MA. Naim Sinani: Historiku i krijimit të Gjuhës standarde dhe veçoritë tipologjike të saj

Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar (gjuha standarde), si varianti më i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar, ka qenë një proces i gjatë, që ka filluar që në shekujt XVI-XVIII, por përpunimi i saj hyri në një periudhë të re, në shekullin XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare.

Figurat kryesore të kësaj periudhe e çmonin gjuhën si një dallojë kryesore të kombit shqiptar, si hallkë themelore të bashkimit të tij dhe si mjet më të rëndësishëm të shprehjes e të zhvillimit të kulturës kombëtare. Rilindësit njësimin e gjuhës e konsideronin si një detyrë që duhet realizuar sa më parë.

Ja si shprehet Sami Frashëri në një letër dërguar De Radës:”nukë me gjuhëra shumë, por vetëm me gjuhën shqipe të pandame e të njejtë, sikundrë duhet të jetë edhe Shqipëria, se shumë gjuhë e shumë dialekte sjellin ndarje e mërgim.Vërtetë sot kemi disa dialekte, por këto nuk janë të huaja njëra nga tjetra.(Prof,Dr A.Jashari dhe Prof .dr. B.Kryeziu.2002)

Në vitin 1824 Naum Veqilharxhi filloi punën për të krijuar alfabetin shqip dhe në vitin 1844 dhe 1845 u botua “Evetar”-i. Vaqilharxhi ishte i pari qe shprehu qellimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare nëpërmjet traktatit të tij, parathënies së “Evetar”-it të parë dhe shumë shkrimeve të tjera. 

Në programin e Rilindjes, mësimi dhe lëvrimi i gjuhës amtare, përpjekjet për pasurimin e saj dhe pastrimin nga fjalët e huaja dhe të panevojshme, zinin një vend qëndror. Gjatë kësaj periudhe, u zhvillua një veprimtari e gjerë letrare, kulturore, gjuhësore.

Në vitin 1879, u krijua “Shoqata e të shtypurit shkronja shqip”, që i dha një shtysë të re kësaj veprimtarie. U hartuan gramatikat e para me synime normative dhe u bë hapi i parë për hartimin e një fjalori kombëtar i gjuhës shqipe, që është “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i Kostandin Kristoforidhit, i botuar pas vdekjes së autorit, më1904. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, u arrit të përvijoheshin dy variante letrare të kombit shqiptar, varianti letrar jugor dhe varianti letrar verior. 

U bënë gjithashtu, përpjekje për afrimin e këtyre varianteve dhe për njësimin e gjuhës letrare. Detyra e parë që duhej zgjedhur, ishte njësimi i alfabetit. Deri atëhere, shqipja ishte shkruar në disa alfabete: alfabeti latin, alfabeti grek, alfabeti turko-arab dhe alfabete të veçanta. Këtë detyrë e zgjidhi Kongresi i Manastirit, i mbledhur më 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, në qytetin e Manastirit, që sot ndodhet në Maqedoni. (Bahri Beci,Gjuha shqipe 9,2010).

Në këtë Kongres, pas shumë diskutimesh, u vendos që të përdoret një alfabet i ri, i mbështetur tërësisht në alfabetin latin, i plotësuar me nëntë digrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh), dhe me dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë), është alfabeti që ka edhe sot në përdorim gjuha shqipe. Kongresi e la të lirë edhe përdorimin e alfabetit të Stambollit, që kishte mjaft përhapje, por koha ja lëshoi vendin alfabetit të ri, që u paraqit në Kongres, pra alfabetit të sotëm. Një hap tjetër për njësimin e gjuhës letrare shqipe, bëri “Komisioni letrar shqip”, që u mblodh në Shkodër në vitin 1916. Komisioni nënvizoi si detyrë themelore lëvrimin e gjuhës letrare shqipe dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. 

Ky komision gjuhëtarësh e shkrimtarësh, krijuar për të ndihmuar në formimin e një gjuhe letrare të përbashkët përmes afrimit të dy varianteve letrare në përdorim, vlerësoi variantin letrar të mesëm, si një urë në mes toskërishtes dhe gegërishtes dhe përcaktoi disa rregulla për drejtshkrimin e tij, të cilat ndikuan në njësimin e shqipes së shkruar.

