Uji është një ndër elementët e domosdoshëm në jetën e njeriut. Konsumi i ujit rekomandohet nga mjekët për të gjitha grupmoshat e veçanërisht në këtë stinë ku temperaturat janë shumë të larta. Por si duhet ta përzgjedhim ujin? Si të kuptojmë nëse uji që në konsumojmë është i shëndetshëm? Lexoni më poshtë disa faktorë të rëndësishëm të cilët duhen pasur kujdes kur blini ujin që konsumoni në familjet tuaja.
Ndryshimi kryesor mes llojeve të ujit qëndron tek e ashtuquajtura mbetja e thatë, që ndahen në këto kategori: uji mjaft i fortë mineral me mbetje të thatë 1.500 mg/l; uji mesatarisht mineral me mbetje të thatë më të madhe se 500 dhe më të vogël ose të barabartë me 1.500mg/l; uji oligomineral me mbetje të thatë më të madhe se 50 dhe më të vogël ose të barabartë me 500 mg/l dhe uji më pak i mineralizuar me mbetje të thatë më të vogël ose të barabartë me 50 mg/l. Një tjetër dallim mes tyre qëndron edhe te pasja ose jo e flluskave natyrale apo të gazuara.
Por çfarë është mbetja e thatë dhe përse është kaq e rëndësishme në zgjedhjen e ujit?
Bëhet fjalë për pjesën e thatë të krijuar nga kripërat minerale, të cilat mbeten në një litër ujë pas avullimit në të thatë në 180°. Sa më e lartë të jetë mbetja e thatë, aq më i “mineralizuar” është uji. Kështu që ata që kanë nevojë për kripëra minerale, sportistët, të rinjtë dhe të moshuarit duhet të preferojnë ujin e mineralizuar, ndërsa ata që kanë nevojë të stimulojnë diuresinë, të eliminojnë toksinat dhe të luftojnë problemin e mbajtjes së ujit, duhet të zgjedhin ujin oligomineral. Ndërkohë, uji mineral i pasur me kripëra lehtëson tretjen. Një tjetër e dhënë të cilën duhet të keni parasysh kur të blini ujë, është ajo e zonës nga ku ai merret (burimi). Duke lexuar etiketën ju mund të verifikoni zonën se nga vjen uji. Nëse është në mal, atëherë garantohet një natyralitet më i madh i tij, por nëse zona e burimit gjendet pranë industrive, zonave bujqësore apo urbane, atëherë pastërtia e ujit mund të vihet në dyshim.
Tek uji gjenden disa substanca kimike helmuese, të cilat nuk duhet të kalojnë kufirin në përmbajtjen e tij: nitritet, nitratet dhe arseniku. Sipas ligjit, kufiri i nitriteve në ujin mineral duhet të jetë 0.02 mg për një litër ujë. Për nitratet është 50 mg/l, ndërsa për arsenikun çështja është pak më e komplikuar. Ligji nuk i detyron prodhuesit që të vendosin praninë e tij në etiketën shoqëruese, sasia e të cilit duhet të jetë më pak se 10 mikrogramë për litër, kështu që siguria për cilësinë e ujit në këtë drejtim është tepër e vështirë për t’u arritur. Së fundmi janë edhe fluoridet, që nga një anë mund të ndihmojnë në parandalimin e prishjes së dhëmbëve, por, nga ana tjetër, nëse merren në sasi të larta (sidomos nga fëmijët dhe foshnjat) mund të sjellin efekte negative. Ndërkaq, uji në shishe mund të jetë i pa gazuar (nuk përmban dyoksid karboni) apo i gazuar në mënyrë natyrale (përmban dyoksid-karboni), që rrjedh nga i njëjti burim sikurse edhe uji. Po nëse në deklaratë shkruan “ujë mineral i gazuar” atëherë kuptohet se ujit i është shtuar CO2, që nuk rrjedh nga i njëjti burim sikurse edhe uji. Uji mineral i gazuar, posaçërisht ai me përmbajtje të lartë të dyoksid-karbonit, nuk sugjerohet për përdorim të përditshëm, sepse CO2 është një gaz tejet agresiv, i cili mund të dëmtojë shëndetin e atyre që e pinë vazhdimisht atë ujë dhe në sasi të madhe.
Studime të ndryshme kanë treguar se ambalazhi i xhamit është shumë më i mirë se ai i plastikës. Testet tregojnë se shishet e plastikës në përdorim të gjatë, lëshojnë në ujë acetaldehid, një substancë e dëmshme.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.