe (Kishën katolike). Ai thoshte: “Natyra është e shkruar në gjuhën e matematikës” dhe Albert Einstein me shprehjen e famshme: “Matematikë quhet poezia e ideve logjike.”

(Joris Xhufka, klasa e X, shkolla: “Nikola Koperniku”, Elbasan)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Hengu shpiku sizmografin e parë për matjen e tërmeteve

Next Article

Harroni shpesh çfarë doni të thoni? Ja pse ju ndodh

Related Posts