Vendimet e Komisionit letrar shqip për gjuhën letrare e për drejtshkrimin e saj, u miratuan më vonë edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920) dhe vijuan te zbatoheshin deri në Luftën e Dytë Botërore.

Pas Luftës së dytë Botërore, puna për njësimin e gjuhës letrare kombëtare (gjuhës standarde) dhe të drejtshkrimit të saj, nisi te organizohet nga Instituti i Shkencave. U krijuan komisione të posaçme për hartimin e projekteve të drejtshkrimit. 

Kështu, u hartuan disa projekte në vitet 1948, 1951, 1953 e 1956. U organizuan gjithashtu, dy konferenca shkencore në vitin 1952, për të diskutuar për problemin e gjuhës letrare.

Më 1967, u botua nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, projekti i ri “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Ky projekt filloi të zbatohet në të gjithë hapësirën shqiptare, në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë dhe në Mal të Zi. 

Ndërkohë, perpjekje për njesimin e gjuhës letrare dhe të drejtshkrimit të saj, bëheshin edhe në Kosovë.

Në vitin 1968, u mblodh Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e cila, e udhëhequr nga parimi “një komb-një gjuhë letrare”, vendosi që projekti i ortografisë i vitit 1968, posa të miratohej e të merrte formën zyrtare në Republikën e Shqipërisë, do të zbatohej edhe në Kosovë. Vendimet e kësaj Konsulte kanë qenë me rëndësi të jashtëzakonshme për njesimin e gjuhës letrare kombëtareshqipe.

Projekti “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes “ i vitit 1967, pas një diskutimi publik, ai u paraqit për diskutim në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes, qe u mblodh në Tiranë, në vitin 1972, i cili ka hyrë në historinë e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, si Kongresi i njësimit të gjuhës letrare kombëtare.

Kongresi i Drejtshkrimit të Shqipes, në të cilin morën pjesë delegatë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi dhe nga arbëreshët e Italisë, pasi analizoi të gjithë punën e bërë deri atëhere për njësimin e gjuhës letrare, miratoi një rezolutë, në të cilën përveç të tjerash, pohohet se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”.

Gjuha letrare kombëtare e njësuar (gjuha standarde), mbështetej kryesisht në variantin letrar të jugut, sidomos në sistemin fonetik por në të janë integruar edhe elemente të variantit letrar të veriut.

Pas Kongresit të Drejtshkrimit, janë botuar një varg vepra të rëndësishme, që kodifikojnë normat e gjuhës standarte, sic janë “Drejtshkrimi i gjuhes shqipe” (1973), “Fjalori i gjuhës së sotme letrare (1980), Fjalori i shqipes së sotme (1984), Fjalori Drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), Gramatika e gjuhës së sotme shqipe I, Morfologjia (1995). 

Veçori tipologjike të shqipes së sotme standarde

Nga ana strukturore, paraqitet sot si një gjuhë sintetiko-analitike, me një mbizotërim të tipareve sintetike dhe me një prirje drejt analitizmit. 

Një pjesë e mirë e tipareve të saj fonetike dhe gramatikore, janë të trashëguara nga një periudhë e lashtë indoevropiane, një pjesë tjeter janë zhvillime te mëvonshme. Shqipja ka sot një sistem fonologjik të vetin, që përbëhet nga shtatë fonema zanore dhe 29 fonema bashkëtingëllore. Shkruhet me alfabet latin të caktuar në vitin 1908 nëKongresineManastirit.

Alfabeti i shqipes ka 36 shkronja, nga të cilat 25 janë të thjeshta (a, b, c, d, e, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o, p, q, r, s, t, u, v, x, y, z), 9 janë bigrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe 2 me shkronja diakritike (ë, ç).. (Htp,ballkan web.com).

Shqipja ka theks intensiteti dhe përgjithësisht të palëvizshëm gjate fleksionit. Në shumicën e rasteve, sidomos në sistemin emëror, theksi bie në rrokjen e parafundit. Shqipja ka një sistem të zhvilluar (të pasur) formash gramatikore, ka një sistem lakimi binar: lakimin e shquar dhe të pashquar, ruan ende mirë format rasore (ka pesë rasa), sistemin prej tri gjinish (mashkullore, femërore dhe asnjanëse), kjo e fundit po shkon drejt zhdukjes, mbahet vetëm në një kategori të veçantë emrash foljorë, të tipit: të shkruarit, të menduarit, etj.

