Teksa shkollat janë pushim, një grup studentësh kanë protestuar këtë të hënë para Ministrisë së Arsimit. Aktivistët e Qëndresës Qytetare e zhvilluan këtë protestë si formë reagimi ndaj mungesës së ngrohjes në shkolla. Disa qytetarë kanë sjellë ngrohëset e tyre përpara MAS, duke ironizuar sistemit arsimor.
Ngrohja në shkolla është një nga problemet që po përballen nxënësit dhe mësuesit në këto ditë të ftohta janari, ndërsa moti i acartë me temperatura të ulëta nën zero gradë ka mbërthyer vendin. Ngricat, reshjet e dëborës dhe akulli në rrugë kanë vështirësuar qarkullimin në disa zona të vendit.
Aktivistet e Qëndresës Qytetare këtë të hënë në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit në formë reagimi ndaj mungesës së ngrohjes në shkolla kanë ftuar qytetarët për të sjellë ngrohëset e tyre përpara Ministrisë së Arsimit, duke ironizuar dështimin e sistemit arsimor.
“Sot, Ditën Ndërkombëtare të Arsimit ne aktivistet e Qëndresës Qytetare në formë reagimi ndaj mungesës së ngrohjes në shkolla kemi ftuar qytetaret për të sjellë ngrohëset e tyre përpara Ministrisë së Arsimit, duke ironizuar dështimin e sistemit arsimor”, kanë deklaruar përfaqësuesit e kësaj proteste.
Nuk është hera e parë që aktivistët kanë dalë në protesta paqësore, duke e cilësuar të dështuar sistemin arsimor në vend.
Të gjithë nxënësit janë pushim për tre ditë prej temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin tonë.
Gjithashtu njëri prej prindërve të punësuar në administratën publike, nëse kanë fëmijë të mitur është lejuar të qëndrojë në shtëpi, pa marrë ndëshkime ekonomike.
Mbyllja e shkollave të sistemit parauniversitar deri të mërkurën e 26 janarit ka ndarë prindërit në dy kahe. Disa justifikojnë mbylljen me mungesën e kushteve në shkolla, ndërsa disa të tjerë shqetësohen se kjo do të krijojë më shumë mangësi te nxënësit.
Kaltra Tafani
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.