Mobilizimi që duhet në një vit të vështirë shkollor (viti shkollor 2020-2021)

Kalimi nga shkolla virtuale në atë fizike kërkoi shumë guxim. Jemi tani më shumë se kurrë të rrezikuar, por gjithsesi vijojmë ende, nën moton ‘jeta vazhdon e nuk di të ndalet’. Ky vit shkollor mund të jetë një ndër vitet më të çregullta…

Kanë kaluar tetë muaj që kur COVID-19 shpërtheu në jetën tonë si një cunam dhe prishi pothuajse çdo aspekt të jetës sonë të përditshme. Shkollat u mbyllën, të mësuarit u zhvendos në internet dhe të gjithë, mësuesit, nxënësit dhe familjet, pësuan një disbalancim për sa i takon jetës shoqërore. Kalimi nga shkolla virtuale në atë fizike kërkoi shumë guxim. Jemi tani më shumë se kurrë të rrezikuar, por gjithsesi vijojmë ende, nën moton ‘jeta vazhdon e nuk di të ndalet’. Ky vit shkollor mund të jetë një ndër vitet më të çregullta, mund të jetë i frikshëm, madje shumë i vështirë. Ndaj, ajo që mund të bëjmë të gjithë së bashku është të mobilizohemi dhe të ushqejmë pozitivitetin, si armën më të fuqishme që kemi në duar. 

Ruani të njëjtin ritëm

Shumica e fëmijëve janë mësuar me rrjedhën e ditëve. Por, nuk është çudi që gjërat të marrin sërish kthesë dhe disa shkolla t’i rikthehen mësimit virtual. Sapo fëmijët të kthehen në këtë lloj mësimi (gjithmonë nëse ndodh), përpiquni t’i përmbaheni të njëjtit orar. Fëmijët kanë nevojë për stabilitet dhe t’i përmbahen rutinës. Kjo do i ndihmojë në tranzicionin e tyre.  

Jepini rëndësi ndërveprimit shoqëror

Një pjesë e madhe e zhvillimit të një fëmije është ndërveprimi shoqëror dhe shumica e fëmijëve janë jashtëzakonisht të entuziazmuar që takohen përsëri me moshatarët e tyre. Festoni kthimin së bashku me shumë aktivitete argëtuese. Krijoni hapësirë fizike që të gjithë të jenë të sigurtë.

Bëni pushime midis orëve

Planifikoni pushime të shpeshta dhe kohë krijuese të pastrukturuara. Grupojini nxënësit, me grupe të vogla në mënyrë që të marrin ajër jashtë, gjithnjë duke ruajtur distancën fizike dhe mbi të gjitha duke mos hequr maskën. 

Fuqizoni nxënësit tuaj

Të qëndrosh i shëndetshëm në shkollë përfshin ndjekjen e një liste të tërë të protokolleve të sigurisë, nga larja e duarve, distancimi i duhur, mbajtja e maskave, etj. Do t’ju duhet ndihmë për të monitoruar këtë aspekt. Fuqizoni studentët tuaj të jenë pjesë e procesit. Ata mund t’i ndjekin procedurat në klasë së bashku me ju. Kështu ata ju ndihmojnë dhe ju nuk keni pse të survejoni gjithçka. Ndani detyrat! Shoku t’i kujtojë shokut se nuk e ka maskën apo sterilizuesin e duarve.   

Angazhoni studentët me të mësuarit aktiv

Të kesh mundësinë për të mësuar në internet ishte shumë e dobishme kur nuk kishte zgjidhje tjetër. Tani, megjithatë, ne kemi shumë mundësi të shkëlqyera përtej të ulurit para një kompjuteri. Jepuni nxënësve mundësinë e bashkëpunimit (duke ruajtur distancën sociale).

Vazhdoni të kultivoni pavarësinë

Një gjë që të mësuarit virtual na ka mësuar është që të jesh në gjendje të punosh në mënyrë të pavarur. Shumica e nxënësve kanë bërë një punë të mahnitshme dhe janë rritur si nxënës. Tani që jemi kthyer në mësimin normal, ne duam që nxënësit të mbajnë po atë ndjenjë të të qenit përgjegjës për mësimin e tyre. Mbani një ekuilibër midis të mësuarit të përbashkët dhe të pavarur.

Teknologjia, pjesë integrale e procesit mësimor

Nëse gjërat ndryshojnë dhe shkollat duhet të kthehen në mësimin virtual, ju dëshironi që fëmijët të jenë në gjendje të vazhdojnë me mësimin në një mënyrë konstruktive. Integroni teknologjinë, mbi një bazë më të kufizuar në mënyrë që kapërcimi të mos i dëmtojë.

Kërkoni për ato që ju nevojiten

Ndonjëherë ndjehet sikur e gjithë përgjegjësia për të lundruar me sukses në këtë paradigmë të re bie tërësisht mbi shpatullat e mësuesve. Por, nuk duhet të funksionojë kështu. Nëse keni nevojë për pajisje të veçanta, ndihmë teknike ose më shumë mbështetje nga administratori, drejtori, nëndrejtori, sekretaria, etj, mos hezitoni. Ne jemi të gjithë së bashku dhe e vetmja mënyrë pr t’ia dalë është të gjindemi bashkë.

Më e rëndësishmja, ruani qetësinë

Vazhdoni të qetë. Gjithë kësaj kohë jemi bombarduar nga lajme, statistika, të dhëna, shifra, viktima, sfida, mënyra të reja të të menduarit dhe megjithëse perfektja është shumë larg, po bëjmë më të mirën e mundshme. E gjithë situata që po jetojmë është një mësim për mësuesit, prindërit, nxënësit dhe këdo.

Parajsa Shtini

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

LAMTUMIRË LATO! Nga Vebi Bexheti

Next Article

Në pragun e një Panairi Libri ndryshe...

Related Posts