Mësuesi mban ekuilibrin dhe drejtpeshimin e shoqërisë

Shkolla jonë ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, duke thyer tabu dhe mentalitete të vjetra, si e tillë ka synuar të ndërtojë forma të reja duke integruar mentalitete të reja të mësimdhënies…

“Një nga tiparet e njerëzve inteligjentë, është aftësia e tyre për të kontrolluar emocionet, duke përdorur arsyen”. (M.Mens)

Shkolla jonë ka bërë hapa të rëndësishme përpara, duke thyer tabu dhe mentalitete të vjetra, si e tillë ka synuar për të ndërtuar forma të reja duke integruar mentalitete të reja të mësimdhënies dhe normave pedagogjike, si dhe të përmirësimit të rolit parësor të mësuesit në misionin e vështirë të procesit mësimor dhe edukativ të shkollë. Përparimet shprehen për ditë, në ecjen përpara dhe afrimin e metodologjisë dhe përmbajtjes së shkollës sonë me atë evropiane e botërore, por edhe në zgjidhjen e problematikave, dikur të komplikuara, e që sot, gjejnë rrugëzgjidhje të pranueshme e të dëshirueshme. Fakti është që, në armatën e mësuesve shqiptarë, ka mijëra drejtues dhe mësues duke filluar nga shkollat e ciklit të ulët, ato të mesëm, të cilët janë me formim të plotë akademik e shkencor, por, edhe në gjendje t`u japin rrugëzgjidhje shkencore dhe të drejtpërdrejta problematikave që shtron vazhdimisht arsimimi i brezave. Mësues dhe drejtues profesional, mjaft prej tyre, bëjnë maksimalisht të vlerësueshme shkollën dhe standardet e saja të larta, duke çelur njëherazi koncepte të reja, që mbështeten në baza të shëndosha zhvillimi, për të sotmen dhe për të ardhmen e arsimit shqiptar.

Mësuesit e aftë profesionalisht dhe të përgatitur e me formim të plotë pedagogjik, ndërtojnë dhe hedhin ura të forta komunikimi me nxënësit, vlerësojnë dhe motivojnë; shfaqen kërkues dhe ngulmues, por edhe falin, kur e shohin se është në të mirë të mësimit dhe edukimit, të nxënësit dhe të perspektivës së tij. Ata, janë të ndjeshëm ndaj shqetësimeve e vështirësive, që kanë një kategori nxënësish, të cilët bartin problem sociale e familjare, ekonomike e psikologjike. Ata janë model në mënyrën e paraqitjes së përditshme të të menduarit dhe të të shprehurit. Nuk paragjykojnë askënd dhe, shpesh herë, të metat e nxënësve në mësim dhe edukim, në sjellje dhe komunikim, nuk i shkarkojnë tek ata dhe familjet e tyre, por marrin përsipër përgjegjësi dhe bëjnë ç`është e mundur që shkolla t’i korrigjojë të metat që shfaqen.

Natyrisht që, në jetën e përditshme shkollore dhe mësimdhënëse, ka dhe prej mësuesve, që, jo vetëm iu mungon formimi profesional e shkencor, por shndërrohen padashur në model të së keqes, duke shfaqur formim dhe karakter të papërshtatshëm përpara nxënësve të tyre. Ata nuk kontrollojnë dot fjalorin në komunikim, shfaqin paaftësi në zgjidhjen e konflikteve midis nxënësve në klasë dhe në shkollë, bëjnë që, nxënës të veçantë, humbasin interesin për shkollën, për përfundimin e vitit shkollor, duke e braktisur jo rrallë atë.

Shfaqen kështu, nxënës problematikë me shumë mungesa në orët e mësimit, tek të cilët, ajo që bie më shumë në sy, është interesi i dobët ndaj mësimit, ndaj dijes dhe kulturës, ndaj shkencës dhe ideve të bukura për jetën, shkurt, bie interesi ndaj shkollës. Ndërkaq, numrin lartë i mungesave pa arsye, shtohen vazhdimisht. Nxënës analfabet e problematik, për të ardhmen e familjeve të tyre, të komunitetit dhe shoqërisë në veçanti, i ndesh gjithnjë e më shpesh. Ndodh që, edhe në komunitet, ka mësues që sillen pa etikë, kanë paraqitje të jashtme jo të përshtatshme me natyrën e punës, krijojnë problem, që fare lehtë mund të kapërcehen, nuk janë tolerant në raporte marrëdhëniesh me nxënësit e tyre.

