Jeta e një adoleshenti shfaqet si një film i ri, i panjohur nga mësuesit

Duhet të ndalemi të gjithë e të shohim qartë çfarë po ndodh. Mos të trembemi, por të rrisim vigjilencën. Mësuesi dhe prindi duhet të jenë në gjendje alarmi. Shkolla të reagojë shpejt, shoqëria ta qepë gojën, media të japë modele…

Cilat janë problemet më të shpeshta të adoleshentëve sot?

Në pamje e dëgjim të parë shkolla sot duket si një vend-betejë problemesh. Dhe ka arsyet e veta kjo ndjesi. Nxënësi pasqyron si nga një ekran i madh problemet e brezit të vet, problemet e natyrshme të moshës, por edhe problemet e mëdha të familjes dhe shoqërisë. Jeta e një adoleshenti shfaqet si një film i ri, i panjohur nga mësuesit dhe shpesh sidomos nga prindërit. Të mos harrojmë që brezi i prindërimit në moshat e e arsimit parauniversitar, është brezi që ka kaluar fëmijërinë para viteve ‘90, e për pasojë zhvillimet e teknologjisë dhe mjaft dukuri të përhapura sot, nuk kanë qenë pjesë e asaj kohe. Ja psh; një prind e ka mësuar kompjuterin në moshën 30 vjeçare, ndërsa fëmija i tij diçka më pak se mosha 10 vjeçare. Nuk mund të presim që këto dy breza në këtë gjë, të zhvillohen njësoj e të kenë të njëjtën performancë. Fëmija 10 vjeç ecën më shpejt, por ecën pa mundësinë e kontrollit absolut të të rriturit. Kjo diferencë ndihet edhe në fusha të tjera. Dhe sigurisht që ndikon në komunikimin dhe mënyrën se si i qasemi problematikave të ndryshme e kërkojmë zgjidhje për to. 

Të kujtojmë sasinë dhe cilësinë e informacionit që marrin të rinjtë nga drejtime të ndryshme. Botën e pamatë të imitimit dhe të modelit! Sa pak vepron mendimi kritik dhe sa shumë zotëron sipërfaqësia! Sa punë prish nxitimi dhe si e venit të ardhmen indiferenca! Sa shpejt kjo e fundit shkon pa u ndjerë në braktisje! Si del në sipërfaqe dëshira për të mos bërë asgjë ose dëshira për t’i bërë të gjitha në të njëjtën kohë! Të mos harrojmë që për seksin, drogën apo tabu të së shkuarës, dikur flitej vetëm nga të rriturit. Sot janë realitete për grupmosha shumë më të hershme. Për pasojë, rreziku është kudo; në klasë, në koridor, në banjo, në oborr, në muret përqark shkollës, në njerëzit që u sillen qark shkollave si hiena, në celularë e rrjete sociale, në shtëpi, në pub-e e festa, pas shpinës sonë, para syve tanë, kudo. Të vishesh bukur sot, nuk është vetëm pjesë e estetikës personale, por edhe pjesë e dukjes dhe statusit social, pse jo me keqardhje dhe diferencimit. Të artikulosh fjalë të ligjërimit të rrugës është kthyer në etikë moderne! Të jesh gazmor është njësoj si të jesh qendra e gravitetit e të pasurit shumë shokë! Një fëmijë të caktuar ose e duan të gjithë, ose e luftojnë të gjithë. Detyrat dhe librat janë kthyer në aksesorë. Duhet të jesh shumë i fortë, siç thotë populli me këllqe. Të rinjtë shqafin një perspektivë të shpejtë drejt së ardhmes, shpejtësia e tyre e të menduarit dhe të vepruarit, të përfshin dhe të rrëmben. Ka ritëm që buron nga dëshirat. Ka dëshira që dominohen nga dashuria dhe pasioni.

Po kjo është një nga gjërat më të bukura që qënia njerëzore provon. Por pse sot, në këto mosha po kthehet në problem të vërtetë? Pse kthehet në konflikt dramatik, nëse shikon apo i shkruan të dashurës ose simpatizantes së dikujt? Pse është problem nëse pëlqen dikë që se pëlqen askush? Pse nëse je një person pa të dashur nuk je askush? E më herët, pse vjen papritur në një auditor je preh e një situate të pastër bulizmi? Sa fëmijë të veçantë ka sot mjedisi shkollor e sa vështirë e kanë ata? Ku janë produktet komunitare dhe ndihmëse që i shërbejnë humanizmit dhe vlerave qytetare? Pse sporti dhe arti janë kaq të pamjaftueshëm?

Familjet shqiptare po përballen shumë e më shumë me divorcet, mungesën e prindërve, mungesën e kohës së prindërve për t’u marrë me fëmijët e tyre. Dhuna nëpër familje sillet si re e gjallë depresioni.Po kështu gjuha dhe sjelljet e ashpra, fjalët plot konotacion negativ po zotërojnë marrëdhëniet familjare. Media jep modele të shëmtuara ose modele që nuk mund të jenë modele. Shpesh shohim të rinj që të vetmen vlerë kanë veshjet e shtrenjta, modele blogeresh dhe njerëzish të famshëm një pjesë e të cilëve, gjërat  nuk i kanë të fituara, por të ofruara. Lehtësia vjen si tregues i miqësisë  dhe jo i meritokracisë. As arsyes dhe formimit. Përballë kësaj në një antagonizëm të frikshëm shfaqet varfëria dhe kokëulja ekstreme që e refuzojnë të gjithë. Kësisoj, fëmija, nxënësi, adoleshenti sot, i gjendur midis turpërisë dhe dëshirës, krijon një premisë sesi të realizojë shpejt modelin dominues. Të rralla janë rastet, kur në media dalin të rinj që fitojnë çmime, që janë pjesë e projekteve fantastike, pasi për hir të së vërtetës kemi shumë të tillë, po kështu edhe mësues të suksesshëm, edhe prindër të jashtëzakonshëm. Por këtyre nuk u jepet zë…. Ose u jepet shumë pak zë.

