“Lindur së prapthi”, Rita Petro i rrëfen të gjitha për “lindjen” e re

Në këtë intervistë Rita Petro rrëfen shumëçka për prozën “Lindur së prapthi” po me të njëjtin emocion që e ka shkruar.


“Dobësia që ndien gjinia mashkullore ndaj madhështisë së Zotit, e bën atë të luftojë për dominim ndaj gjinisë femërore. Por vjen një moment, kur të gjitha këto adhurime rrëzohen para aktit të madhërishëm të dashurisë, të seksualitetit. Në roman është një pasazh, kur vajza nuk e kërkon më fytyrën e Zotit as te babai, as tek Udhëheqësi i madh, po fytyrën e tij ajo e ka mes gjinjve të saj”, 
ky është një nga rrëfimet që gruaja guximtare e letrave shqipe, Rita Petro, ka thënë gjatë intervistës së dhënë për Portalin Shkollor. 

Rita Petro rrëfen shumëçka për prozën “Lindur së prapthi” po me të njëjtin emocion që e ka shkruar. 

“Lindur së prapthi” dhe të gjithë janë bërë kureshtarë në fakt për këtë “lindje”, që ndryshe nga herët e tjera vjen në prozë dhe jo në poezi. Pse e ndryshoi Rita “lindjen”? Dhe pse lindja nuk u bë në “shtëpinë tuaj”?

Kishte shumë kohë që më rrinte në mendje tema e të lindurit së prapthi, po sigurisht në mënyrë figurative. Por edhe reale. Kur njerëzit e familjes e kuptojnë që je ndryshe, ta përsëritin si lajtmotiv gjithë jetën. Dhe kjo gjë sa ndikon për keq, aq ndikon edhe për mirë, sidomos kur rebelon. 

E vërtetë është që ndërrova shtëpi. Më pëlqeu shumë pyetja juaj analogjike: lindje-shtëpi. Ika nga Albas si autore, me qëllim që të merrja kënaqësinë si autore nga një shtëpi po aq prestigjioze, si Onufri. Dhe gjithashtu, si drejtoreshë e botimeve, kam përgjegjësinë të kujdesem për autorët e mi. Kështu i binte të isha në konflikt interesi me ta.

Bashkëbisedimi intim me lexuesin nis që në rreshtat e parë të librit, sepse janë pikëtakimet me mendimet dhe kujtimet e fshehta që shumica e njerëzve i mban brenda vetes. A është vërtetë Rita e vogël në këtë libër, në fëmijërinë e hershme dhe adoleshencë, që pavarësisht sistemit të diktaturës, ishte e lirë brenda vetes dhe kjo liri është çelës në vetvete për atë që çdo njeri duhet të jetë?

Ky libër më ka dhënë emocione të jashtëzakonshme. Kam bashkëbiseduar gjatë me Ritën e vogël, kam qeshur dhe kam qarë me të. Sigurisht dhe me Ritën adoleshente. Unë vërtet kam pasur fat se kam jetuar në një familje që, përpos rregullave të ngurta të etikës apo të së përditshmes, nuk më ka penguar lirinë e mendimit dhe të imagjinatës.

Interesante shumë në roman është fakti se kohët kapërcehen…personazhi kryesor kalon sa në kohën e fëmijërisë, në atë të rritur. Takohet me njerëzit e të shkuarës dhe të tashmes, në të njëjtën kohë. Takohet me absurdet e atëhershme dhe të tanishme si nga fusha politike, sociale dhe ekzistencialiste. E të gjitha këto i bëjnë tërheqëse tregimet, sepse gjatë rrëfimit i lihet vend pritjes dhe lexuesi bëhet kureshtar… A ishte kjo zgjedhje e rastësishme për t’i sjellë kështu, apo e pate në kokë se çfarë do të shkruaje që në fillim? Çfarë të ka frymëzuar më shumë ndërkohë që shkruaje?

