“Kur na thërret zëri hyjnor i natyrës”, ese nga nxënësja Viola Papa

“Eci çdo ditë mbi tokën pa moshë dhe hapat kërcasin mbi brinjët e saj të shkelura nga sa e sa breza. Ia dëgjoj klithmën e shpirtit që është jehona e gjithë klithmave të natyrës”, pak nga eseja e nxënëses Viola Papa, shkolla “Hasan Tahsini”, Sarandë. Eseja është përzgjedhur si fituese nga MAS për Ditën e Tokës.

Eci çdo ditë mbi tokën pa moshë dhe hapat kërcasin mbi brinjët e saj të shkelura nga sa e sa breza. Ia dëgjoj klithmën e shpirtit që është jehona e gjithë klithmave të natyrës. Duket si lutje e përvajshme për ndihmë: “Të lutem, më ndihmo, t’i bija e Qiellit dhe e Tokës! Ti bija e Diellit dhe e Hënës, ti bija e erërave dhe e sythave, ti bija e ujërave, nimfë burimesh, lumenjsh, detesh, oqeanesh, ngjizur nga ekzistenca ime, që në dejet e tu ke ADN-në time ‘Natyrë’, të lutem më ndihmo!!”

Ky zë gati hyjnor që më drejtohet, më bën të ndal hapat, të kthej kokën pas në shekujt e brezave të paraardhësve të mi dhe si në një film me xhiro të përshpejtuara, të gjitha peripecitë e të gjitha qenieve mbi tokë. Dhe në mendje më vijnë fjalët e Jacques-Yves Cousteau: Për pjesën më të madhe të historisë, njeriut i është dashur të luftojë natyrën për të mbijetuar; në këtë shekull ai ka filluar të kuptojë se, për të mbijetuar, ai duhet ta mbrojë atë. 

Natyra plotëson nevojat tona themelore të ekzistencës sonë duke siguruar ujë, tokë, ajër, diell, lule, pemë e gjithçka për të jetuar e vijuar trashëgiminë tonë njerëzore. Këto burime mund të përdoren për të krijuar komoditetin e një jetese të mirë. Fatkeqësisht, duke përdorur këto burime, njerëzit janë zhytur aq shumë te përdorimi për zbulime dhe inovacione të reja, saqë pothuajse kanë harruar rëndësinë e ruajtjes së tyre.

Si rezultat, shumë nga këto burime po shterojnë e po dëmtohen me shpejtësi. Me këtë ritëm të çmendur, ekzistenca e qenieve të tjera të gjalla në tokë dhe e vetë Natyrës me gjithçka të saj në bashkëjetesë normale me njerëzit, po bëhet e vështirë. Ashtu si dhe hakmarrja e saj përmes përmbytjeve, tërmeteve dhe ngrohjes globale, lëngimi dhe klithma për ndihmë që më shoqëron në çdo frymëmarrje, është alarmi për mbrojtjen e saj. 

Po çfarë e shpëton Nënën Natyrë dhe ne bijtë e saj për të parandaluar fatkeqësitë e mëtejshme e akoma më të mëdha? Dashuria për këtë Nënë – më thotë zëri im i brendshëm. Qëllimi i jetës sonë duhet të jetë të bashkëjetojmë në harmoni me natyrën. E pas kësaj, vijnë të gjitha me radhë. Mbrojtja e Nënës Natyrë duket si një mision i vështirë për shumë njerëz, duke marrë parasysh ky shqetësim global. Megjithatë, nuk është e pamundur dhe ajo që përbën ndryshimin është iniciativa, sado e vogël që të jetë ajo. Nëse duam të bëjmë ndryshime të mëdha, atëherë duhet të nisim me veprime të vogla.

I rëndësishëm dhe themelor është reduktimi, ripërdorimi dhe riciklimi, që do të thotë më pak mbeturina që shkojnë në natyrë dhe ruajtja e energjisë, burimeve natyrore dhe parandalimi i ndotjes. Po ashtu, duke reduktuar ndotjen e ajrit, ujit dhe duke kursyer energji, përfiton edhe mjedisi sepse zvogëlohen emetimet e gazeve serrë, të tilla si: dioksidi i karbonit, metani, oksidi i azotit etj., që kontribuojnë në ndryshimet klimatike globale.

Një aspekt i cili merr pak vëmendje për sa i përket kujdesit ndaj natyrës, janë blerjet. Çdokush duhet të zgjedhë me kujdes çfarë blen dhe të përpiqet të shmangë sa më shumë produktet plastike. Për më tepër, çdo konsumator duhet të marrë me vete qese shumëpërdorimshe. Kjo duket si një masë pa shumë peshë, por që mund të jetë ndihmë e madhe për uljen e ndotjes në natyrë. A e dimë se sa shekuj, sa energji e sa shpirt i duhen Nënës Natyrë për ta tretur me mund atë copëz qese plastike pa peshë, por përbindësh shkatërrues?! Ndërsa për ne, mjafton pakëz vullnet dhe dëshirë e mirë. 

Një tjetër ndihmë për Nënën Natyrë nga çdokush prej nesh, është puna vullnetare me shumë dashuri. Pastrimi i mjedisit në lagjen ose plazhin e qytetit ku jetojmë, mbjellja e një luleje apo peme në çdo kohë, mund të duket si një iniciativë e vogël, por me një kontribut të madh nëse ndërmerret nga të gjithë. Edhe hapat më të vegjël, por të bërë me dashuri të madhe, përbëjnë një ndryshim të jashtëzakonshëm në jetën e secilit në ndihmë të mbrojtjes së Natyrës. Pak investim nga koha jonë e lirë, është një e ardhme më e sigurt nesër.

Si përfundim, pas këtyre kontributeve të vogla të secilit, por të bëra me shpirt, kemi për të parë shpërblimin e Nënës Natyrë. Parajsa do të jetë nën këmbët dhe mbi kokat tona. Mos harroni se toka kënaqet kur ndjen këmbët tuaja zbathur dhe erërat dëshirojnë të luajnë me flokët tuaj – thotë Khalil Gibran. Klithma përvajtuese e Natyrës do të shndërrohet në melodinë më të bukur të saj duke i shtrirë duart drejt meje, bijës së saj. Dhe ashtu butë, ëmbël, dashurish, ndjej se më mbështjell me krahët e saj në përqafim, për të më dhënë frymë e flatra, për të vijuar bukur të ardhmen, bashkë me të Unë-Bija me Nënën Natyrë.

Shkruar nga Viola Papa, shkolla “Hasan Tahsini”, Sarandë

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Mbrojtja e mjedisit, projekt mbi rëndësinë e punimeve me materiale të riciklueshme

Next Article

Provimi i licencës 2023, lista e kandidatëve Gjuhë Frënge, Gjuhë Gjermane, Gjuhë Italiane

Related Posts