Kush e mbron mësuesin dhe figurën e tij?

Në punën e tyre të përditshme në shkollë mësuesit hasen me probleme nga më të ndryshmet. Por shpesh herë të gjendur ndoshta përballë padrejtësive atyre u vjen natyrshëm të pyesin: Kush e mbron mësuesin dhe figurën e tij? Shkrimi më poshtë kërkon të marrë përgjigjen e kësaj pyetje.

Më vjen shumë keq, por duhet ta pranojmë që figura e mësuesit sa vjen dhe ç’vlerësohet!  

Po të lexosh udhëzimet e fundit mësuesi ka vetëm detyra, përgjegjësi dhe shkresa.

Mësuesi duhet të jetë në formë dhe entuziastë!

Mësuesi duhet vetëm të jetë i qeshur. Madje edhe në rastin kur nxënësi t’i thotë me mos respekt – “S’më do qejfi të bej detyrat, të mësoj apo te vij në shkollë”!

Mësuesi duhet të jetë në humor edhe kur i tërheq vëmendjen nxënësit për mungesat e bëra, se  rrezikon të hyjë në 35%!

Mësuesi duhet të qëndrojë në klasë dhe nxënësi të bredh oborreve të shkollës dhe të mos ketë guximin të vendos mungesë sepse nxënësi e përjeton psikologjikisht!

Mësuesi nuk duhet t’i tërheq vëmendje nxënësit kur ai nuk ka dëshirë të dëgjojë mësimin, por ta lërë atë që të kthehet në shqetësim për shokët e klasës!

Mësuesi madje duhet të gjejë një zgjidhje që ta bëjë nxënësin të dojë mësimin dhe të frekuentojë shkollën.

Sakaq, po t’i tërheqim vëmendjen nxënësit situata referohet te psikologu, punonjësi social i ZVAP.

Nga ana tjetër, ku janë punonjësit social dhe psikologët që vetëm figurojnë nëpër shkolla sa për të thënë që janë, ndërkohë që bëjnë një punë të dytë. 

Mësuesi dhunohet psikologjikisht, diskriminohet me të drejtat që ja jep ligji, por edhe në këtë rast mësuesi është ai që duhet t’i gjunjëzohet nxënësit, drejtorit, prindit…që vetëm ata të mos shqetësohen.

Kërcënimet që merr mësuesi në institucionin e shkollës ku drejtuesi është prezent duke bërë iso kush i dënon? 

Jo vetëm që përgjigje për këtë nuk ka, por mësuesi nuk thërritet në emër, por diskriminohet teksa të tjerët, titullari dhe kolegët në këtë rast, e thërrasin në emrin e etnisë nga vjen. 

A nuk është ky një diskriminim? 

Ku e gjen guximin drejtori dhe kolegu të drejtohet me fjalët “çam”, “kosovar”, “çoban”, “romë”?! 

Duhet ta kishit mësuar se të gjithë jemi shtetas shqiptar me kombësi shqiptare…

Ku është Konventa e të Drejtave të Njeriut që të zbatohet në institucion lidhur me mësuesin? 

Më thoni pak, kur drejtuesi dhe kolegët për inat i bëjnë kurthe një mësuesi që ta heqin nga puna, a nuk quhet diskriminim? Po kur drejtuesi shet punonjësin e institucionit të tij duke përkrahur padrejtësisht familjarët a nuk quhet diskriminim? 

Çfarë doni të thoni se mësuesi s’ka ndjenja, nuk ka personalitet dhe dinjitet? Sipas jush mësuesi vetëm duhet t’ju dëgjojë, t’ju bindet, të urdhërohet dhe kështu të poshtërohet?! 

Të urdhërohet nga drejtori, nga kolegu, nga sanitarja nga roja, e mandej t’i urdhërohet nxënësit dhe prindit ?! 

Nuk mbaron me kaq…

Mësuesi nuk ka angazhime të tjera në jetën individuale pas orarit të punës…madje mësuesi nuk ka as familje, as fëmijë dhe detyrime shoqërore…!

Mësuesit i kujtohet çdo gjë sikur e vjedh…i kujtohet rroga, i kujtohen pushimet verore, i kujtohet edhe 7-Marsi! 

“Qejf bëni ju mësuesit!”- na thonë! 

Në fakt duhet ta dini se mësuesi e fillon ditën me shkumës, shkresa dhe e mbyll mbrëmjen me stilolaps dhe fletë. Mësuesi pasditen nuk e ka të tijën, pasi ai vazhdon punën: korrigjon, lexon, bënë ditarin… përpiqet të jetë i përfshirë edhe në ndonjë trajnim për të përmirësuar zhvillimin profesional të tij.

Por si fund çdo faj e ka mësuesi!

Kush po e mbron mësuesin?

Çdo ditë ndodhin çudira…

Jemi në një institucion ku pretendohet që vlerat njerëzore, qytetaria, të drejtat dhe liria duhet të jenë primare…por befas këto vlera shpeshherë nëpërkëmben nga eprorët që bërtasin korridoreve!

Kush i mbron mësuesit?

Drejtori?

Ka drejtues që e marrin përsipër detyrën sa për ego, sa për ta marr vesh bota që u ulën në një karrige drejtuese, ku në të vërtetë ai/ajo nuk ka as dëshirën më të vogël për të lexuar ndonjëherë udhëzimet që sjellë MASR, pa lëre të pranojnë ndonjë sugjerim për të mirën e punës… dhe kur përballen me pasojat ngrenë supet se nuk kanë një përgjigje! 

Ka drejtues që ende nuk e kanë mësuar që mësuesi i lëndës ka të drejtë të marr mungesa në orën e tij dhe që është kompetenti i orës, të verë në dijeni X nxënës për mungesat edhe t’i tërheq vëmendjen  padyshim në dobi të tij!

Në fakt në fakt kjo është detyra ligjore e psikologu dhe punonjësit social që të merret me braktisjen dhe me të nxënit duke bashkëpunuar me mësuesin e lëndës,kujdestarin edhe drejtorin. 

Kjo gjë lexohet qartë në udhëzimin 31 dt 28.01.2020, neni 29 pika 1, faqja 13.

Lexojeni drejtues dhe mësues, mbani dhe ndani përgjegjësit!  

Pra mësuesi edhe kur ka të drejtë nuk ka kujt t’i drejtohet…

Zëri i tij edhe pse me të drejtë, nuk pranohet të dëgjohet prej asnjërit, madje as nga institucionet ku paguhet.

Kush i mbron mësuesit? 

Në cilën pikë të udhëzimit të fundit flitet për mbrojtjen me fanatizëm për figurën e mësuesit?

A ka ndonjë pikë të fort që mbron personalitetin, dinjitetin, vlerat, titullin që mbart mbi supe mësuesi në rastet kur ka të drejtë dhe i bëhet padrejtësi?

Alkida Mehmetimësuese e lëndës Histori-Gjeografi-Qytetari, shkolla “Llazar Dashi”, Fier

N. Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Shqipja e përdorur në rrjete sociale, rasti i Facebook-ut

Next Article

Si t’ia bëj që fëmija im të lexojë?

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427