Libraria që shet libra në errësirë!

Një zinxhir librarish në Australi e ka marrë seriozisht thënien “Mos e gjyko një libër nga kopertina”

Nxitja për të lexuar libra në këtë kohë kur teknologjia ka marrë një hov të jashtëzakonshëm, është një çështje që në mbarë botën konsiderohet si shumë e rëndësishme. Mbi të gjitha, të lexohet me cilësi. Ndodh rëndom, që libri të zgjidhet nga kopertina, duke e konsideruar këtë një nga gjestet “snobe” të lexuarit në ditët e sotme, për ata që ndjekin çdolloj mode.

– Por si mund të veprohet për të nxitur leximin e vërtetë dhe të dëshiruar?

Këtë e ka menduar një zinxhir librarish në Australi, që quhet “Elizabeth’s Bookshop”. Në këto librari të pavarura australiane gjendet një raft, në të cilin janë ekspozuar libra të paketuar me një letër ngjyrë kafe. Në këtë mënyrë, klientët nuk mund ta dinë titullin, autorin dhe as mund ta shohin kopertinën. Mbi letrën e paketimit janë shkruar fjalë kyç, fraza të shkurtra, togfjalësha ose mbiemra që përshkruajnë librin dhe që nxitin kuriozitetin e lexuesit. Projekti quhet “Blind date with a book”, që në shqip do të thotë “Takim në errësirë me librin”. Projekti është ideuar nga rrjeti i librarive “Elizabeth’s Bookshop” në Nju-Taun, në periferi të Sidneit.

Melanie Prosser, drejtoresha e librarisë së Nju-Taunit, është shprehur në një intervistë në gazetën australiane “Daily Telegraph”, që projekti nisi për “të inkurajuar njerëzit që të dalin nga zona e tyre e rehatisë letrare” dhe për të ndalur gjykimin e zgjedhjes së librave vetëm nga kopertina. Përveç reklamës, ideja ka qenë e suksesshme edhe në aspektin financiar. Ka pasur shumë shitje, sidomos në periudha festash. Sipas Prosser, të zgjedhësh një libër në “errësirë” është një dhuratë shumë e bukur që të çliron nga çdo përgjegjësi”. Eksperimenti i librarisë së Nju-Taunit ka rezultuar pozitiv, e sot të gjitha libraritë e këtij rrjeti kanë një raft me libra të paketuar. Madje është hapur edhe faqja e internetit “Blind date with a book”, përveç një blogu në “Tumblr”, një profil në “Instagram” e një faqe “Facebook”, ku të jepet mundësia të blesh libra të paketuar (taksa e dërgimit është 10 dollarë) me mundësinë e pagesës në bitcoin, përveçse me pagesat tradicionale.

Librat për t’u paketuar zgjidhen nga stafi i librarive. Ata janë të të gjitha zhanreve; nga fantazi në triller, si klasikë, ashtu edhe bestseller bashkëkohorë. Blogu australian ka cituar se një prej librave përshkruhej në këtë mënyrë mbi paketim: roman debutues, i vlerësuar me shumë çmime, protesta politike në Lindjen e Mesme, moshë madhore, dhunë e shfrenuar. Ky libër ishte “Gjuetari i balonave” i Khaled Hossein-it. Në një video të ngarkuar në “You Tube”, me titull “That girl with books”- “Ajo vajza me libra”, bëhet fjalë për një libër të përshkruar si: një heroinë e ndjeshme, dashuri, klasik, vajzë e adoptuar dhe ky libër është “Mansfield park” – “Parku i Mansfieldit” i Jane Austen.

Ideja e “librave në errësirë” kohët e fundit është marrë dhe praktikuar edhe nga disa editore italiane, si nisma më industriale.

©Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Katër elemente kyçe në sistemin arsimor në Singapor

Next Article

Të gjithë jemi të ndryshëm, por jemi të barabartë

Related Posts