Në shkolla, duhet forcuar rregullorja e brendshme

Rasti më i fundit në Lushnje, ku një drejtor shkolle ngacmoi seksualisht një nxënëse 15 vjeçare, përbën skandal. Mendoj se forcimi i rregullores së brendshme dhe rolit të mësuesit (si kudo në Europë) mbetet kyçi i sukseseve, dhe eliminimi i rasteve sporadike të shfaqjes së dhunës në shkollat tona.

Rasti më i fundit në Lushnje, ku një drejtor shkolle (nuk dihet se si ka arritur deri në atë post) ngacmoi seksualisht një nxënëse 15 vjeçare, natyrisht përbën skandal. Dhe të tilla kemi patur shpesh vitet e fundit, duke mos u thelluar ndoshta aq sa duhet në shkakun kryesor të këtyre ngjarjeve. Nuk mohoj, se edhe në sistemin e kaluar, kishte boll raste të tilla, dhe mësuesi apo drejtuesi shkollës kur zbulohej dhe denoncohej, merrte dënim shembullor.

Por më kryesorja e gjithçka ndodh sot në shkollat tona, mbetet mungesa e disiplinës, stepja e mësuesit para nxënësit rebel, para nxënësit që nuk mëson, që mbush numrin e mungesave  dhe nuk përjashtohet, apo kur nxënësi merr gjithë vitin shkollor notën 4, dhe në fund të vitit, ai duhet të kalojë klasën. Shkollat tona, po përballen akoma me një trashëgimi të fenomeneve të së shkuarës, të cilat duhet me urgjencë, ti riparojmë sa nuk është vonë. Nuk ka rëndësi rritja e përqindjeve të kalueshmërisë në fund të vitit shkollor, por rritja e cilësisë, nuk ka rëndësi bilanci  dhe statistikat në letra që kërkon dikasteri, por ajo ç’ka është arritur nga mësuesi në punën e gjithë vitit shkollor me shumicën e nxënësve në klasa.

Nisma të tilla si “Stop dhunës, stop bullizmit” i bëjnë mirë jetës shkollore,  marrëdhënies mësues-nxënës, lehtësojnë procesin e mësimdhënies, rrisin cilësinë, dhe ruajnë qetësinë e dëshiruar në klasa dhe shkolla. Por shpesh nuk ndodh kjo. Kryesisht në shkollat e sistemit 9 vjeçar, ka pasur dhe ka shkrehje të  disiplinës nga nxënësit, ashtu siç ka mungesë të aftësive nga mësuesit e rinj dhe drejtorët e shkollave. Kjo ndoshta duhet kërkuar tek universitetet, tek fakultetet që përgatisin mësuesit e rinj  të lëndëve të ndryshme. Si gazetar, më është dashur të arkivoj informacione të bollshme lidhur me raste flagrante të mungesës së hershme dhe të tanishme të disiplinës në shkolla. Nga mësues, drejtues, prindër dhe nxënës, kam pasur sinjalizime, deponime me fakte konkrete të rasteve të sjelljeve rrugaçaske në ambientet e shkollave.

Në ballafaqimet e palëve, kam konstatuar se mungesa e punës profesionale, kryesisht nga ana e mësuesve të rinj, dhe  shpërqendrimi  i pajustifikuar i elementëve rebelë në klasat kryesisht të 7-ta, 8-ta dhe 9-ta, ka krijuar skena të dhunshme, ka prishur orë mësimi, dhe pamundësi të drejtuesve në shkolla për të parandaluar dhe ndëshkuar autorët. Mos harrojmë se në shkolla na janë rrahur dhe plagosur  nxënës vite më parë, dhe mësuesit dhe drejtuesit e tyre, nuk kanë patur asnjë hapësirë ligjore të ndëshkojnë nxënësit e padisiplinuar. Në shkollat tona nuk duhet të ekzistojë mendimi  nga nxënësit, se “shkojmë sa për kaluar klasën, edhe pse bëjmë mungesa gjatë procesit mësimor, edhe pse prishim orët e mësimit, edhe pse ofendojmë mësuesin, klasën e kalojmë”.

Është e vërtetë, që  sistemi arsimor ka pësuar ndryshime radikale dhe reforma cilësore në dekadën e fundit, por kjo duhet shoqëruar edhe me vendosjen  e “sanksioneve” të rrepta ndaj elementëve (nxënësve) negativë, që shpalosin sjellje të pahijshme që dëmtojnë  procesin mësimor dhe imazhin  e shkollave tona. Nuk mundet që shkolla të krijojë  shpërqendrim tek shumica, sepse  dy, ose dhe më shumë  nxënës që sillen si huliganë, edhe pse janë identifikuar si të tillë, patjetër duhen mbajtur në klasa, duhen mbushur me nota kaluese, dhe nuk u duhet thënë “një fjalë  qortuese” sepse ankohen në DAR-e. Kjo praktikë duhet  të marrë  fund, në rast se duam të rikthejmë shkollat në binarët e duhur.

Një punë e madhe dhe e lavdërueshme, është bërë në vitet e fundit nga Ministria e Arsimit, lidhur me masat parandaluese për shfaqjen e fenomeneve të tilla, (duke përshëndetur edhe nismën e  fundit  të vlerësimit psiko-social për mësuesit) por mendoj se forcimi i rregullores së brendshme dhe rolit të mësuesit (si kudo në shkollat publike në Europë) mbetet kyçi i sukseseve, dhe eliminimi i rasteve  sporadike të shfaqjes së dhunës në shkollat tona.

Artur Ajazi, gazetar 

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Autizmi Asperger dhe lidhja me tiparin e gjeniut

Next Article

Kurbin, takim brezash në shkollën "Gjin Pjetri" në Laç

Related Posts