Studimet tregojnë se mësuesit e suksesshëm janë të drejtë, demokratë, të përgjegjshëm, të kuptueshëm, të dashur, nxitës, origjinalë, syçelët, tërheqës, të ekuilibruar, të matur dhe me besim në vete.
Ndoshta mund të jetë e vështirë për të rënë në konsensus, se çfarë njohurish dhe aftësish janë të veçanta për profesionin e mësuesisë, megjithatë, pjesa më e madhe e edukatorëve janë të një mendimi, se janë të nevojshme dhe ekzistojnë njohuri, aftësi, shprehi dhe vlera të veçanta. Natyrisht, që mësuesi duhet t’i njohë mirë fëmijët dhe të ndjekë zhvillimin e tyre në çdo hap. Ai duhet të dijë diçka dhe për mjedisin jashtë klasës dhe shkollës. Ai duhet ta njohë mirë përmbajtjen e lëndës që jep dhe të dije të dallojë thelbësoren, nga ajo që është anësore dhe e rastësishme. Ai duhet të mëshirojë një tërësi vlerash morale, të cilat e udhëheqin atë në rolin e tij si mësues. Ai duhet të dijë si nxënë fëmijët, nxënësit dhe të rriturit dhe të krijojë mjedisin që e lehtëson të nxënit.
Marrja e një diplome universitare, në asnjë mënyrë nuk jep garanci se mësuesi do të jetë i aftë, i suksesshëm. Por, çfarë kuptojmë me mësues të aftë? Ç’është mësuesi i mirë? A janë këto dy ide të njejta?
Mësimdhënia e mirë është vështirë të përcaktohet, sepse termi i mirë ka më shumë ngjyrim emocional. Ajo që mund të duket mësimdhënie e mirë për njërin, për një tjetër mund të jetë e keqe, sepse secili vlerëson përfundime apo metoda të ndryshme. Një mësues mund të drejtojë klasën në mënyrë shumë të organizuar dhe me etapa të qarta, duke e vënë theksin tek përmbajtja intelektuale e lëndëve mësimore. Një tjetër mund ta drejtojë klasën me etapa jo shumë të ngurta, duke i lënë nxënësit më tepër të lirë për ta përzgjedhur përmbajtjen dhe veprimtarinë që iu intereson vetë atyre. Një njeri që do t’i vëzhgonte të dy këta mësues, duke u nisur nga formimi dhe bindjet e tij, mund ta quante mësimin e parë të mirë dhe ta kritikonte mësuesin e dytë ngaqë drejtoi klasën si anije pa busull. Një vëzhgues tjetër mund të dilte në përfundim të kundërt, për sa i takon pyetjes se Çili mësues është më i mirë, përsëri për të njëjtën arsye sepse vëzhguesi ka bindje të tjera në lidhje me vlerat.
Mësimdhënien e mirë e kemi vështirë ta përcaktojmë, ndërsa mësimdhënia e suksesshme mund të vërtetohet. Mësuesi i suksesshëm quhet ai që është në gjendje të realizojë qëllimet dhe objektivat e programit. Natyra e të nxënit vazhdon të mbetet më e rëndësishmja, por dy mësues të ndryshëm siç u përmend në shembullin e mësipërm, mund të përpiqen dhe të arrijnë përfundime të ndryshme dhe të dy mund të quhen të suksesshëm. Përmasat kryesore të mësimdhënies së suksesshme janë dy: synimi dhe rezultatet.
Pa synime, rezultatet e nxënësit bëhen të rastësishme dhe pa kriter. Megjithatë, edhe vet synimet nuk janë të mjaftueshme. Në qoftë se nxënësi nuk i realizon objektivat e përcaktuara të të nxënit (madje edhe kur mungesa e sukseseve dhe dështimet nuk varen dhe nuk janë në dorë të mësuesit), atëherë nuk mund të thuhet se puna e mësuesit ka qenë me të vërtetë efektive.
Ndërsa mësuesit e suksesshëm janë ata të cilët mund të vërtetojnë aftësinë e tyre për të realizuar rezultatet e planifikuara. Po si i realizojnë ata rezultatet e dëshiruara me nxënësit e tyre? A ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend, që të shpjegoni se ku dallojnë, nëse ka ndonjë dallim, mësuesit, nga të rriturit e tjerë të arsimuar? Çfarë duhet të dinë? Çfarë formimi duhet të kenë apo të jenë në gjendje të bëjnë mësuesit, profesionalisht të aftë, që t’i dallojë nga njerëzit e tjerë? Mendoni seriozisht për këto pyetje kryesore, sepse përgjigjja e tyre do të përbëjë thelbin e proÇesit të formimit dhe pajisjes tuaj me mjeshtrit e mësimdhënies.
Dikush mund të thotë se dallimi thelbësor qëndron në personalitetin e mësuesit. Mësuesit, mendojnë ata, duhet të jenë të dashur, me humor, tërheqës, me virtyte morale, entuziast dhe të qeshur. Studimet tregojnë se mësuesit e suksesshëm janë të drejtë, demokratë, të përgjegjshëm, të kuptueshëm, të dashur, nxitës, origjinal, syçelët, tërheqës, të ekuilibruar, të matur dhe me besim në vete. Mësuesit me rezultate të dobëta përkufizohen si të njëanshëm, burokratë, të tërhequr, të ngurtë, të ashpër, të mërzitshëm, monotonë, apatikë, të hallakatur, të pasigurt, inatçorë dhe me gabime në punë.
Parajsa Shtini
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.