Për herë të parë mësuesit e edukimit fizik në të gjitha shkollat do përdorin mekanizma unifikuese gjithëpërfshirëse, falë të cilave nxënësit me aftësi të kufizuara, përmes lojës dhe veprimtarive lëvizore do të përmirësojnë kapacitetin e tyre fizik dhe aftësitë sportive, komunikuese dhe sociale.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi njoftoi sot se sapo janë miratuar programet mësimore specifike për disa lëndë për nxënësit me aftësi të kufizuara.
“Sapo kemi miratuar në MAS programet mësimore specifike në lëndën ‘Edukim Fizik, Sporte dhe Shëndet’ për nxënësit me aftësi të kufizuara, të përgatitura nga ASCAP në përmbushje të një prej objektivave kryesorë të Strategjisë Kombëtare për Arsimin 2021 – 2026,” – shkruan ministrja në rrjetin e saj social.
Kushi shton se për herë të parë, me fillimin e vitit të ri shkollor, mësuesit e edukimit fizik në të gjitha shkollat e vendit do të mund të përdorin mekanizma unifikuese gjithëpërfshirëse, falë të cilave nxënësit me aftësi të kufizuara, nga klasa parë deri në klasën e dymbëdhjetë, përmes lojës dhe veprimtarive lëvizore do të kenë më shumë mundësi për të përmirësuar kapacitetin e tyre fizik dhe aftësitë sportive, komunikuese dhe sociale.
Kjo nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit synon të zhvillojë më tej parimin e gjithëpërfshirjes, i cili është një nga faktorët kryesorë për sigurimin e një arsimi cilësor. Programet e miratuara janë publikuar tashmë në faqen e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, për çdo cikël.
Lënda “Edukim Fizik, Sporte dhe Shëndet” është pjesë integrale e procesit arsimor, e cila plotëson më së miri nevojat psiko-fizike për zhvillimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Kjo lëndë dallon nga fushat e tjera kurrikulare, pasi synimi parësor i saj është promovimi i veprimtarisë së rregullt fizike dhe edukimi i një stili jetese aktive dhe të shëndetshme.
Ky program ka si qëllim t’u ofrojë mundësi mësuesve që të përshtatin dhe të krijojnë kushte që nxënësi me AK të njohë elementët bazë lëvizor, të fitojë shprehi lëvizore dhe të zhvillojë aftësitë koordinuese, të njohë elementet e thjeshta akrobatike, të aftësohet dhe të edukohet për një stil jetese të shëndetshme e aktive, të fitojë kompetenca të rëndësishme lëvizore të vlefshme përgjatë gjithë jetës, të njohë rregullat e sigurisë gjatë të ushtruarit me veprimtari fizike, si dhe të zhvillojë nivelin e vetëvlerësimit përmes kryerjes së suksesshme të ushtrimeve të thjeshta.
N.Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.