Është zhvilluar “Takimi i Mësuesve në Diasporë” ku pjesë ishin edhe përfaqësuesit më të lartë ministrorë nga Shqipëria dhe Kosova. Kryefjalë e këtij takimi ishin ruajtja e gjuhës shqipe,kulturës,traditave dhe identitetit tonë kombëtar tek diaspora, si dhe sfidat e nevojat që paraqiten për arsimin në diasporë.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ishte pjesë e “Takimit të Mësuesve në Diasporë”, ku morën pjesë gjithashtu Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës Arbërie Nagavci, mësues të shumtë nga diaspora dhe përfaqësues të institucioneve të arsimit dhe të punëve të jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës.
Kryefjalë e këtij takimi ishin ruajtja e gjuhës shqipe, kulturës, traditave dhe identitetit tonë kombëtar tek diaspora, si dhe sfidat e nevojat e ndryshme që paraqiten për arsimin në diasporë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja Kushi e konsideroi diasporën një aset dhe gjithmonë e gatshme për të kontribuar në fushën e arsimit.
“Diaspora është një aset, gjithmonë të gatshëm për të kontribuar në fushën e arsimit. Ruajtja e gjuhës shqipe, ndërgjegjësimi i prindërve shqiptarë mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës e zakoneve janë në qendër të vëmendjes sonë, sepse identiteti kombëtar që ruan diaspora është qëllim i madh i yni”, tha ministrja Kushi.
Ndër të tjera, ajo nënvizoi se “Ne e shohim diasporën shqiptare si një vlerë të shtuar kombëtare, fëmijët jashtë trojeve shqiptare si një pasuri të madhe, ndërsa mësuesit kanë një vlerë të çmuar për sa i përket mbajtjes gjallë të gjuhës dhe traditave shqiptare”.
Në këtë kuadër, u shpreh ajo, “ne do të vijojmë të punojmë dhe bashkëpunojmë me përkushtim maksimal, për të qenë sa më efikas në punën tonë në fushën e arsimimit për brezat e rinj shqiptarë që po rriten përtej kufijve”.
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.