Koncepti “shoqëri e hapur” dhe “globalizëm” shoqëruar dhe me zhvillimin intensiv të teknologjisë, ka theksuar nevojën për zhvillim kompetencash që sigurojnë të nxënët e vazhdueshëm. Referuar qëllimit të arsimit parauniversitar, pjesë e të cilit është arsimi parashkollor, kompetenca kyçe konsiderohen:
- Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit;
- Kompetenca e të menduarit;
- Kompetenca e të mësuarit për të nxënë;
- Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin;
- Kompetenca personale (vetjake);
- Kompetenca qytetare;
- Kompetenca digjitale.
1. Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit
Fëmija parashkollor përgatitet të komunikojë në mënyrë efektive:
– Dëgjon dhe merr informacion për botën që e rrethon.
– Tregon aftësi në rritje, për të dëgjuar kur flasin të rriturit, bashkëmoshatarët ose fëmijët më të vegjël.
– Komunikon në gjuhën amtare, drejtshqipton tingujt, shkronjat dhe fjalët më të përdorshme.
– Shprehet me anë të simboleve, kodeve, shenjave dhe shprehjeve të tjera artistike.
– Shpreh tolerancë dhe empati në komunikim.
– Ua komunikon mendimet, ndjenjat apo ngjarjet që përjeton, të rriturve dhe fëmijëve të tjerë.
– Shpreh mendimin e vet, ku dhe kur duhet etj.
2. Kompetenca e të menduarit
Fëmija parashkollor zhvillon aftësitë për të menduar në mënyrë kritike, krijuese dhe ndërvepruese:
– Vëzhgon, krahason dhe vlerëson ngjarje dhe veprime.
– Zgjidh situata të thjeshta problemore.
– Kërkon zgjidhje të shumëfishta për detyrat dhe problemet.
– Përdor simbole për të paraqitur objekte.
– Vlerëson dhe vetëvlerësohet.
– Krijon dhe “shpik” gjëra të reja.
– Mendohet para se të bëjë një punë a një detyrë.
– Zbulon lidhjet mes shkakut dhe pasojës.
– Kërkon ndihmë, kur ka nevojë.
– Mbron mendimin e vet.
3. Kompetenca e të mësuarit për të nxënë
Fëmija parashkollor përgatitet për të nxënë gjatë gjithë jetës:
– Tregon interes për të nxënë.
– Shfaq interes për të përjetuar përvoja të reja.
– Merr nisma në bashkëveprim me të tjerët.
– Tregon këmbëngulje për të marrë pjesë në veprimtari edhe nëse gjatë zhvillimit të tyre përballet me vështirësi.
– Përdor aftësitë krijuese dhe fantazinë në veprimtaritë e jetës së përditshme.
– Mëson nga përvojat vetjake dhe i përdor njohuritë e fituara në situata të reja.
– Mëson dhe shkëmben përvoja pozitive në grup, merr dhe mban përgjegjësi.
– Siguron mjetet, materialet dhe kohën para se të kryejë një detyrë.
– Përfundon një punë të nisur.
– Rishikon punët që bën, korrigjon gabimet dhe i përmirëson ato.
4. Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin
Fëmija parashkollor orientohet drejt së ardhmes dhe nxitet të përmbushë objektivat që i vë vetes:
– Paraqet mirë vetveten, duke vënë theksin në pikat e forta.
– Punon në mënyrë të pavarur dhe në grup.
– Organizon dhe udhëheq veprimtari të nxëni dhe shoqërore.
– Merr pjesë në mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit.
– Diskuton me të tjerët për mjedisin që e rrethon.
– Zbaton në mënyrë të pavarur udhëzimet e dhëna.
5. Kompetenca personale (vetjake)
Fëmija parashkollor bën jetë të shëndetshme, përfshihet në mënyrë efektive në jetën familjare dhe shoqërore.
– Mban dhe zhvillon qëndrim pozitiv për veten, kupton se është unik dhe ndihet krenar për arritjet e tij.
– Shpreh dhe menaxhon në mënyrën e duhur sjelljen dhe emocionet.
– Shfaq aftësi vetëkontrolli në punë individuale dhe në grup.
– Shfaq vetëbesim gjatë veprimtarive të ndryshme.
– Ndihmon dhe shfaq empati për të tjerët.
– Bën zgjedhje të përgjegjshme për shëndetin vetjak.
– Mendohet para se të veprojë.
– Parashikon pasojat e një sjelljeje të caktuar.
– Respekton punën e vet dhe të të tjerëve.
6. Kompetenca qytetare
Fëmija parashkollor përkushtohet ndaj të mirës së përbashkët dhe përgatitet të veprojë si qytetar i përgjegjshëm.
– Demonstron njohuri për komunitetin, ndërvarësinë midis njerëzve, roleve të ndryshme sociale dhe përgjegjësinë qytetare.
– Kupton rolet në familje dhe përgjegjësitë e anëtarëve të saj.
– Ndërvepron lehtësisht me të rriturit që njeh.
– Bashkëpunon me bashkëmoshatarët.
– Kupton sjellje të ndryshme dhe ndikimin e tyre (pozitiv dhe negativ).
– Përshtatet në mjedise të ndryshme.
– Shfaq empati përkundrejt të tjerëve.
– Mirëkupton dhe respekton dallimet ndërmjet njerëzve.
– Pranon të tjerët.
7. Kompetenca digjitale
Fëmija parashkollor fiton shkathtësitë e para të përdorimit të kompjuterit, për ta përdorur atë për qëllime personale.
– Përdor në mënyrë të përshtatshme disa pajisje teknologjike dhe tregon ndikimin e tyre në jetën e përditshme.
– Realizon vetë vizatime dhe punime të thjeshta në kompjuter.
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.