Cikli parashkollor shënon përjetimin e parë të fëmijës larg familjes. Anëtarët e familjes duhet të dinë ecurinë e fëmijës, ndaj është shumë i rëndësishëm komunikimi intensiv mes dy palëve.
Komunikimi me familjet rreth fëmijëve është një pjesë e rëndësishme e përgjegjësve të personelit mësimor. Të gjitha familjet shqetësohen për fëmijët e tyre dhe duan që fëmijët e tyre të mësojnë të lumtur e me plot sukses. Cikli parashkollor shënon përjetimin e parë të fëmijës larg familjes. Anëtarët e familjes dëshirojnë të dinë ecurinë e fëmijës. Personeli mësimor dëshiron të diskutojë aktivitetet e fëmijës, përparësitë, dobësitë dhe problemet e tjera shqetësuese me familjet, në mënyrë që aktivitetet dhe konceptet të përforcohen në shtëpi.
Në vitet parashkollore ka rëndësi që familjet dhe shkollat të komunikojnë hapur dhe lirisht lidhur me fëmijët dhe aktivitetet. Shkolla dhe familja janë të lidhura ngusht me njëra-tjetrën. Sa më i mirë të jetë komunikimi në mes tyre, aq më shumë do të ndihmohen fëmijët në përjetimet e tyre të para mësimnxënëse. Nuk është gjithëmonë e lehtë të gjesh kohë për komunikim në programin e ngjeshur ditor, por kur mësuesit e konsiderojnë komunikimin si sukses të fëmijëve, ai bëhet pjesë e aktiviteteve ditore
Komunikim: nënkupton veprimin e shkëmbimit të informacioneve apo lajmeve. Për më tepër, në veçanti nënkupton lidhjen në mes njerëzve apo vendeve.
Bashkëpunim: Ky nocion, është sinonim i një pune të përbashkët për të kryer një punë apo për të arritur një rezultat. Bashkëpunimi edukatore-prind: Nënkupton ndërveprimin mes institucionit parashkollor dhe familjes, gjegjësisht edukatores dhe prindit, në mënyrë të vazhdueshme, përmes alternativave të ndryshme të bashkëpunimit konkret, i cili reflekton direkt në zhvillimin e fëmijës e njëkohësisht edhe në realizimin e punës më cilësore të institucionit. Të dy faktorët bashkëpunues kanë detyrat dhe përgjegjësitë e veta edukative e zhvillimore si dy subjekte kryesore për edukimin dhe zhvillimin e fëmijës.
Edukimi parashkollor: Ky nocion i referohet edukimit në fëmijërinë e hershme, gjegjësisht edukimit të fëmijëve të moshave 0-6 vjet.
Detyrat dhe përgjegjësitë:
- Mbledhje periodike të prindërve në ambientin e kopshtit, ku bashkëbisedohet për temat rreth funksionit dhe programit të kopshtit dhe informatat e përgjithshme për fëmijët.
- Konsultime të shkurtëra, të përditshme me edukatoren, kur prindërit sjellin ose marrin fëmijët e tyre nga kopshti duke këmbyer informata reciproke rreth fëmijës.
- Takime të posaçme, individuale të prindërve me edukatoren (dhe sipas nevojës), ku u jepet mundësia të dyve që të japin mendime dhe vlerësime që kanë të bëjnë me zhvillimin e fëmijës.
- Kontakte telefonike ose përmes adresave elektronike me prindin, në rast se ka diç më specifike për të cilën duhet të dijë prindi.
- Takime informuese me specialistët e fushës së arsimit parashkollor, në të cilat shqyrtohen temat që u interesojnë prindërve.
- Bisedat konkrete me prindin, për çdo nevojë urgjente Edukatorja si ekspert i punës, bart përgjegjësinë për funksionimin e duhur të këtij bashkëpunimi. Ajo është kompetentja që bartë informacionet e identifikuara rreth fëmijës te prindi dhe ajo e cila kërkon informata nga ai.
Përgatitja e fëmijës para se të shkojë në kopsht
Në ditët apo javët e para në kopsht fëmija mund të ketë vështirësi me mjedisin e ri. Ai është mësuar që gjithmonë të jetë pranë nënës së tij dhe e ka të vështirë të ndahet prej saj. Mirëpo, kjo situatë nuk zgjatë shumë, sepse fëmija shpejt gjen shokë dhe shoqe me të cilët fillon të luajë. Procedura e adaptimit të fëmijës në kopsht zakonisht zgjatë dy javë. Gjatë këtyre dy javëve përgatitet si prindi ashtu edhe fëmija. Nëse prindërit e sjellin fëmijën e parë në kopsht, atëherë menaxherja e kopshtit merret shumë edhe me ta, duke ua treguar mjedisin, lojërat, trajtimin e fëmijëve të tyre, etj.
Kalimi i fëmijës prej familjes në kopsht paraqet, pra, një ndryshim mjedisi. Për prindërit gjatë fazës së parë ndoshta është vështirë ta lënë fëmijën në kopsht duke qarë. Disa prindër brengosen dhe ndiejnë keqardhje kur e zgjojnë fëmijën në mëngjes në vend se ta lënë të flejë sa të dojë. Një numër prindërish për herë të parë përjetojnë diçka të tillë. Ata mendojnë se janë duke i dhënë fëmijës obligime që në moshë foshnjore. Pavarësisht kësaj bindjeje, fëmija që shkon në kopsht ka shumë përparësi, qoftë për sa i përket gjuhës, qoftë për sa u përket sjelljeve shoqërore. Përpos kësaj, ai ndihet i lumtur dhe do të ketë vetësiguri kur të shkojë në ente parashkollore.
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.