“Kryeveprat e Antikitetit” lexohen nga nxënësit e shkollës jo publike “Kristaq Rama”

Disa nga nxënësit e shkollës jo publike “Kristaq Rama” iu bashkuan klubit të librit Albas për të lexuar dhe komentuar mbi veprat Iliada, Odiseja, Eneida, bashkë me Anën, moderatoren e këtij klubi. Ndërkohë ju sjellim një intervistë për përshtypjet me mësuesen Arlinda Cekli.

Ju kujtojmë takimin tonë të së shtunës, ora 15:30. Këtë radhë, miushët lexues kanë përzgjedhur të lexojnë veprën e plotë klasike “Liza në Botën e Çudirave”.

Ju mirëpresim në mjediset e librarisë “Albas” në Tiranë!

Nxënësit e shkollës jo publike “Kristaq Rama” me mësuesen Arlinda Cekli iu bashkuan klubit të librit Albas për të lexuar: Iliada, Odiseja, Eniada. 

Ana Dede, moderatoria e klubit, lexoi dhe diskutoi tre librat e serisë “Kryeveprat e Antikitetit” në mjediset e librarisë Albas. Klubi vazhdon me takimet si pasojë e dëshirës së bukur që fëmijët kanë për t’u mbledhur së bashku dhe shfletuar botën e pasur të librit. 

  Letërsia antike greke u analizua përmes pyetjeve të ndërtuara nga Ana, për të nxitur kureshtjen dhe imagjinatën e fëmijëve të pranishëm në librari:

  • Në çfarë periudhe kohore u zhvilluan: Eneida, Iliada, Odiseja? 
  • Në çfarë vendi morën pjesë këto ngjarje?
  • Cilët ishin heronjtë dhe cilët ishin antagonistët sipas mendimit tuaj?
  • Kush ishin zotat më të famshëm?
  • Cili është miti dhe perëndia greke më e preferuar?

Pjesa e preferuar e Anës nga mitologjia greke ishte kthimi i Odisesë në shtëpi pas lufte dhe marrja pjesë në konkurs për fitimin e dorës së gruas së tij, Penelopës. Leximi i fragmenteve të preferuar të librave mirëpritet në çdo takim të librit nga fëmijët, të cilët nuk hezitojnë të analizojnë ngjarjet dhe situatat që u kanë lënë mbresa, ose u janë dukur qesharake. Nxënësit e shkollës jo publike “Kristaq Rama” treguan njëri pas tjetrit mitet e preferuara greke, si dhe zotat më të fortë për nga fuqia. U vu re dëshira e fëmijëve për të bërë një krahasim të zotave grekë me mitologjitë e tjera: romake, egjiptiane, nordike, duke dëshmuar përgatitjen e tyre në fushën historike dhe kulturore. 

Sakaq mësuesja e shkollës jopublike Kristaq Rama, Arlinda Cekli, gjatë një interviste dhënë për Portalin Shkollor, ka dhënë përshtypjet e saj mbi klubin e leximit që Albas ka krijuar. 

Ju keni qene dy herë e pranishme në takimet e klubit të leximit së bashku me nxënësit e klasave të gjashta dhe të shtata. Cilat janë disa nga përshtypjet tuaja mbi aktivitetin tonë të librit?

Gjithmonë kam dashur t’i përfshij fëmijët në rrjedhën e leximit të librave, edhe pse të them të drejtën nuk ka qenë e lehtë, sepse lexueshmëria te fëmijët po bie frikshëm në grupmosha të ndryshe, përgjithësisht e fëmijët të klasave të gjashta dhe të shtata. Kjo grupmoshë është bërë më e varur pas teknologjisë. 

Personalisht nuk jam kundra teknologjisë, por mendoj se po kalohet caku i përdorimit të telefonave nga fëmijë të cilët po harrojnë të lexojnë. Fëmijët që nuk lexojnë sistematikisht nuk po njohin fjalë të reja dhe për rrjedhojë nuk pasurojnë fjalorin, imagjinatën, intuitën, po harrojnë dhe nuk munden të shkruajnë prozë apo poezi, po harrojnë të shkruajnë fjalët të cilat po humbasin drejtshkrimin e kjo për mua apo për këdo është alarmante e ndaj duhet të bëhemi një zë të gjithë, për të ardhmen e fëmijëve tanë, që të lexojnë sa më shumë libra…

Nisma e shtëpisë botuese Albas “Klubi i leximit për fëmijë” është një nismë e jashtëzakonshme për fëmijët, për të përqafuar e për ti tërhequr sa më shumë drejt leximit…

Takimi dhe biseda me Anën, një vajzë për t’u marrë shembull dhe admiruar, më bëri të bëhesha pjesë e këtij klubi për nxënësit e shkollës jo publike “Kristaq Rama” ku unë punoj.

