Mësuesja Ilirjana Mehaj: Nga pandemia fituam eksperiencën e mësimit online

Teksa nxënësit në Kosovë i janë rikthyer këtë vit bankave të shkollës me orar të plotë, diçka më tepër për aktualitetin na ka folur mësuesja Ilirjana Mehaj, ndërsa është ndalur edhe te përvoja në mësimdhënie gjatë kohës së pandemisë. Mesazhi që ajo jep në fund të intervistës na bënë të reflektojmë.

Pas më shumë se një viti, nxënësit në Kosovë kanë filluar të zhvillojnë mësim me orar të plotë dhe numër të rregullt nxënësish. Por si po vijon mësimi në Kosovë tani që klasat e ndara në dy grupe janë bashkuar dhe ora mësimore është rikthyer me 45 minuta? A ka pasur diçka pozitive nga ndarja e nxënësve në dy grupe? Çfarë mesazhi ka Ilirjana Mehaj, mësimdhënëse në shkollën fillore të mesme të ulët “Ganimete Tërbeshi”, Komuna e Prishtinës, për kolegët e saj? Për më shumë lexoni intervistën e mëposhtme. 

Pas më shumë se një viti, shkollat në Kosovë iu rikthyen deri diku normalitetit prej situatës së pandemisë që po përjeton e gjithë bota. Si e kanë pritur nxënësit tuaj rikthimin e mësimit me orar të plotë, por sigurisht me rregullat anti kovid? 

Nxënësit me padurim dhe me shumë nostalgji e kanë pritur rikthimin e mësimit me orar të plotë, pasi kishin kohë pa u takuar me pjesën tjetër të nxënësve, pra të grupit tjetër. Edhe pse zbatimi i rregullave anti-kovid po na kufizon të dy palëve për shkak të aktiviteteve të ndryshme, prapë po ia dalim mirë.

Po ju vetë çfarë ndryshimesh keni vërejtur me rikthimin e zhvillimit të mësimit me orar të rregullt?  A është më mirë kështu? Ia ndjetë mungesën mësimit të rregullt?

Sigurisht që mungesa e mësimit të rregullt ka qenë e pranishme gjatë gjithë kohës. Tani kemi mundësi t’i zhvillojmë të gjitha lëndët, si dhe kemi kohë më shumë për ta shtjelluar më detajisht një njësi apo problem të caktuar.

A mendoni se ka pasur diçka pozitive nga ndarja e nxënësve në dy grupe? 

Ndarja e nxënësve në dy grupe, me 30 minuta orë mësimore, u ka dhënë mësimdhënësve më shumë hapësirë për t’u qasur te secili nxënës veç e veç, si dhe  rezultatet dhe arritjet e nxënësve kanë qenë shumë të theksuara.

Po problemet që hasni ju dhe kolegët tuaj aktualisht, cilat janë? 

Java e parë e mësimit me orar të plotë me të gjithë nxënësit, është karakterizuar me lodhje më të shpejtë te nxënësit dhe me një ambient më të zhurmshëm në klasë, kjo për arsye se nxënësit nuk ishin takuar qe një kohë të gjatë. Kjo sidomos është më e dukshme te klasat e para dhe të dyta, ku nxënësit nuk e kishin njohur ende pjesën tjetër të klasës.

Pavarësisht vështirësive që vetë profesioni i mësimdhënies ka, çfarë mendimi keni për dy llojet e mësimdhënies le të themi që ju tashmë i keni ushtruar, për mësimin normal dhe mësimin online? 

Nga këndvështrimi im, e shoh të arsyeshme dhe të domosdoshme që mësimi i kombinuar me prani fizike dhe online duhet të jenë prezent çdoherë, edhe në situata të zakonshme për një mësim shumë cilësor, ashtu siç praktikohet kjo edhe në shkollat finlandeze, japoneze etj.

Çfarë eksperience keni fituar ju gjatë kohës së pandemisë prej procesit të mësimdhënies?

Eksperiencat kanë qenë shumë të mira. Kemi përvetësuar përdorimin e Google Meet-it dhe Zoom-it. Gjithashtu kemi hulumtuar dhe mësuar më shumë për teknikat, metodat dhe aktivitetet që mund t’i realizojmë edhe online.

Cila është motoja juaj kryesore e punës si mësuese?

“Mësuesi i mirë është si qiriri – konsumon veten për t’i ndriçuar rrugën të tjerëve.”

Nëse do të ndanit një mesazh me kolegët tuaj, cili do të ishte ai?

Të vazhdojmë të punojmë, pa u ndalur kurrë, në çdo situatë, dhe pa u ndikuar nga askush. Të japim më të mirën nga vetja, të jemi frymëzues dhe udhërrëfyes për nxënësit tanë, sepse e ardhmja e tyre është në duart tona.

Era Baliu

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Si t'i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që ata të zhvillojnë vetëbesim të fortë pavarësisht notave të këqija?

Next Article

Gabime më të mëdha që bëjnë mësuesit e rinj e që mund të shmangen plotësisht

Related Posts