“ Të jesh mësues një orë”

“Të jesh mësues 1 orë” është ideuar nga mësuesi i TIK Eris Rexha bashkë me dy nxënëset e klasës së XI Xhesika Pepkolaj dhe Aurela Dushaj. Kjo nismë vjen nga Shkolla e Mesme e Bashkuar “Matosh Uka” në Firzë.

Mësues, e keni menduar ndonjëherë që të ndërroni vendin tuaj me një nxënës në një orë të vetme mësimi? Çfarë të mirash do të sillte ky veprim? Në cilën situata do të guxonit ta bëni? E keni diskutuar me nxënësit nëse do donin të ishin ë rolin tuaj një orë të vetme?

Ju drejtojmë gjithë këto pyetje në hyrje të këtij shkrimi sepse sot do t’ju njohim me nismën më të re të Shkollës së Mesme të Bashkuar “Matosh Uka” në Firzë.

“Të jesh mësues 1 orë” është ideuar nga mësuesi i TIK që është njëkohësisht edhe  koordinator i qeverisë së nxënësve Eris Rexha bashkë me dy nxënëset e klasës së XI Xhesika Pepkolaj dhe Aurela Dushaj.

Kjo nismë u krijua për disa qëllime si p.sh.: reflektimin e nxënësve problematik në orët e mësimit por edhe ndjesinë e të qenit mësues në mënyrë që ata nxënës të ndihen të vlerësuar nga një eksperiencë e tillë. Të jesh mësues, duhet të kesh psiko-fizikën e të mësuarit, mësimdhënies, të kesh njohuri universale, të dish të veprosh me të gjitha nivelet psikologjike të nxënësit, ta ndërtosh bazamentin e personalitetit e me gjerë. Pra në thelb të nismës është  sensibilizimi i nxënësve që të vlerësojnë shumë e më shumë misionin e mësuesit që ju mundëson rrugën drejt dijes dhe të jenë të preokupuar më shumë në zhvillimin e aftësive të të shprehurit dhe të të mësuarit.

Por sa është arritur ky qëllim? Çfarë mendojnë nxënësit? Më poshtë keni disa përshtypje të nxënësve.

Nxënësja Xhesika Pepkolaj: Kur dëgjova për herë të parë fjalën mësues tingëllonte çuditshëm, por pastaj u mësove dhe fillova të më pëlqente si titull. Kjo ishte hera e parë që u vura në pozitat e një mësuesi  dhe të them të vërteten u ndjeva krenare.

Ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe mendoj që do të më vlejë shumë një eksperiencë e tillë.

Tani arrij të kuptoj edhe më mirë pozitat në të cilat mund të gjendet një mësues në situata të ndryshme dhe u jap të drejtë për disa reagime që më parë më janë dukur të pa logjikshme.

Nuk është e lehtë të japësh dije dhe t’u mësosh nxënësve gjëra të reja, por me plot gojën mund të them që kjo të bën të ndihesh shumë i vlerësuar dhe me vlera.

Si përfundim e shijova shumë një eksperiencë të tillë dhe shpresoj që të ndodhë përsëri .

Nxënësja Elidona Pepkolaj: Ishte eksperienca ime e parë si mësuese, unë ndjeva se çfarë do të thotë të jesh mësues, përgjegjësitë që ka ai.

Ishte një nga përvojat më të bukura që kam kaluar, si fillim u ndjeva në siklet pasi mendoja se si po përshtatem me nxënësit, nëse do harroja ndonjë pikë të mësimit, por gjatë kësaj kohe fillova të akumuloja emocionet. Në fillim bëra apelin dhe pastaj fillova të pyesja nxënësit që u treguan të gatshëm, më pëlqyen nxënësit pasi që u aktivizuan jo vetëm nxënësit e mirë por edhe ata me të dobëtit.

Do të dëshiroja ta provoja përsëri këtë eksperiencë dhe pse jo ta mendoj për profesion në të ardhmen.

Nxënësja Aurela Dushaj: “Një orë të jesh mësues”, nisma e ndërmarr në shkollën tonë më dha mundësin që të jem mësues në lëndën time të preferuar matematiken. Për mua të isha mësuese matematike ishte një ndjenjë e veçantë dhe një realizim i dëshirës time. Kjo veprimtari pati shumë kënaqësi për mua pasi që kënaqësia më e madhe ishte të jepja mësim në vend të mësuesit tim.

Në këtë orë provova ndjesi shumë të veçantë dhe emocionuese. Për mua ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe u ndjeva shumë mirë dhe e vlerësuar  në rolin e mësuesit.

Nxënësja Kristjana Kola: Ishte një eksperiencë shumë me vlerë për mua, pasi jo vetëm provova veten por krijova dhe idenë se sa e vështirë është të jesh mësues dhe të japësh dije. U argëtova shumë dhe po ashtu nxënësit u ndanë të kënaqur dhe kishin seriozitetin e duhur. Do të doja ta provoja sërish pasi mu duk që kjo eksperiencë do të më vlejë shumë në jetë, mbase do ta mendoj edhe si profesionin tim të ardhshëm.

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Maturantja: Kjo nismë lehtëson procesin e të mësuarit

Next Article

Orë model, qytetari X

Related Posts