Unë fillimisht kam hedhur mbresat, kujtimet e fëmijërisë dhe të adoleshencës sime, që i përkasin periudhës së Shqipërisë diktatoriale. Dhe doja të shkruaja vetëm për kohën kur personazhi arrin pjekurinë e tij, pra moshën 18 vjeç, kur ndikimi nga bota e të rriturve nuk është më aq i fuqishëm mbi të. Por pasi hodha në letër këto kujtime siç më vinin në kokë, e kuptova se duhej një fill logjik t’i lidhte. Sepse shumë prej ngjarjeve ishin aq aktuale dhe për ditët e sotme. Por pasazhet e të sotmes nuk konkurrojnë dot me rrëfimet e të shkuarës, të cilat mbajnë peshën qendrore të romanit. Të gjitha personazhet e librit më kanë emocionuar, por më shumë miku im i ngushtë Iliri, që humbi jetën nga orteku i dëborës në stërvitjen ushtarake të dimrit, në kohën kur kjo tragjedi mund të ishte shmangur. Po udhëheqja e atëhershme kërkonte heronj, edhe pse nuk bëhej luftë. 

Pavarësisht mbartjes së kujtimeve nga fëmijëria, a e pate të vështirë të shkruaje sikur “sot” të ishte fëmijë, të futeshe në botën e një fëmije sërish, t’i jepje filtrat që artistikisht romani duhet të marrë? Pra, si i zgjodhe filtrat artistikë të të shkruarit?

Shiko kur shkruan kujtime dhe fillon mendon për ato, të vjen një lum i madh prej tyre. Problemi është si t’i seleksionosh kujtimet, si t’i vendosësh në qëllim të rrëfimit tënd. Jo çdo kujtim vlen për romanin. Unë kisha idetë e mia në kokë, si dhe qëllimet që të nxirrja të gjitha fenomenet negative të diktaturës përmes syrit të fëmijës, përmes mendimeve të fëmijës dhe adoleshentes. Sa herë e kapja veten se po i përpunoja mendimet nga këndvështrimi i sotëm, i fshija ata paragrafë. 

Raporti me të afërmit, babanë, nënën, gjyshen, motrën, kushërinjtë, komshinjtë, shokët, shoqet, jepet kaq i gjallë në këtë roman; ka algoritëm, je e drejtpërdrejtë, pa sforcime, ka doza aq të larta humori. Të erdhi natyrshëm apo e kërkove humorin?

Absolutisht natyrshëm. Se kështu është dhe jeta. Edhe në vdekje, edhe në vështirësi, humori është i pranishëm aty. Humori ta lehtëson jetën. 

Rita Petro provokon sërish: Babi Zot, shpëtimtar, thua në “Lindur së prapthi”. Pse e kërkon Zotin te Babai, te babai, tek Udhëheqësi i Madh? Dhe pastaj i harron të dy.

Në çdo vepër timen poetike janë të gjithë këta burra që shenjojnë jetën tonë. Kërkimi i Zotit te babai, tek Udhëheqësi i Madh nga një fëmijë ka qenë i imponuar dhe mendoj se edhe sot vazhdon të jetë i tillë. Dobësia që ndien gjinia mashkullore ndaj madhështisë së Zotit, e bën atë të luftojë për dominim ndaj gjinisë femërore. Por vjen një moment, kur të gjitha këto adhurime rrëzohen para aktit të madhërishëm të dashurisë, të seksualitetit. Në roman është një pasazh, kur vajza nuk e kërkon më fytyrën e Zotit as te babai, as tek Udhëheqësi i madh, po fytyrën e tij ajo e ka mes gjinjve të saj. 

Ke guxuar që në roman të përfshish edhe ata që mbase nuk do ta duan ta pranojnë veten e tyre aty. A është dhe ky një tjetër provokim së prapthi si shkrimtare?

Shiko, rrethi im me të cilin kam jetuar unë është aq i vogël, në raport me rrethin e lexuesve. Unë nuk kam bërë autobiografi. Aty nuk ka emra realë, me ndonjë përjashtim të vogël. Kam dashur të nxjerr atë që është e përbashkët për të gjithë ne, mbresa e mendimet, të cilat si palimpsest na shtresëzohen në tru. Mendoj se kush është mendjehapur, do ta pranojë këtë provokim. Sepse, në fund të fundit, është një provokim që çliron. Pastaj dhe diçka. Shumë prej nesh mund ta kemi kollaj të gënjejmë të tjerët, por veten nuk e gënjejmë dot. E pamundur t’i shpëtosh vetes. Ndaj nëse jemi të hapur me veten, nuk do na frikësojë absolutisht më opinioni i të tjerëve për ne.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Që leximi të mos kthehet në "ankth", "stres" apo në një veprim "të urryer". Reflektime nga Evans Drishti

Next Article

Që leximi të mos kthehet në "ankth”, “stres” apo në një veprim “të urryer”. Reflektime nga Evans Drishti

Related Posts