Orë model: Gjuha shqipe 3

Kjo orë model është shkëputur nga libri i mësuesit të gjuhës shqipe 3, i përgatitur nga Shtëpia Botuese Albas. Për të shkarkuar të plotë librin e mësuesit klikoni në albas.al.

Fusha: Gjuha shqipe 

Lënda: Gjuha shqipe 3 

Shkalla: 

Klasa: III

Tema mësimore: Dy hartimet (A. Raskin)

Kompetenca: Lexojmë

Situata e të nxënit: Paraqitet me foto ose shkruhet në një fishë emri i shokut / shoqes më të ngushtë.

Rezultatet e të nxënit të kompetencave sipas temës mësimore:

Nxënësi/ja:

• lexon pjesën për ta kuptuar dhe me intonacion;

• ritregon duke veçuar mesazhin e pjesës;

• tregon përvoja vetjake, që kanë lidhje me temën.

Fjalët kyç: ndihmë, vrau mendjen, e hedh në të pastër

Burimet: Libri i nxënësit, foto të shokut apo të shoqes më të ngushtë, ose fisha me emrat e tyre.

Lidhja me fushat e tjera: Shoqëria dhe mjedisi, artet

Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve: Diskutim idesh, lexim i drejtuar, punë individuale, zinxhiri i shkaqeve.

Organizmi i orës së mësimit

Hapi I / Mësuesi / ja lexon vargjet:

Dy shokë të ngushtë jemi,

njëri-tjetrin shumë e duam,

ndonjëherë edhe gabojmë,

kur detyrat ia tregojmë.

Më pas, drejton pyetjet:

– Si i kuptoni këto vargje? (Shokun e ngushtë e ndihmojmë në rrezik e nevojë, por kurrë s’duhet ta mësojmë që detyrat t’i kopjojë.)

Lihen nxënësit që të shprehen lirshëm mendimet e tyre. Secili nxënës shkruan emrin e shokut/shoqes më të ngushtë në një fishë.

Mësuesi/ja pyet: Tregoni ndonjë rast kur jeni mërzitur me njëri-tjetrin.

Hapi II

Njihen nxënësit me temën e mësimit “Dy hartime”.

Bëhet leximi i pjesës me ndalesa. Për çdo ndalesë nxënësve u drejtohen pyetje parashikuese dhe “Si mendoni…?”.

Ndalesa 1. Besi… shoku-shokun.

– Si quhej shoku i ngushtë i Besit?

– Pse e quanin njëri-tjetrin shokë të ngushtë?

– Si e ndihmonin ata njëri-tjetrin?

– Si mund të vazhdojë miqësia e tyre?

Ndalesa 2. Ditën e dytë… – Ja, për këto shkruaj, – i tha Besi.

– Çfarë u kërkoi mësuesja ditën e dytë të shkollës?

– Pse ishte i shqetësuar Redi?

– Ç’bëri Besi?

– A u mjaftua me këtë lloj ndihme Redi?

Ndalesa 3. Redi … po mbaron ora.

– Çfarë shkruante Redi në hartim?

– Pse nuk e pëlqeu Besi përshkrimin e Redit?

– Si veproi Besi për të ndihmuar shokun?

– A ju duket zgjidhje e mirë, veprimi i Besit? Pse?

Ndalesa 4. Besi … të flisnin.

– Si veproi Besi më pas?

– Si ishte hartimi i dytë i Besit?

– Cilin hartim pëlqeu mësuesja? Cilin jo?

– Si e kuptoni mbylljen e tregimit: “Të dy shokët u panë sy më sy dhe s’guxuan të flisnin.”

Gjatë leximit të pjesës mësuesi/ja shpjegon fjalët apo shprehjet që nxënësit nuk i kuptojnë.

Leximi i pjesës mund të bëhet në zinxhir ose me role (Redi, Besi, mësuesja, autori).

Mesazhi i pjesës: Ndihmë nuk quhet kopja e detyrave, por mënyra e duhur për t’ia shpjeguar shokut apo shoqes gjërat e paqarta.

Hapi III

Ritregohet pjesa nëpërmjet pyetjeve të tekstit. Plotësohen pyetjet e rubrikës “Po ti?”

Që të jetë i bukur shkrimi yt duhet:

– të tregohen me emocion gjërat që të kanë ndodhur;

– të shkruhet saktë përshkrimi i personazheve, vendi, veprimet e kryera.

Gjej në tekst fjalinë, ku tregohet se Redi nuk donte t’i bënte dëm Besit. (“Ndërsa ti shkruaj hartimin tënd, sepse po mbaron ora.”)

Hapi IV

Shkaku:

 – Besi përgatiti hartimin e shokut dhe la pas dore të vetin. 

Pasoja: 

– Mësuesja e vlerësoi hartimin e Besit si më të dobëtin.

– Ajo e lexoi para klasës hartimin e Redit, si më të mirin.

– Shokët nuk guxuan të tregojnë të vërtetën.

Vlerësimi i nxënësve: Bëhet vlerësimi i nxënësve për rezultatet e arritjeve duke u mbështetur në rezultatet e të nxënit.

Detyrë: Përmblidhni në 3-4 fjali, se cila është ndihma më e mirë që mund t’i japim shokut / shoqes. 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Në ndihmë të mësuesve që punojnë me nxënës me AK

Next Article

Mjekët, burimi kryesor informacionit për seksin

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427