Librat e përzgjedhur për klubin e leximit janë pjesë e kurrikulave shkollore. A shikoni një ndryshim ose lirshmëri të nxënësve në analizat që bëjnë në mjediset shkollore dhe atyre që ndajnë këtu në librari? Si mendoni se gjenden nxënësit tuaj në këto dy raporte me librin?

Më kujtohet dita e parë që mora rrugën drejt klubit të leximit së bashku me nxënësit e mi. Ishte një takim mes lexuesve të vegjël dhe mendësia e tyre fëmijërore u shoqërua me plotë pyetje kureshtje e me një ndjesi të jashtëzakonshme dhe emocionuese.

Libri që ne lexuam dhe bashkëbiseduam me Anën (vajzën simpatike, që tashmë është bërë e preferuar ime, por edhe e bashkëmoshatarëve të saj) ishte libri  “Ana flokëkuqja”. Nxënësit lexuan dhe analizuan me anë të komenteve çdo sjellje të personazheve ku gjithsecili gjeti vetveten në të. E kështu fëmijët u bënë me një mikesh të re, me një histori të re dhe ajo ishte “Ana Shirli e miqtë e saj”.

Në takimin e dytë, ne bashkëbiseduam dhe komentuam me analizat fëmijërore rreth rrëfimeve magjike, që zakonisht tregojnë legjenda heronjsh dhe marrëdhëniet e tyre me perënditë, nga ku artistët e shumtë u frymëzuan të krijonin veprat e tyre. Ne u ndalëm kryesisht te këto mite si: Eneida, Odisea, Iliada, ku klasat e gjashta e të shtata lexuan fragmentet e përshtatura kaq bukur për fëmijë.

Bashkëbisedimi vinte natyrshëm, tërheqës dhe plot pasion. Të qenurit e rrethuar mes librash e të pasurit një bashkëmoshatarë përballë, që lexonte dhe në çdo koment të lexuar, për ta ishte një film që ata po e shijonin pa e kuptuar që ishin vetë protagonist të filmit.

Librat që u përzgjodhën janë pjesë e kurrikulave shkollore ndaj dhe meritat e kësaj nisme për “lexuesit e vegjël” unë e pashë që në takimin e parë, ndaj vazhdova ta ndiqja këtë klub dhe do vazhdojë serish ta ndjek sepse nxënësit shfaqen interes, lirshmëri, oratori, dhe madje kanë filluar dhe garat mes tyre, kush lexon më shumë libra që të bëhemi Ana, organizatorja e klubit. Nxënësit shfaqin dëshirë që të shkojnë më shpesh tek “Klubi i leximit” dhe kjo për mua është një kënaqësi shumë e madhe, dhe më bën të kuptoj qe jam në rrugën e duhur me nxënësit e mi.

Klubi është i krijuar nga fëmijët për fëmijët me dëshirën për t’iu qasur magjisë së librit. A mendoni se takime të këtij lloji kontribuojnë në krijimin e marrëdhënieve afatgjata të fëmijëve me botën e librit?

Çdo ditë nxënësit mbajnë në dorë libra që janë duke i lexuar dhe duan vazhdimisht të marrin mbështetjen dhe pëlqimin tim për komplimente, apo për t’i veçuar nga shokët apo shoqet për librin që kanë në dorë. Ky ritual më kushton dhjetë minuta çdo ditë para se unë të filloj me temën ditore. Kjo është një kënaqësi e papërshkrueshme, sepse ku ka më bukur se ta nisësh mësimin me fraza apo me thënie nga faqet e librave që ata janë duke lexuar. Tani kjo kënaqësi është zgjeruar falë nismës së lexuesve të vegjël, ku nxënësit janë tashmë të anëtarësuar. Kontributin mbi të ardhmen e fëmijëve e japin gjithashtu prindërit që besojnë fortë te institucionet tona shkollore dhe te nismat e klubeve kaq të bukura. Pra, së bashku ne përpiqemi të ndërtojmë një të ardhme të suksesshme për fëmijët, duke i prezantuar me ngjarjet e librit, risitë, historitë, etj., pasi vetëm kështu ne kontribuojmë në rritjen e mendësisë së tyre. Në fund, dëshiroj ta mbyll me një thënie qe tashmë është bërë motoja ime: 

“Libri është dritare nga ku ne e shohim botën.”

Unë po përpiqem që nxënësve të mi t’ua lë këtë dritare të hapur. Dua të falënderoj pafund shtëpinë botuese Albas për bashkëpunimin dhe kontributin e saj. Fal nismës së tyre po i tërheqin fëmijët drejt magjisë së librit.

Klubi i leximit falënderon mësuesen Arlinda Cekli dhe nxënësit e shkollës jopublike “Kristaq Rama”, të cilët nuk ngurojnë të na bashkohen në leximet tona javore.  

Xhoana Jaku 

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Shqyrtimi i Strategjisë së Arsimit Parauniversitar, nga mësuesi Bledi Lipo

Next Article

Aspiratat e karrierës së adoleshentëve dhe e ardhmja e punës së tyre...

Related Posts