Mësuesit që lanë gjurmë te ne…

“Dita e 7 marsit më sjell ndër mend mësuesit që kam pasur ndër vite që nga klasa e parë, emrat e tyre, shoqëruar me një respekt të madh për secilin. Gjithmonë i kam kujtuar me dashuri mësuesit e mi. Ata ishin pika ime e referimit dhe i shihja me admirim”. Shkrim nga mësuesja Iriana Papamihali.

Dita e 7 marsit më sjell ndër mend mësuesit që kam pasur ndër vite që nga klasa e parë, emrat e tyre, shoqëruar me një respekt të madh për secilin. Gjithmonë i kam kujtuar me dashuri mësuesit e mi. Ata ishin pika ime e referimit dhe i shihja me admirim. Ishin modeli për t’u ndjekur, pas prindërve të mi. Mbaj mend që shkoja me shumë dëshirë në shkollë. Vitet e shkollës kanë qenë të paharruara për mua, edhe pse vështirësitë ishin jo të pakta. 

Me kalimin e viteve ka ndryshuar edhe respekti për figurën e mësuesit, ndoshta sepse më parë autoriteti i këtij të fundit ishte atje ku duhej, sepse i jepej rëndësia dhe vendi që i takonte në shoqëri. Kohët kanë ndryshuar dhe pozicioni i mësuesit gjithashtu. Dikur profesioni i mësuesit ka qenë një profesion shumë i nderuar dhe i respektuar. Po sot ku jemi?

Lidhja ime me mësueset e mia ka qenë e veçantë. Mbaj mend sa herë vinte 7 marsi, ne mblidheshim pasdite dhe vizitonim mësueset tona në shtëpitë e tyre. Kjo vizitë ishte shumë emocionuese për ne si nxënës, sepse do e njihnim mësuesen edhe në një dimension tjetër, atë të gruas dhe të nënës. Çdo vit e prisnim me padurim 7 marsin, pikërisht për këtë vizitë të veçantë që i bënim mësueseve tona.  

Serioziteti në punën e tyre na bënte t’i respektonim edhe më shumë mësuesit tanë. Mësimdhënia e tyre ishte për t’u admiruar, sepse ata me durim, ditën të skalitnin thellë në mendjen tonë, konceptet bazë të lëndëve. Me artin e fjalës bënin që sytë dhe mendja jonë të ishte aty në klasë duke përthithur çdo fjali. Metodat që përdornin ishin shumë efikase dhe jepnin rezultate pozitive. Respekti që kam për gjithë plejadën e mësuesve të mi nuk venitet, përkundrazi, sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë ky respekt ngrihet në majat më të larta. Këta mësues kanë lënë gjurmë të thella në formimin tim. 

Në mendje kam edhe mësueset e gjuhës angleze, që me shumë profesionalizëm ngulitën thellë te ne fjalët e kësaj gjuhe duke na aftësuar në të shkruar dhe në të folur. Kam ruajtur detyra të aglishtes, të klasës së 8-të, dhe tani kur i shoh kuptoj se sa shumë mësonim. 

Kujtoj me mall mësueset e të gjitha cikleve që kam patur. Ato ishin modeli që unë ndiqja në jetë. Më kujtohet që me to bisedoja për problemet që më shqetësonin dhe gjeja mirëkuptimin e tyre. 

Prandaj sot, më 7 mars, dua t’i falënderoj nga zemra me mirënjohjen më të thellë, për ato vite, që edhe pse të vështira, ditën të na i zbukuronin, ditën të mbushnin me dritë mendjet tona me dritën e diturisë, dritën e arsimit. Përkulem me respekt përpara tyre! 

Me shumë respekt këtë shkrim ua kushtoj mësuesve të shkollës “Avni Rustemi”, “Fan S. Noli”, Liceut Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë.

Gëzuar Festën e 7 marsit mësues dhe mësuese të dashura! 

Shkrim nga mësuesja Iriana Papamihali

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

“Mësuesit e mi”, poezi nga nxënësi Antonio Shyti

Next Article

Himni për Mësuesin, Kushi: Ndodh për herë të parë në historinë e arsimit shqiptar

Related Posts