Sistemi emëror ka trajtë të shquar dhe të pashquar dhe për pasojë, edhe lakim të shquar e të pashquar; nyja shquese është e prapavendosur si në rumanisht dhe në bullgarisht; ka nyje të përparme te emrat në rasen gjinore (i, e malit) dhe te mbiemrat e nyjshëm (i mirë, i vogël, etj)., te emrat asnjanës të tipit të folurit, etj. Përvec fleksionit me mbaresa të veçanta, shqipja njeh edhe fleksionin e brendshëm (dash ~ desh, marr ~ merr); ka dy tipe strukturorë mbiemrash të ngjashëm (i madh, i ndershëm) dhe të panyjshem (trim, besnik). Te numërorët përdor kryesisht sistemin decimal (dhjetë, tridhjetë, pesëdhjetë), por ruan edhe sistemin vigezimal (njëzet, dyzet); numërorët e përberë nga 11-19, formohen duke vënë numrin e njësheve përpara, parafjalën mbë dhe pastaj dhjetshet (njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë, etj) si në rumanisht dhe në gjuhët sllave.

Sistemi foljor paraqitet mjaft i larmishem. Shqipja ka një sistem të pasur formash mënyrore dhe kohore, një pjesë të e cilave janë të trashëguara nga një periudhë e hershme, një pjesë janë kryer gjatë evolucionit të saj historik. Folja ka gjashtë mënyra; (dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore, urdhërore) dhe tri forma të pashtjelluara (pjesore, paskajore dhe përcjellore). Koha e ardhme ndërtohet në mënyre analitike, me dy forma: me do (forma e foljes dua) + lidhore (do të punoj) dhe me foljen ndihmëse kam + paskajore (kam për të punuar).

Rendi i fjalëve në fjali është përgjithësisht i lirë, por më i zakonshem është rendi subjekt+verb+objekt.

Leksiku i gjuhës shqipe përbëhet prej disa shtresash. Një shtresë të veçantë përbëjnë fjalët me burim vendas, të trashëguar nga një periudhë e lashtë indoevropiane (ditë, natë, dimër, motër, jani, etj.), ose të formuara më vonë, me mjete të shqipes (ditor, dimëror, i përnatshëm).

Një shtresë tjetër, përbëjnë fjalët e huazuara nga gjuhë të tjera, si pasojë e kontakteve të popullit shqiptar me popuj të tjerë gjatë shekujve. Fjalët e huazuara kanë hyrë nga greqishtja, greqishtja e vjetër dh e re, nga latinishtja dhe gjuhët romane, nga sllavishtja dhe nga turqishtja.

Shqipja, me gjithë huazimet e shumta, ka ruajtur origjinalitetin e saj, si gjuhë e veçantë indoevropiane.

Shqipja flitet sot nga më se gjashtë milionë vetë në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë, në viset shqiptare të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë jugore, si dhe në viset e Çamërisë në Greqi. Shqipja flitet gjithashtu, në ngulimet shqiptare në Itali, në Greqi, në Bullgari, në Ukrainë, si dhe në shqiptarë të mërguar në viset e ndryshme të botës para Luftës së Dytë Botërore dhe në këtë dhjetëvjeçarin e fundit.

Gjuha shqipe mësohet dhe studiohet në disa universitete dhe qendra albanologjike në botë, si në Paris, Romë, Napoli, Kozencë, Palermo, Shën Pjetërburg (Leningrad), Pekin, Mynhen, Bukuresht, Selanik, Sofje, etj.

Burimet:

 1. Dr, Bahri Beci, Gjuha shqipe 9, Pejë, 2009

 2. Htp.ballkanweb.com

 3. Dr.Ali Jashari& Dr.Bahtijar Kryeziu, Gjuha amtare, Prishtinë, 2002

MA. Naim Sinani

N. Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Dita Botërore e të Drejtave të Fëmijëve, 20 nëntori i ndërgjegjësimit universal për të vegjëlit tanë

Next Article

Enxhi Kamxhiu, nxënësja e talentuar në art dhe në shkencë

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427