“Një oqean me nxënës”

Për mua klasa është “Oqean me nxënës”, për diversitetin që ka në klasë. Mësuesi gjithmonë duhet të jetë i përgatitur për këtë diversitet me metodat përkatëse të mësimdhënies. Në klasë nuk ka vetëm vështirësi, por ka edhe shumë të papritura të këndshme. Këshilla nga mësuesja Iriana Papamihali.

“Një oqean me nxënës” ka qenë para ca vitesh tema e një trajnimi që kam bërë dhe më bëri të reflektoj këto ditë. 

Për mua klasa është si një oqean ku secili ka personalitetin e vet dhe mbi të gjitha karakteristikat e veçanta që e dallojnë nga tjetri. Nxënësit janë kaq të ndryshëm. Ndodh që në klasë ndonjëherë duam t’i kemi nxënësit në të njëjtin nivel, por kjo është e pamundur. Prandaj termi oqean shkon për klasën me kuptimin e mirë të fjalës. 

Nxënësit nuk janë kopje e njëri-tjetrit. Të qenët ndryshe na bën të jemi unikë. 

Ata kanë interesa dhe qasje të ndryshme ndaj lëndëve mësimore dhe të jemi të ndërgjegjshëm, jo të gjitha lëndët i kanë dëshirë. 

Nuk mund të pretendojmë që një nxënës të ketë prirje për të gjitha shkencat. Të gjithë duan vlerësim maksimal në çdo lëndë që zhvillohet në klasë. Ka nxënës që arrijnë t’ja dalin me punë të palodhur dhe sistematike, por këta janë të rrallë dhe nuk duhen marrë si etalon përpara klasës gjatë gjithë ditës duke i vënë nxënësit e tjerë në siklet. Nuk duhet të vlerësohet vetëm një nxënës në të gjithë klasën dhe fletoret e tij të jenë në dorën e mësuesit si në ekspozitë. Ka fjalë motivuese me të cilat e bën nxënësin të përpiqet më shumë me dëshirën dhe vullnetin e tij.


Format e të nxënit

Nxënësit ndryshojnë edhe nga mënyra e të kuptuarit dhe të perceptuarit të njohurive. Kjo do të thotë që nxënësit e përthithin informacionin në mënyra të ndryshme. Dikush me kujtesën pamore, dikush me dëgjim, dikush e kupton edhe me imazhe në tabelë. Fëmijëve të vegjël, që akoma nuk dinë të lexojnë e të shkruajnë, u jepen shumë libra me ilustrime dhe lojëra, sepse e përthithin më mirë informacionin nga ana vizuale dhe nuk e harrojnë. Kujtesa pamore është e rëndësishme. Duhet të ndërthuret teoria me imazhe dhe ilustrime, kështu nxënësit do e përthithin më mirë informacionin e ri.

Përgatitje ditore e mësuesit

Vetë mësuesi bën përgatitje ditore dhe planifikon orën e mësimit për çdo klasë. Dita e një mësuesi është shumë e ngarkuar me punë, plotësim dokumentesh, korrigjime, përgatitja për të nesërmen. Asnjë profesion nuk e kupton dot nëse nuk je i përfshirë në të. Nga larg e gjykojmë çdo gjë të thjeshtë. Po jua them me siguri të plotë që profesioni i mësuesisë është nga më të vështirët sot dhe ka plot të papritura gjatë ditës. 


Rëndësia e mjeteve në lëndën e artit pamor

Disa situata që ne mësuesit përballemi përditë, janë: nxënës të papërgatitur, nxënës pa fletore dhe libra, nxënës pa mjetet e punës, etj. Problemi qëndron se nëse nxënësit janë pa mjete, edhe ora e mësimit nuk shkon si duhet. Në orën e artit pamor mjetet kanë prioritet, që nga lapsi deri te fletorja e vizatimit, ngjyrat etj.Çdo teknikë artistike ka specifikat e veta dhe unë i realizoj në klasë me nxënësit. 

Si duhet menaxhuar situata në klasë?

Nuk më pëlqen që nxënësi të rrijë pa punë, por e përfshij në mësim edhe pse nuk ka mjete. Nuk më duket që ja kam arritur qëllimit në atë orë mësimore, nëse nuk i përfshij të gjithë nxënësit në krijimtari. Prandaj toleranca duhet ndonjëherë në klasë, në të mirë të punës. Nxënësit mbase jo të gjithë kanë mundësi dhe nuk dua të ndjehen keq duke i vënë përpara përgjegjësisë. Afrohem dhe më vete e pyes se çfarë arsye ka patur që ka ardhur i papërgatitur. Në të kundërt e këshilloj me argumente bindës që herën tjetër të jetë i pajisur me mjete. Në fakt kjo ka funksionuar. Nuk dua që ora e mësimit të kthehet në tension për nxënësit. Ora e artit pamor është argëtuese për nxënësit dhe çlodhëse. Nëpërmjet krijimtarisë ata realizojnë teknikat e bukura artistike dhe se cilët kanë qenë artistët që i kanë aplikuar më shumë. Prandaj më pëlqeu titulli “Oqean me nxënës”, për diversitetin që ka në klasë. Mësuesi gjithmonë duhet të jetë i përgatitur për këtë diversitet me metodat përkatëse të mësimdhënies. Në klasë nuk ka vetëm vështirësi, por ka edhe shumë të papritura të këndshme që ta zbukurojnë ditën dhe të mbushin shpirtin me mirësi, qoftë edhe nga një buzëqeshje, edhe nga një shikim plot shpresë, apo edhe nga një falënderim në fund të orës së mësimit. Nuk do të doja kurrë ta braktisja këtë profesion edhe pse sfidat janë të shumta.

Nga Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Klubi i leximit lexoi dhe diskutoi për “Lizën në botën e çudirave”

Next Article

"Jeta!" - shkrim nga nxënësi Halit Trakanaku

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427