Në shkollat e SHBA-së kthehet ndëshkimi fizik i nxënësve

Disiplinë apo dhunë? Në një distrikt të Misurit, shkollat po u rikthehen metodave të vjetra të ndëshkimit të studentëve si masë disiplinuese. Përdorimi i forcës fizike nga mësuesi do të shihet si masë disiplinore për nxënësit, të cilët shfaqin sjellje devijante në mjediset shkollore.

“Në një distrikt të Misurit, shkollat po u rikthehen metodave të vjetra të ndëshkimit të studentëve si masë disiplinuese. Përdorimi i forcës fizike nga mësuesi do të shihet si masë disiplinore për nxënësit, të cilët shfaqin sjellje devijante në mjediset shkollore. Në qershor të këtij viti, bordi i shkollës “Cassville” miratoi ndryshimin e politikës shkollore dhe ditët e fundit njoftoi edhe prindërit. Masa disiplinore e ndëshkimit fizik ishte ndaluar që në vitin 2001 nga distrikti i Barry-t. Me këtë masë të re, në vend të pezullimit të studentëve nga shkolla, drejtorët dhe mësuesit do të aplikojnë ndëshkimin fizik, si alternativën e fundit disiplinuese”, kështu shkruan media e njohur amerikane New York Post.

Ja dhe njoftimi i kësaj mase disiplinore për prindërit dhe kujdestarët:

“Të nderuar prindër/kujdestarë,

Në vitin shkollor 2022-2023, në shkollat e “Cassville R-IV” do të kthehet përdorimi i ndëshkimit trupor. Ky ndryshim do t’u japë drejtorëve një mundësi më shumë disiplinore, përpara se nxënësit të marrin dënime më të rënda, si pezullime etj. Prindërit dhe kujdestarët e studentëve duhet të shqyrtojnë dhe nënshkruajnë një formular të pranimit të ofruar nga zyra e shkollës, nëse dëshirojnë të autorizojnë ndëshkimin trupor për fëmijët e tyre. Nxënësit do t’i nënshtrohen ndëshkimit trupor sipas rregullave të politikave shkollore. Ndëshkimi trupor do të përdoret vetëm kur mjetet e tjera të disiplinës kanë dështuar, si dhe me rekomandimin e drejtorit. Nëse keni pyetje në lidhje me këtë praktikë ose opsion disiplinor, ju lutemi më kontaktoni mua ose drejtorin e fëmijës tuaj.

Sinqerisht,

Merlyn Johnson, Ed. D

Kryeinspektori i shkollave”

Në rregulloren e re të shkollës tregohet se ndëshkimi fizik do të zbatohet me “të goditura në të pasme” me një vizore druri. Dr. Johnson tregon se për nxënësit e rinj do të aplikohen 1-2 goditje, ndërsa për nxënësit më të rritur, ndëshkimi do të variojë nga 3-4 të rrahura. Ndëshkimi fizik do të kryhet nga personel i kualifikuar, gjithnjë në prani të një punonjësi tjetër. Nxënësi nuk do të ndëshkohet kurrë në sy të nxënësve të tjerë. Goditja në kokë ose fytyrë nuk lejohet. 

Prindërit, të cilët duan që fëmija të disiplinohet nga goditjet, duhet të plotësojnë formularin e ofruar nga zyra e shkollës. Mbikëqyrësi i shkollave, dr. Johnson, tha për gazetën lokale KOLR, se politika e re shkollore vjen nga kërkesa e shumë prindërve për t’i disiplinuar fëmijët e tyre me këtë metodë, pasi pezullimet nga shkolla dhe dënimet nuk kanë dhënë rezultat pozitiv te fëmijët e tyre. Kjo masë do të jetë e fundit dhe për nxënësit, të cilët nuk i korrigjojnë sjelljet në mënyrë të vazhdueshme. 

Në Gjykatën e Lartë të SHBA-së është e sanksionuar se “ndëshkimi trupor” në shkolla u lihet në dorë shteteve ta vendosin. Në SHBA janë 19 shtete, ku ende lejohet përdorimi i ndëshkimit trupor në shkolla.

Çfarë mendojnë prindërit për këtë disiplinë? 

Ndonëse hartuesit e projektit e konsiderojnë rregulloren e re si një nismë të udhëhequr nga prindërit, ekziston një grup tjetër prindërish, që është kundër këtyre masave.

“Unë mendoj se nuk është e përshtatshme, – u shpreh Miranda Waltrip, e cila ka tre fëmijë në shkollat e Cassville-s. – Kjo mënyrë nuk e përmirëson sjelljen e fëmijëve, marrëdhëniet shoqërore të tyre, si dhe nuk i rrit aftësitë e të menduarit të tyre.”

“Ndëshkimi fizik rrit agresionin e fëmijëve dhe sjell probleme të tjera të sjelljes me kalimin e kohës”, – tha Gershoff për “Health Day”.

Disiplinë apo dhunë?

Në mediet sociale janë të shumtë njerëzit që ndajnë shqetësimet e tyre mbi çështjen disiplinuese. Me sloganin “e papërshtatshme” dhe “dhunë fizike”, politika e ndëshkimit fizik për nxënësit shihet si dhunë fizike ndaj të miturve dhe nuk ka shumë mbështetje.  

Vitin e kaluar, revista “The Post” publikoi një analizë nga profesoresha e Universitetit të Teksasit në Austin, Elizabeth Gershoff, e cila tha: “Asnjë studim nuk ka zbuluar se ndëshkimi fizik parashikon apo ndryshon sjelljen e fëmijëve me kalimin e kohës”

Burimi:https://nypost.com/2022/08/25/students-in-tiny-missouri-town-to-be-disciplined-by-paddling/ dhe https://www.theguardian.com/us-news/2022/aug/25/missouri-school-district-reinstates-spanking 

Përgatiti: Xhoana Jaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Laura Kërtalli, e para maturante që ka shkruar një libër mbi regjimin komunist në Shqipëri

Next Article

Studim mbi pakënaqësitë e adoleshentëve dhe këshilla për prindërit

Related Posts