MASR përgjigjet për mësuesit: Ja pse është e nevojshme fletorja evidencës dhe regjistri

Ne kemi kontaktuar me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për të marrë një përgjigje zyrtare në lidhje me qëllimin e përdorimit të njëkohshëm të fletores së evidencës dhe të regjistrit nga ana e mësuesve.

Pak ditë më parë, Portali Shkollor ju vuri në dispozicion një hapësirë ku mund të shpreheshit në lidhje me problematikat që hasni gjatë punës tuaj si mësues. Nëpërmjet temës së javës, e hedhur në faqen tonë zyrtare të Facebook, u evidentua se shqetësimi juaj më i madh kishte të bënte me përdorimin njëherazi të fletores së evidencës dhe të regjistrit. Këto janë disa nga komentet tuaja: 

Të gjitha koment i lexoni këtu

Ne kemi kontaktuar me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) për të marrë një përgjigje zyrtare në lidhje me këtë çështje. Sipas këtij institucioni, ndryshimi që ka ndodhur me vlerësimin e nxënësit në kurrikulën e re, krahasuar me vlerësimin tradicional, konsiston në mos vendosjen e notave në regjistër çdo ditë, sepse fokusi kryesor i vlerësimit është që nxënësi të përmirësojë të nxënit e tij, si dhe të motivohet më shumë për të mësuar. 

Ne e kemi pyetur konkretisht Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) se: “Pse është e nevojshme që mësuesit të përdorin edhe fletore evidencash edhe regjistër? Cili është qëllimi?

Përgjigja nga MASR është kjo: 

Me kurrikulën e re, viti shkollor ndahet në tri periudha. Çdo periudhë është afërsisht 3 muaj. Në përfundim të çdo periudhe nxënësi vlerësohet nëpërmjet: 

  • vlerësimit të vazhduar (vlerësim për të nxënë), për të cilin mësuesi mban shënime përgjatë periudhës në fletoren e tij personale. 
  • testit/detyrës përmbledhëse, i cili është një vlerësim përmbledhës dhe mat arritjet e nxënësit për periudhën përkatëse. 
  • portofolit lëndor, i cili përmban 1-2 detyra dhe projektin lëndor.  Portofoli ka detyra hulumtuese, krijime ose zbatime të ndryshme, projekte të nxënësve etj., që zhvillojnë kompetencat e të nxënit gjatë gjithë jetës.

Në fund të çdo periudhe në regjistër shënohen 3 nota. Ndërsa në fund të vitit shkollor, regjistri ka 9 nota. Nota përfundimtare llogaritet sipas peshës që është dhënë më poshtë:

  • vlerësimit të vazhduar (vlerësimi për të nxënë) (40%);
  • vlerësimit me test/detyrë përmbledhëse (vlerësimi i të nxënit) (40%);
  • vlerësimit të portofolit lëndor të nxënësit (20%).

Ndryshimi që ka ndodhur me vlerësimin e nxënësit në kurrikulën e re, krahasuar me vlerësimin tradicional, konsiston në mosvendosjen e notave në regjistër çdo ditë, sepse fokusi kryesor i vlerësimit është që nxënësi të përmirësojë të nxënit e tij, si dhe të motivohet më shumë për të mësuar. 

Ky ndryshim është bërë sepse krijon mundësi që:

  1. Mësuesi të vlerësojë më objektivisht nxënësin. Ai mban shënime në fletoren personale, përgjatë periudhës dhe në fund konkludon në përcaktimin e një note duke synuar progresin e nxënësit sesa vendosjen e notave të vazhdueshme në regjistër.
  2. Nxënësi të ndihet mirë, jo nën presionin e notës dhe jo me frikën që nuk do të mund të përmirësojë rezultatet e tij;
  3. Prindi të informohet për arritjet e fëmijës, jo thjesht me një notë, por për aftësitë dhe rrugët e përmirësimit të tyre. 

Regjistri ka 9 nota që vendosen në rubrikat e përcaktuara në regjistër. Kjo filozofi  vlerësimi përkon me të gjitha vendet që zbatojnë kurrikulën me kompetenca, dhe synon përmirësimin e përmbushjes së rezultateve të të nxënit nga nxënësi dhe vetë procesin e të nxënit. Pra, vlerësimi për të nxënë nuk ka si qëllim kryesor vendosjen e një note, por të evidentojë te nxënësi pikat e forta dhe ta ndihmojë që të përmirësohet sipas nevojave të tij. 

Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Nxënësi i varfër që u bë mjeku më i shquar në SHBA

Next Article

Realizohet cikli i parë i trajnimeve për drejtuesit e rrjetit profesional

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427