Mësues të tillë, harrojnë se, janë në vëzhgim të përhershëm nga komuniteti dhe se, përmes sjelljeve dhe qëndrimeve të tyre, ndodh që përgjithësohet padrejtësish figura e nderuar dhe emri i mirë i mësuesit; krijohet mendimi i gabuar për rolin pozitiv dhe misionin fisnik të tij. Këtej dalin në përfundimin, tashmë të njohur se, sa herë duhet të vlerësojmë shkollën, me të drejt e matim arritjen e saj me nivelin dhe standardin e mësuesve, të cilët janë ndër shtyllat kryesore, që mbajnë në ekuilibër dhe të drejtpeshim shkollën dhe përmbajtjen e saj. Ndërkohë që, vlerat e tyre, i rrezatojnë edhe në komunitetin përqark shkollës, tek familjet e nxënësve të cilëve ata u japin mësim.

Përpiqemi të sjellim në kujtesë ndonjë episod,mënyrë të sjelljeje apo të pyeturi të nxënësve, mbi të cilat bëjmë vlerësimin e njohurive të marra. Dikush e vlerëson mësuesin për rreptësi dhe kërkesën e llogarisë, një tjetër për zotësinë profesionale e shkencore të tij, për fjalorin dhe komunikimin, një i tretë, për tolerancën dhe formimin social-psikologjik dhe metodiko-didaktik etj. Më pak i lehtë, ndoshta është vlerësimi i mësuesit si teknicien, pasi lloje të ndryshme të inspektimit bëjnë vlerësimin mbi bazën e disa instrumenteve pedagogjikë plotësisht të besueshme,por qe duhet të rishihen në kuadrin e reformimit të shkollës.

Gjithsesi, askush nuk është i prerë në përfundimet që jepen, duke pranuar nuancat subjektive të vlerësimit e praninë e diskutimeve. Sidoqoftë një gjë është e qartë: të gjithë jemi të prekshëm, kur bëhet fjalë për mësuesin. Prandaj, qëllimi i këtij shkrimi, është hapja e një diskutimi mbi nevojën e vendosjes së disa parimeve, që formojnë disi kodin etik të tij dhe që do qartësonin përgjegjësitë personale të mësuesit dhe edukatorit në sistemin e arsimit para universitar dhe, më tej. Së bashku me instrumentet teknikë, ata mund të merren në konsideratë në analizat e mësimdhënies, jo vetëm nga teknicienët, por nga e gjithë shoqëria, e cila me shkollën ka një lidhje tepër të ngushtë, pasi fëmijët aty kalojnë pjesën më të mirë të ditës. E, mbi të gjitha, aty, në shkollë, merr jetë, në një farë mënyre e ardhmja. Kjo do të kërkonte në mënyrë të vazhdueshme që ta lartësojmë figurën e mësuesit, që, ai, të jetë baza e formimit të shoqërisë së ardhme, vërtetë të lirë, të qytetëruar dhe demokratike.

Parimet që po parashtrojmë, nuk kanë për qëllim të tregojnë se si duhet të sillet një mësues, ashtu siç nuk kanë për synim të finalizojnë penalizimet që duhet të merren në rast të kundërt. Nuk mendojë se, kështu, kufizojmë lirinë e mësuesit për t’u shprehur, ashtu sikurse nuk kemi për qëllim të tregojmë se, si ai duhet të flasë. Një shtysë pozitive në këtë aspekt ishte edhe materiali i hartuar kohët e fundit nga MAS firmosur nga Ministrja e këtij institucioni z. Lindita Nikolla Me 30 nëntor 2013 ku flitet për rolin primar qe ka mësuesi në trajtimin e barabartë të nxënësve duke theksuar se “Mësuesi u përkushtohet të gjithë nxënësve njëlloj dhe ushqen potencialin e tyre qytetar,shoqëror, intelektual, emocional dhe fizik të tyre duke tërhequr vëmendjen në vlerësimin e së drejtës së nxënësve për tu arsimuar në mënyrë të barabartë”. Kjo kërkon një punë dhe përkushtim të veçante të mësuesit për të njohur nivelin dhe veçoritë psiko–pedagogjike të çdo nxënësi.

