Majlinda Kelmendi merr medaljen e artë në xhudo

Kosova merr pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike dhe rrëmben medalje të artë në xhudo. Ishte sportistja nga Peja Majlinda Kelmendi e cila mori medaljen e artë në xhudo. E emocionuar, xhudistja nuk i ka mbajtur dot lotët…

Momente emocionuese të mbushur me gëzim dhe me lot. Ngritja e flamurit të Kosovës në vendin e parë në një garë olimpike ka prekur miliona shqiptarë, të cilët pas fitores së Majlinda Kelmendit në sportin e xhudos janë mbushur me krenari.

Kosova merr pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike dhe rrëmben medalje të artë në xhudo. Ishte sportistja nga Peja Majlinda Kelmendi e cila mori medaljen e artë në xhudo. E emocionuar, xhudistja nuk i ka mbajtur dot lotët teksa ka marrë medaljen e artë në Olimpiadën e Rios, pasi mposhti me sukses 4 kundërshtare.

Xhudistja mposhti fillimisht zviceranen Evelyne Tschopp pas vetëm 25 sekondash. Presioni ishte i madh, por Majlinda tejkaloi rivalen me një manovër klasi që i dha suksesin me ‘ippon’.

Fati i vendosi Kelmendit në çerek finale garuesen nga ishujt Mauritius, Kristan Lezhontil, xhudiste që kishte mundur shqiptaren e Kosovës 4 vjet më parë në Londër.

Majlinda sërish hasi në probleme të mëdha ndaj kundërshtares, por përfitoi nga penalitetet në dëm të Lezhontil për të kaluar më tej. Programi i Lojërave e vendosi më pas në gjysmëfinale ndaj japonezes Nakamura, me triumfin sërish në favor të Kelmendit.

Në finale në përballjen ndaj italianes Odet Xhufredi, Kelmendi siguroi të artën e parë, duke festuar mes lotëve hapjen e një kapitulli të ri e të suksesshëm të Kosovës në Olimpiadë.

Shumë urime kanë ardhur në drejtim të Kelmendit nga shqiptarët e shpërndarë anëkënd globit, të cilët kanë përdorur rrjetet sociale për të shprehur gëzimin dhe emocionin e tyre për këtë sukses.

Medalja e artë e Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike “Rio 2016” në xhudo për kategorinë 52 kilogramë është pasqyruar në mediat kryesore botërore.

Mediat shkruajnë për fitoren e Kosovës

BBC shkruan se: “Është historike për Kosovën! Majlinda Kelmendi fiton medaljen e parë olimpike, dhe është e artë”. BBC ka postuar një fotografi të Majlindës duke shkruar: “Ai momenti kur fiton medaljen e parë të shtetit”

“Xhudo: Kelmendi siguron që të bëhet medalistja e parë e Kosovës”, është titulli i “Reuters”.

Ndërsa “The Guardian”, shkruan se: “Majlinda Kelmendi ia ka fituar Kosovës medaljen e parë të artë”

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Motoja e Bashkisë Tiranë: “Çdo ditë një shkollë!”

Next Article

Lëkura e mollës përmban substanca kundër plakjes

Related Posts