Refleksione dhe interpretime mbi personazhin Medea të Euripidit nga nxënësja Kaltrina Spaho, klasa X-3, shkolla “ Ernest Koliqi” në Tiranë.
Medea është një personazh vërtet i ndërlikuar. Mënyra se si Euripidi e donte këtë personazh, ishte më se kontradiktore. Është një personazh me identitete të shumta, të cilat ajo i shfaq në momente të caktuara, por, që, në një mënyrë apo tjetrën, kanë një pikë lidhëse midis tyre.
Kur sjell ndërmend emrin Medea, ti, rrok përmasën e gruas plot dinjitet e krenari të egër, gruas së dashuruar të flaktë, kokëkrisur dhe sakrifikuese. Ti prek gruan, sa nënë të dhembshur, po aq të tmerrshme, si dhe gruan me fuqi të brendshme, që sfidon shtypjen. Ti keqardhesh me gruan, që vuan poshtërimin e të shoqit dhe gjakon hakmarrjen më të pamendueshme, plagën dhe dhimbjen më të thellë ndaj tij, vrasjen e fëmijëve, ndërprerjen e rrjedhës së trashëgimtarëve, pra, të gjakut dhe lumturisë.
Ky dualitet i këtij personazhi, shpesh ka qenë konfuz për lexues e kritikë të shumtë. Ata mendojnë, se Medea ka një karakter të dobët, që ndikohet shumë lehtë nga rrethanat, në të cilat ndodhet, duke e bërë atë, të tregojë fytyra të llojllojshme. Por, në të vërtetë, ajo është më e fortë nga ç’mund të imagjinohet. Ajo është e pathyeshme. Duke tejkaluar idetë dhe konceptet e kohës, ajo qëndron e bindur ndaj vendimeve të saj.
Një grua që dashuron fort, aq sa edhe urren fort, që përulësinë e shndërron në krenari, mosmirënjohjen e kthen në premisë për personalitet, kurse poshtërimin, që i kanë bërë pa të drejtë, e kthen në hakmarrje gjer në zgrip. Natyra kaq pasionante e saj, krijoi një stuhi në përjetimet dhe veprimet aq të papërfytyrueshme të saj.
Medea është një lartësi dhe thellësi e atillë, një humnerë njerëzore e paskajë, një thellomë psikologjike. Është shumë e veshtirë për të hyrë në botën e këtij personazhi, kaq të dyzuar në mendime.
Ajo është një grua egoiste dhe kryelartë, që kurrsesi nuk ndalet për realizimin e qëllimeve të saj. Dashuroi Jasonin dhe vrau të afërmit e saj për të. Ajo u hakmor ndaj këtij njeriu narcist, pa menduar për pasojat. Ajo madje vrau edhe vetë fëmijët e saj dhe e rrënoi kaq shumë veten, vetëm për të realizuar qëllimin e paracaktuar. Është një individ, që nuk mund të tolerojë dhe që verbohet nga pasioni i saj.
Përkundër gjithçkaje, ajo është një qenie njerëzore, një grua, brenda së cilës bashkëjetojnë e mira dhe e keqja. Një njeri, që, si çdokush tjetër, mund edhe të gabojë. Nuk do të tregohej mençuri, nëse do ta gjykonim atë pa u përpjekur për të kuptuar rrethanat, në të cilat ajo ndodhej. Që në fillim të veprës, Medea na shfaqet një grua shumë e zgjuar dhe e zonja, por fatkeqësisht ajo jetoi në një kohë, ku roli i gruas në shoqëri ishte kaq mospërfillës. Medea ishte e lodhur nga ligjet e normat, që u lejonin grave kaq pak të drejta. Ajo është një personazh shumë aktual, pasi ajo vendos vetë për fatin e saj, vendos të bëhet pjesë aktive e shoqërisë, për mirë, a për keq, e bën rolin e gruas pjesë funksionale të saj. Në këtë këndvështrim, Euripidi, me largpamësi gjeniale predikon i pari frymën feministe.
Prandaj, ne nuk mund ta gjykojmë Medean, apo edhe çdokënd tjetër, që mund të jetë në pozita të ngjashme me të. Në fund të fundit, askush nuk e di se çfarë ka ndodhur apo po ndodh në jetën e dikujt. Përherë mund të krijojmë një fytyrë të re e ta vendosim maskë, si një mënyrë për t’u mbrojtur.
Mund të zgjedhim për të dëgjuar engjëllin apo djallin brenda nesh. Si Medea, ashtu edhe të tjera gra përpiqen, që të dëgjojnë dhe të krijojnë një fytyrë tjetër për veten e tyre, duke u munduar të mbijetojnë në këtë botë maskiliste. Tani mendoj, se e dua Medean.
Kaltrina Spaho, klasa X-3, Ernest Koliqi”, Tiranë
N. Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.