Rëndësi të veçantë, sipas udhëzimit të ri të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve merr edhe Përkushtimi i mësuesit për t’u kualifikuar dhe vetëkualifikuar në mënyrë të vazhdueshme. Kjo do ti jepte mundësi atij, të njihej me format dhe metodat e reja të mësimdhënies, mësimnxënies dhe edukimit të nxënësve me normat e moralit shoqëror. Në këtë plan, rëndësi me vlera të veçanta merr edhe bashkëpunimi me komunitetin, me synimin pozitiv për të krijuar një mjedis motivues për arsimin dhe tërheqjen e tij sa më afër problemeve të shkollës.

Kompetencat psiko-pedagogjike dhe aftësitë profesionale të mësuesit: Një mësues i përgatitur nga pikëpamja pedagogjike shtron para klasës objektiva mësimore të qarta, njeh metodat e mësimdhënies e mësim – nxënies, i zgjedh e i zbaton ato në përshtatje me veçoritë e moshës e nivelin e klasës. Njeh disi mjedisin ku rritet, formohet dhe edukohet nxënësi si dhe vështirësitë sociale ekonomike me të cilat përballet familja e tij. Ai tregohet i ndjeshëm dhe tolerant, merr në konsideratë vështirësitë e rritjes së përshtatjes së nxënësve në mjedisin e ri, krijon tek ata mendimin se, me përpjekje sistematike, çdo dobësi mund të kapërcehet dhe se nxënësit janë të aftë për të kaluar klasën me vlerësime të larta. I krijon mundësinë, çdo nxënësi të jetë aktiv në orën e mësimit dhe pjesë e vendimmarrjes, përmirëson sistemin e të pyeturit, duke kombinuar metoda që ia lehtësojnë atyre procesin e përvetësimit të dijeve. Ai kombinon jo vetëm metodat e mësimdhënies, por edhe ato të vlerësimit.

Autoriteti dhe profesionalizmi i lartë, fitohet vetëm me punë: Një mësues i sotëm, duhet të zotërojë në nivel të lartë lëndën që jep, të sigurojë në vazhdimësi pasurimin e saj me arritjet më të fundit të teknologjisë dhe të formimit, të bëjë lidhjen e lëndës së tij me lëndët e tjera, me synim realizimin e objektivave në tërësi dhe të sigurojë mundësinë e realizimit sipas temave e orëve të veçanta të mësimeve integruese. Sa më profesional të jetë mësuesi dhe sa më mirë të zotërojë ai lëndën, duke përditësuar atë me të rejat shkencore e metodike, aq më tepër forcohet në sytë e nxënësve dhe të komunitetit autoriteti real i tij. Në mësimdhënie, mësuesi nuk ndikohet nga bindjet apo interesat personale. Në temat mbi të cilat ekzistojnë interpretime të ndryshme, që mund të ngjallin keqinterpretime në klasë me kulturë heterogjene. Mësuesi nuk mban qëndrim personal. Në mësim, ai shfaqet sa kërkues, aq edhe liberal, në kuptimin e krijimit të një klime, ku çdo kush mund e duhet t’i shfaq mendimet e tij lirshëm dhe pa asnjë kompleks.

Siguron mjedis të ngrohtë me nxënësit: Mësuesi nuk duhet të fyej, me apo pa dashje nxënësin, pavarësisht prejardhjes social kulturore. Kjo kërkon që, mësuesi të njoh që në fillim nxënësit që i janë besuar, duke u treguar i kujdesshëm në fjalorin që përdor apo komentet që bën. Kërkon mendimin e çdonjërit prej tyre për tema delikate, nxit nxënësit të respektojnë njeri – tjetrin, pavarësisht nga origjina, e kthen klasën në një mjedis të hapur e gjithëpërfshirës.

Siguron zhvillimin intelektual të nxënësve: Me punën e tij të përditshme, mësuesi kontribuon në zhvillimin intelektual të nxënësit, të paktën për sa i takon lëndës, ku jep mësim, duke nxitur tek ata besimin se mund të arrijnë suksese. Ai, nuk frymëzon diskriminimin, krijon për nxënësit me aftësi të kufizuara kushte të barabarta pjesëmarrjeje, kultivon tek ata, përmes shembullit të tij, edukatën dhe kulturën e punës.

