Pjesëmarrëse në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të të Rinjve “Tirana Gate 2022”, poetja Rita Petro në fjalën e saj të rastit tha se “krijuesi është si një lloj Krishti i cili mban përsipër dhe mëkatet e të tjerëve dhe se vetëm këtë tronditje neve mund t’ia transmetojmë edhe lexuesit”.
Nisi sot, në Muzeun Historik Kombëtar, Festivali Letrar Ndërkombëtar i të rinjve “Tirana Gate 2022”, i cili këtë vit do të ketë moto të tijën “Fqinjët”. Deri në datën 7 tetor, Tirana do të kthehet në një vendngjarje të rëndësishme për librin europian.
Kryeqyteti do të mirëpresë autorë të mirënjohur të Ballkanit, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria dhe autorë nga Turqia, që në labirintin e një paraleleje mes historisë personale dhe asaj kombëtare do të rrëfejnë histori shtetesh dhe qytetesh, histori qytetërimesh dhe jetësh individuale.
Gjithashtu pjesë e Festivalit do të jenë autorë europianë si nga Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Rumania, fitues të çmimit prestigjioz ndërkombëtar Çmimi Europian i Letërsisë (EUPL), ku edhe Shqipëria bën pjesë me 3 autorë të saj.
Veçantia e këtij festivali qëndron në faktin se secili autor do të flasë, diskutojë dhe lexojë në gjuhën e tij, pra do të dëgjohet shqip, turqisht, greqisht, bullgarisht, maqedonisht etj.
Në njërin prej paneleve të sotëm të këtij festivali, ku morën pjesë Kalin Terziyski (shkrimtar bullgar) dhe Stefan Çapaliku e Rita Petro, iu la hapësirë paraqitjes së mendimeve të papërpunuara, për shkrimet e pakapshme, të papajtueshme me askënd dhe asgjë, për rrëfimin e zhveshur nga “Dëshiroj” dhe “Duhet”, ku shfaqen veç mendimet dhe ndjenjat.
Poetja Rita Petro në fjalën e saj të rastit tha se krijuesi është si një lloj Krishti i cili mban përsipër çdo lloj dhune që i ndodh tjetrit dhe se vetëm kjo lloj tronditje mund t’i transmetohet lexuesit.
“Problemi më i madh i krijuesit është që ai të shkruaj për gjërat që ai dhe çdo njeri tjetër i mban shumë të thella brenda vetes së vet; i mban aq të fshehta saqë ndonjëherë i duken sikur ato janë turpe dhe përveç kësaj janë si ato ëndrrat e turpshme që ne shikojmë, që as nuk na kanë shkuar ndonjëherë në mendje. Mendoj se krijuesi është si një lloj Krishti i cili mban përsipër çdo dhunë apo përdhunim që i ndodh tjetrit, i ndodh në trupin e vet. Pra gjithë mëkatet i mban në trupin e vet. Nëse ne nuk do flisnim duke e ndjerë mbi veten tonë të gjithë këtë lloj dhune që na ndodh në realitet, duke u tronditur në veten tonë, atëherë këtë lloj tronditje neve nuk do ja ja transmetonim as lexuesit”, kështu u shpreh shkrimtarja Rita Petro.

Më pas në panel u fol edhe më tej për letërsinë që trondit e revolton “turmën”, me shkrimtarin e Çmimit Europian Terziyski, që beson se shkruan në “kohën e qenve”, në atë kohë kur shkrimtarët shkruajnë vetëm gjëra të tregtueshme dhe Stefan Çapalikun, që sjell njeriun e epokës moderne ku “secili çmendet në mënyrën e vet”.
Milena Selimi, drejtore artistike e festivalit, është shprehur se “Kultura është e vetmja hapësirë pa kufij ku mund të lëvizim pa lejekalimi, ku në vend që të kundërshtojmë mund të dialogojmë edhe nëse nuk jemi dakord.”

Festivali Letrar Ndërkombëtar i të rinjve “Tirana Gate 2022”, është një projekt i realizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit në kuadër të projektit rajonal READ (Rrjeti Rajonal për Dialog Ndërkulturor) i mbështetur nga Bashkimi Europian.
Festivali i sivjetmë do të solidarizohet me Ukrainën, në një seksion të dedikuar Ukraine – Stop War, duke sjellë disa autorë përmes krijimtarisë së tyre.
Autori më i ri i festivalit është 26-vjeçari Azem Deliu dhe autori më në moshë, Drago Jančar, 73-vjeçar.
Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
780875 527023I like what you guys are up too. Such smart function and reporting! Carry on the superb works guys Ive incorporated you guys to my blogroll. I feel it will improve the value of my web site 212800