Marjana, mësuesja e edukimit fizik: Sporti është jetë!

Sporti më i pëlqyer është futbolli. Kjo vihet re, sepse jo vetëm pjesa më e madhe e nxënësve aktivizohet në kohën jashtë shkolllore me futboll, por është sporti që kërkohet të aplikohet më tepër në shkollë

Marjana Suli Brozi, mësuese e edukimit fizik, të klasave I, V, VIII, IX në shkollën “Dëshmorët e Lirisë” tregon në një intervistë për Portalin Shkollor se sa i rëndësishëm është sporti dhe çfarë pëlqejnë më shumë nxënësit. Mësuese Marjana na tregon studimet që ka bërë me nxënësit dhe konkluzionet që ka arritur.

Çfarë  është ora e edukimit fizik për ju?

Ora e edukimit fizik për mua dhe për nxënësit e mi, është jo vetëm një orë mësimore në këtë rast e edukimit fizik, por para së gjithash është një orë e shkarkimit të stresit, shkrythjes muskulare, shlodhjes mendore të një dite mësimi.

Nxënësit, e presin me shumë kënaqësi orën e edukimit fizik, sidomos gjatë këtyre dy viteve të fundit, kur norma javore është shtuar me një orë (Tre orë edukim fizik).

Quhet orë e lojës nga nxënësit dhe pse ora nuk është strukturuar vetëm lojë, pasi në këtë orë zhvillohen ushtrime të ndryshme të përgatitjes fiziko – motore. Risia që zhvillohet në orën e edukimit fizik janë ushtrimet e platformës së re ku një vend të rëndësishëm zë pregatitja fizike e nxënësve e cila është shumë e rëndësishme për shëndetin e nxënësve dhe në luftën kundër obezitetit.

Si e menaxhoni një orë mësimi?

Në ciklin fillor, ora e mësimit zhvillohet vajza-djem bashkë dhe këtu numri i nxënësve shkon derinë 35. Zakonisht puna ndërtohet në bazë të niveleve fizike të nxënësve dhe ushtrimet ndahen në bazë të këtyre niveleve. Këtu kemi parasysh ndarjen në nivele sipas cilësive fizike, por edhe sipas problemeve patologjike. Maksimalisht mundohem të mos bëj ndarje të dukshme, sidomos te fëmijët me lëvizshmëri të kufizuar, t’i përfshimë në grup dhe në këtë rast realizoj ekzekutimin vizual të ushtrimeve si nga une, edhe nga nxënësit në mënyrë që t’u vimë sa më mirë në ndihmë dhe të kemi përfshirje sa më të madhe të cilën jam munduar ta realizoj.

Me nxënësit me cilësi të mira fizike, mundohem t’i organizoj dhe t’i stimuloj shumë duke i përfshirë edhe në aktivitete të ndryshme që zhvillon shkolla, siç janë aktivitetet mes klasave, ndërmjet shkollave etj.

A janë të interesuar nxënësit për këtë orë?

Nxënësit, sidomos platformën e re të edukimit fizik e kanë pritur mjaft mirë, ndihen mirë për faktin se shohin ndryshimet si në fizikun e tyre ashtu edhe në cilësitë fizike dhe këtë, unë ua evidentoj në matjet antropometrike dhe në cilësitë fizike të cilat ne i zhvillojmë dy herë në vit. Gjithashtu ata e vënë re këtë gjë, edhe në zhvillimin e ushtrimeve të ndryshme të cilat zhvillohen më me lehtësi. Tek vajzat vihet re edhe në bukurinë fizike e cila është e rëndësishme për ato. Një pikë shumë e rëndësishme është loja, dhe lojën në orën e edukimit fizik, e kanë parësore.

Çfarë mjetesh përdorni ju për ta bërë këtë orë mësimi më interesante?

Në kushtet që punojmë, mjetet nuk janë në nivelin e duhur. Kemi mungesa të ndryshme të mjeteve, por siç egziston një shprehje: “Nëse do të stërvitesh, mjafton 1 m2 ” , ndaj ora e edukimit fizik, bukurinë e saj e ka në organizimin e orës së mësimit dhe mjetet shpesh herë i kemi zëvëndësuar me ushtrime të ndryshme, lojëra të ndryshme.

A keni ambiente të përshtatshme në shkollë për zhvillimin e kësaj ore mësimi?

Orën e edukimit fizik e zhvillojmë në palestrën e shkollës e cila ka kushte të mira dhe na krijon mundësinë e zhvillimit të një ore mësimore normale. Gjithashtu, shfrytëzojmë edhe ambientet e jashtme të shkollës.