Nuk lejon konflikte interesi me nxënësit e tij: Në punën e tij, mësuesi nxitet nga synimet psikopedagogjike dhe kërkesat akademike, nuk krijon marrëdhënie biznesi me prindërit e nxënësve, nuk i nxit nxënësit për pjesëmarrje në grupime të ndryshme politike, nuk abuzon me detyrën, duke tërhequr pas vetes për interesa përfitimi nxënës të tij për plotësime njohurish pas mësimit etj.

Respekt për kolegët: Një mësues, duhet t’i respektoj kolegët e tij dhe të punojë ngushtësisht me ta në interes të nxënësve. Mosmarrëveshjet ndërmjet mësuesve, janë thjesht personale dhe nuk duhet të ndikojnë në punën e tyre. Mësuesi nuk duhet të bëjë komente para nxënësve për një koleg të tij. Kush nuk respekton kolegun, nuk respekton veten.

Të njohë dhe të respektojë institucionin: Është në interes të zhvillimit të nxënësit, që mësuesi të njohë e respektojë objektivat që janë vënë për të përmbushur me sukses politikat e standardet e sotme të shkollës ku ai punon, të jetë indikator frymëzimi për aktorët e tjerë të interesuar për mbarëvajtjen e punës në shkollë. Mësuesi duhet të jetë i ndërgjegjshëm për përgjegjësitë personale dhe kolektive për mosrealizimin e objektivave.

Të vlerësoj objektivisht nxënësin: Një mësues duhet të përdorë sa më shumë metoda vlerësimi, sipas standardeve të vendosura nga shkolla. Ai është i ndërgjegjshëm për avantazhet apo disavatazhet e një metode apo të një tjetre dhe, punon, për një vlerësim sa më të gjithanshëm të tij. Vlerësimet duhet të jenë reale, të paparagjykuara dhe të alternuara. Politikat e vlerësimit, u bëhen të qarta nxënësve që në fillim të vitit shkollor. Fletët e provimit, punët e pavarura, detyrat e shtëpisë, punët praktike, vlerësohen me seriozitet e, u bëhen të ditura nxënësve në kohën e duhur, duke qartësuar çfarë kanë gabuar. Përfundimet, u bëhen të ditura edhe prindërve. Vënia në zbatim dhe praktikimi i këtyre parimeve të Kodit të Etikës së mësuesit, do të ndihmojë esencialisht punën në shkollën tonë dhe do të ngrejë më lart figurën e nderuar të mësuesit. Sigurisht që, ka edhe norma,rregulla dhe parime të tjera, të cilat, do ta bënin më të plotë këndvështrimin për kodin e etikës së mësuesit, por që vetë dikasteret arsimore duhet tua venë në dispozicion mësuesve për t’u njohur me to dhe për ti pasur si busull orientuese në punën e tyre mësimore dhe edukative.

Një mësues duhet të përdorë sa më shumë metoda vlerësimi, sipas standardeve të vendosura nga shkolla. Ai është i ndërgjegjshëm për avantazhet apo disavatazhet e një metode apo të një tjetre dhe, punon, për një vlerësim sa më të gjithanshëm të tij. Vlerësimet duhet të jenë reale, të paparagjykuara dhe të alternuara. Politikat e vlerësimit, u bëhen të qarta nxënësve që në fillim të vitit shkollor. Fletët e provimit, punët e pavarura, detyrat e shtëpisë, punët praktike, vlerësohen me seriozitet e, u bëhen të ditura nxënësve në kohën e duhur, duke qartësuar çfarë kanë gabuar. Përfundimet, u bëhen të ditura edhe prindërve. Vënia në zbatim dhe praktikimi i këtyre parimeve të Kodit të Etikës së mësuesit, do të ndihmojë esencialisht punën në shkollën tonë dhe do të ngrejë më lart figurën e nderuar të mësuesit. Sigurisht që, ka edhe norma,rregulla dhe parime të tjera, të cilat, do ta bënin më të plotë këndvështrimin për kodin e etikës së mësuesit, por që vetë dikasteret arsimore duhet tua venë në dispozicion mësuesve për t’u njohur me to dhe për ti pasur si busull orientuese në punën e tyre mësimore dhe edukative.

Fran Gjoka

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Si të organizoj një takim të frytshëm me prindër?

Next Article

Fëmijë që vuajnë nga çrregullimet e të nxënit

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427