Në një intervistë për Portalin Shkollor, Dorina Rapti, përgjegjëse e sektorit të kualifikimit të mësuesve, IZHA, na tregon se tashmë mësuesit kanë mundësi që përmes moduleve të marrin më shumë se dy kredite. Intervistën ju ftojmë ta lexoni më poshtë.
Në një intervistë për Portalin Shkollor, Dorina Rapti informon se do ketë edhe më shumë kredite për ato module të cilat shtrihen në më shumë ditë dhe më shumë orë. Kjo i jep mundësi mësuesve të marrin më shumë kredite.
“Duke trajnuar mësues, i sigurojmë arsimit parauniversitar mësimdhënës më të denjë, më të informuar dhe më të përgatitur”- Dorina Rapti (përgjegjëse e sektorit të kualifikimit të mësuesve, IZHA)
Për pak muaj përfundojnë trajnimet mbi kurrikulën e re në mësimdhënie, të cilat zgjatën thuajse dy vite. A do të ketë më konkurs për të zhvilluar trajnime të tjera për mësuesit?
Le të sqarojmë termin sepse për trajnimet nuk ka konkurs, por ka akreditim, që do të thotë procesi i tajnimit është i organizuar nga komisioni i akreditimit. Dhe agjensitë të cilat duan të ofrojnë trajnime mund të aplikojnë pranë këtij komisioni, për të akredituar modulet e tyre. Por, së pari, duhen identifikuar nevojat, pra i gjithë procesi vijon me identifikimin e nevojave që kanë mësuesit për trajnime, sidomos lidhur me zbatimin e “Kurrikulëssë re” dhe më pas shpallet interesi duke marrë miratimin nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë. Shpallet interesi lidhur me çështjet kryesore dhe ato tematika të mëdha, për të cilat mësuesit kanë nevojë lidhur me organizimin e trajnimeve. Më pas, agjensi të ndryshme mund të aplikojnë dhe në rast se do jenë të kualifikuar sigurisht që do e fitojnë të drejtën për të organizuar trajnimet. Në fakt, pjesa më e madhe e trajnimeve mbështetet nga Agjensia eSigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, e cila organizon trajnimet për mësuesit e arsimit parauniversitar, veçanërisht në kuadër të reformës së kurrikulës me kompetenca, që është një qasje e re, është një reformë e re dhe për të gjitha dokumentat që ne prodhojmë, sigurisht që trajnojmë edhe mësuesit dhe peshën më të madhe të trajnimeve e mban kjo agjensi, por edhe agjensi të tjera të cilat janë të akredituara dhe veçanërisht Universitetet.
Cilido të jetë roli i universiteteve kësaj radhe për sa i përket ofrimit të trajnimeve?
Përveç agjensive “të vogla”, të cilat kanë akredituar modulet e tyre, fakultetet e edukimit luajnë një rol shumë të rëndësishëm,duke ofruar trajnime për fushat e tyre, psh Qendra e Shkencave Sociale, Qendra e Shkencave të Natyrës, Fakultet e Edukimit të Arsimit Fillor. Të gjitha këto fakultetet mund të ofrojnë trajnime dhe kësaj radhe do i jepet një peshë më e madhe.
Në bazë të cilave kritere do të përzgjidhen agjensitë e trajnimeve?
Kriteret i kemi të përcaktuara në Udhëzimin për zhvillimin profesional. Udhëzimi është miratuar nga ministri. Në udhëzim përcaktohet sesi një agjensi aplikon. Ato duhet të kenë statusin e tyre, të ofrojnë mbështjetje për mësuesit e arsimit parauniversitar dhe më pas aplikojnë në bazë të gjitha formateve dhe modeleve që ne kemi paraqitur në udhëzim. Ne nuk akreditojmë agjensi, ne akreditojmë modulin. E gjithë procedura lidhet me cilësinë e modulit dhe me modulin. Agjensia duhet të ketë pa diskutim atë legjislacionin e vet mbi të cilin është ngritur dhe që funksionon në fushën e arsimit, pra kjo është një pjesë legjislative, të cilën ne e shikojmë nga ana juridike, nëse i përmbush apo jo kriteret. Më tej, lidhur me vlerësimin e modulit sigurisht që ka një grup vlerësuesish të cilët merren me cilësinë, përmbajtjen nëse është në përputhje me ato interesa, tematika që ne kemi shprehur.
Po procedurat e regjistrimit të mësuesve, për të marrë pjesë në trajnime, do të jenë po të njejta?