A keni nxënës të cilët bëjnë ushtrime fizike në shtëpi, apo që shkojnë në palestër?

Natyrisht që kemi nxënës që gjatë kohës së tyre të lirë ushtrojnë aktivitet fizik. Kemi nxënës të përfshirë në skuadra të ndryshme futbolli, basketbolli, noti, gjimnastike, tenis, grupe aerobie.

Si mendoni ju, obeziteti a shkaktohet nga mungesa e ushtrimit të aktivitetit fizik?

Obeziteti është një patologji e cila shkaktohet nga jeta sedentare dhe nga mënyra e të kequshqyerit. Unë kam bërë një studim të vogël me nxënësit e mi, ku jam munduar të kuptoj mënyrën se si ata ushqehen, të kuptoj se si ata e organizojnë kohën e lirë etj. dhe kam arritur në rezultatin se fëmijët që kanë probleme me obezitetin janë fëmijë që frekuentojnë fast-food, fëmijë që nuk ushqehen në mënyrën e duhur dhe pa aktivitet fizik. Pra mungesa e një aktiviteti të rregullt fizik është një ndër shkaktarët e sëmundjes së obezitetit. Ne si staf, kemi vënë re në këto dy vite se edukimi fizik i zhvilluar në tre orë javore ka ndikim të madh në uljen e obezitetit.

Unë mundohem shumë t’ju jap informacion për mënyrat e të ushqyerit, për mënyrën se si duhet ta shtojnë aktivitetin jashtë shkollës, mundohem shumë të hyj, të kuptoj problemet psikologjike të këtyre fëmijëve. Zakonisht obeziteti, shoqërohet edhe me probleme sociale si familjare edhe në shoqëri. Tek ne, këta fëmijë, gjejnë mbështetjen jo vetëm për përgatitjen fizike por edhe mbështetje psikologjike.

A mund të na thoni cili është sporti më i pëlqyer për nxënësit tuaj?

Sporti më i pëlqyer është  futbolli. Kjo vihet re, sepse jo vetëm pjesa më e madhe e nxënësve aktivizohet në kohën jashtë shkolllore me futboll, por është sporti që kërkohet të aplikohet më tepër në shkollë. Gjithashtu edhe volejbolli, është një sport i pëlqyer sidomos nga vajzat.

Gjithashtu edhe basketbolli, aerobia janë sporte të pëlqyera.

Në shkollën tonë kemi një kampion në garat e notit. Dëshira jonë është që këta fëmijë t’i aplikojnë këto sporte dhe ne i ndihmojmë në pasionet e tyre.

Çfarë  ju këshilloni ju nxënësve tuaj?

Nxënësit e mi mundohem t’i këshilloj, t’i edukoj, që përgatitja fizike duhet të zërë një vend të rëndësishëm në jetën e tyre. “Sporti është jetë”.

Ka nxënës që kanë probleme dhe jo me kënaqësi afrohen ose nuk motivohen lehtë, por unë psh jam munduar ta lidh edukimin fizik dhe me bukurinë fizike dhe me shkarkimin e sresit. Më kujtohet një rast kur një klasë del pas një provimi te rëndësishëm e të gjithë ishin të stresuar dikush i kish sytë me lot….atëherë mendova çfarëmë mirë së një ushtrim aerobik i bën ta harrojnë këtë orë të lodhshme.

Vetë, si administratore në provimin e shtetit, eksperimentova disa ushtrime të thjeshta me frymëmarrjen dhe arrita në përfundimin se nxënësit të cilat këto ushtrime i realizuan me dëshirë e përqëndrim, arritën një qetësi mendore, larguan frikën, ankthin dhe e pritën me tjetër entuziazëm momentin e fillimit të provimit.

Ndaj, do të propozoja që mësuesi i edukimit fizik, të jetë prezent gjatë këtyre momenteve, prania e tyre do të jepte një ndihmesë të veçantë.

Cila është motoja juaj?

Unë personalisht mendoj se një mendje e shëndetshme jeton në një trup të shëndetshëm.

Aktiviteti fizik duhet bërë pjesë e jetës. Kjo duhet të hyjë në edukatën e çdo familje. Fëmijët që në moshë të hershme duhet të edukohen nga prindërit, të ambientohen me parqet, me ambientet sportive dhe duhet të mbahen sa më larg lojërave elektronike.  

(Albina Hoxhaj)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Mblidhet matura e vitit ’66, në apel mungojnë 18 “nxënës”

Next Article

Si të identifikoni stilin tuaj personal të mësimdhënies

Related Posts