Që prej dy vitesh është hapur portali i trajnimeve. Një portal që ka shumë rëndësi. Kjo ka qenë një risi. Në fillim aty regjistrohen të gjitha modulet e akredituara. Pasi përfundon procesi i akreditimit, vetë mësuesit mund të regjistrohen. Agjensitë që i ofrojnë këto module shpallin kalendarin e tyre, datat, vendin. Mësuesit nga ana tjetër kanë hapësirën e tyre. Shohin gjithë informacionet që u interesojnë. Shohin datën,agjensinë, trajnuesit, kreditet, orën, pra gjithçka është shumë transparente dhe e qartë. Kështu mund të aplikojë dhe të regjistrohet. Në momentin që e përfundon trajnimin, do të vlerësohen dhe rezultatet hidhen në portal.
A është ky portal i monitoruar? Nëse po, kush e monitoron?
Ky portal është i monitoruar nga grupet e “taskforce” të miratuara nga ministri i arsimit. Monitorohet portali dhe agjensitë. Pra, është një monitorim i vazhdueshëm i cilësisë dhe asaj që ofrohet nga agjensitë e trajnimit.
A do të ndryshojë diçka në përllogaritjen e krediteve?
Kreditet llogariten me orë. Një modul, mund të ketë orë të caktuara pune. Një kredit është 18 orë dhe kjo ështëe përcaktuar në udhëzim. Sipas legjislacionit, mësuesi ka të detyrueshme treditë trajnimi në vit. Këto tre ditë përkthehen në 18 orë. Por, kjo nuk e pengon mësuesin të zhvillojë më shumë ditë dhe rrjedhimisht orë trajnimi, sepse ai niset gjithnjë nga interesat dhe zhvillimi i tij profesional. Nëse ai do të zhvillohet më shumë profesionalisht, ai mund të bëjë më shumë orë dhe përkthehet në më shumë kredite. Modulet në përgjithësi janë me një apo dy kredite, sepse mësuesit duan ta përfundojnë më shpejt një modul dhe të nisin një modul tjetër. Por, do ketë edhe më shumë kredite për ato module të cilat shtrihen në më shumë ditë dhe më shumë orë. Kjo i jep mundësi mësuesve të marrin më shumë kredite. Kjo është vetë në dorën e agjensive që e ofrojnë këtë modul, nuk ka një urdhër që duhet të jetë me një apo dy kredite.
Bazuar edhe në trajnimet e kaluara a keni ngritur grupe pune për të kontrolluar cilësinë e këtyre trajnimeve? Cfarë mund të thoni për këtë pjesë?
Pjesa më e madhe e trajnimeve mbulohet nga institucioni jonë që ofron trajnime në mënyrë masive. Por edhe agjensitë, përsa kohë janë të akredituara, normalisht kanë një program që i përshtatet gjithë kësaj reforme. Në përgjithësi agjensitë kanë respektuar kriteret dhe kushtet. Ka pasur raste kur nuk janë respektuar dhe për këtë janë marrë masat e duhura nga grupet taskforc, me idenë për të përmirësuar gjërat dhe cilësinë e asaj që ne kërkojmë për mësuesit.
Përmes udhëzimeve të ndryshme, ministria e arsimit, i ka kushtuar shumë vëmendje zhvillimit profesional të mësuesit. Ndërkohë që mësuesit, shpesh e neglizhojnë si proces dhe më së shumti e kryejnë vetëm në kushtet e nevojës për të plotësuar dokumentat e nevojshme për provimin e kualifikimit. A mendoni se trajnimi është një domosdoshmëri për ta mbajtur në koherencë me të rejat më të fundit në fushën e mësimdhënies. Ҁfarë mesazhi mund t’u përcillni mësuesve në lidhje me këtë problematikë?
Mësuesit vetë kanë shprehur nevojat për të marrë trajnime në fusha të caktura, kështuqë nëse ata e kanë marrë shërbimin e duhur, u ka vlejtur për vijueshmërinë e procesit mësimor. Pra, mësuesi kërkon dhe merr atë trajnim, për të cilin ka nevojë. Të paktën kështu duhet të ndodhë. Nuk ka nevojë të shkojë nëpër ato module që ka qenë njëherë thjesht për të shtuar numrin e krediteve. Por, të shkojë dhe të ndjekë ato module për të cilat kërkon të zhvillohet profesionalisht. Mësuesit e rinj duhet me patjetër të jenë pjesë e trajnimve, sepse kjo është mënyra sesi ata mund të rrisin veten e tyre profesionalisht dhe të jenë të përgatitur përpara nxënësit. Për mësuesit me eksperiencë disa vjeçare, apo shumë vjeçare, trajnimet sërish janë një domosdoshmëri, sepse përmes tyre azhornojnë njohuritë. Udhëzimet ndryshojnë, kurrikulat githashtu. E gjitha kjo bëhet në të mirë të arsimit dhe mirë edukimittë brezave të rinj. Duke trajnuar mësues, i sigurojmë arsimit parauniversitar mësimdhënës më të denjë, më të informuar dhe më të përgatitur.
P. Shtini
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.