Do doja të jepja këtu shembullin e të rinjve që merren me projektet e Junior Achivement, të cilët perms kopetencave të fituara ndër vite, praktikojnë shpikjen, sipërmarrjen, talentin, protagonizmin, komunikimin dhe lidershipin në një botë vlerash përtej Shqipërisë. Ne kemi patur arritje të jashtëzakonshme nga kjo pjesëmarrje. Sikundër do të jepja shembullin e një nëne të ndeshur para disa viteve, e cila për të shpëtuar të birin, nga varësia e negatives, e bëri “gardh” familjen dhe e fitoi betejën. Shoqëria është e ndërtuar sot me problemet që sjell emigrimi, përmes lëvizjeve të detyrueshme dhe të paraqitjes së modeleve jo të vërteta, jo dominuese.

Shoqëria sot është vetëm dënuese. Llafazane dhe mjaft përjashtuese. Ndonjëherë edhe shpipëse.

Si është marrëdhënia prind-mësues sot?

Ka një përpjekje të prindit për t’ia lënë gjithçka shkollës, sikundër ka edhe moskoordinime të shkollës për gjëra të caktuara. Ajo që mungon është besueshmëria, kur shkolla tregon diçka dhe prindi nuk e beson, por të mos harrojmë që fëmija reflekton sjellje të ndryshme në ambjente të ndryshme. Nga ana tjetër komunikimi shkollë-prind në një pjesë të gjerë të rasteve është vetëm detyrë, e duke qenë vetëm e tillë, shpesh është më shumë teknike, ndërsa është kaq e domosdoshme të jetë edhe e karakterit njerëzor. Duhet të kthehemi pak te tradita, pasi për eksperiencat pozitive vlen, e që në këtë rast nënkupton rolin e mësuesit model. Nga ana tjetër, të mos harrojmë që çdo sjellje e fëmijës/nxënësit reflekton lidhje të ndodhive a veprimeve me komunikime a veprime të kryera më parë.  Kështu, nëse një nxënës flet në rrjete sociale në darkë dhe krijon konflikt me dikë, sherrin e zhvendos të nesërmen në shkollë.

A janë të shumtë nxënësit që i dejtohen psikologes së shkollës?

Jo. Nxënësi nuk i drejtohet vetë psikologut të shkollës. Ndonëse prania e psikologut pranohet gjerësisht sot, ndryshe nga disa vite më parë, sërish pamundësia e punës së vazhdueshme të tij për shkak të ngarkesave dhe mentaliteti i nxënësit për shkak të treguesve që përmendëm më lart, vështirëson kërkimin e natyrshëm nga nxënësit të ndihmës së tij. Por situata ka ndryshuar me prindin, i cili tashmë, kur mësuesi e shkolla i referojnë një takim me të, ai bie dakord menjëherë. Në shkollat publike kjo vështirësi rritet nga numri i madh i nxënësve në shkollë. Ky shërbim dhe shumë të tjera, përsa i përket sigurisë fizike dhe mirëqenies psiko-sociale rrit kërkesën për arsimin jo publik, i cili sot për sot këto i ka pika të forta.

Për çfarë tematikash i drejtohen psikologut të rinjtë e sotëm?

Tematikat nuk janë të qarta dhe përzgjedhëse. Duke marrë parasysh rrugën që ndiqet për të shkuar te psikologu, kyi fundit zakonisht përkujdeset për të zotëruar momentin emocional, për të mos degjeneruar në konflikt. Rëndom përfundon deri te një njoftim te prindi apo drejtoria e shkollës.

Në shkolla me numër të vogël, sikundër e thashë më lart, edhe atyku jam unë sot, Psikologu ka mundësi të bëjë aktivitete të ndryshme, në grupe për të zbuluar dhe identifikuar shkakun, për të refletuar nga pasojat, për të bërë biseda, lojra dhe aktivitete qëi shërbejnë gërshetimit metodologjik. Ndërkohë, ai e ndjek fëmijën/nxënësin veçantë dhe krijon mundësi shprehjeje, duke bashkëpunuar më shumë me mësuesit dhe prindin. 

Psikologu është qetësuesi i parë i situatave delikate dhe tematikat më të përhapura janë ato me natyrë bulizmi; sharje, fyerje, raste me nevoja të veçanta, raste për tema intime për të cilat nuk flitet lehtësisht me prindin, etj.

A kanë marrë zgjidhje nga psikologia?

Patjetër që po, sidomos e theksoj kur bashkëpunohet në shkollë dhe me familjen.

Për çfarë frikësohen më shumë nxënësit dhe nuk duan ta bëjnë publike?

Nxënësit frikësohen më shumë për rastet e lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe admiruese,  për videot e ndryshme, për fotot e bëra pa mendje. Për momentet e dobësisë, për të “metat” që mund të kenë vëllezërit apo motrat e tyre, për ndodhitë familjare, kur ato transferohen si informacione tallëse në ambjentet shkollore, për “sekretet” e tyre, për daljet e “pabesive” ndaj një fjalë të thënë padashje, etj.

A i identifikoni rastet e bulizmit?

Duken si drita e diellit rastet e bulizmit, të cilat diferencohen si raste sipas shkakut të lindjes: prejardhjes, gjuhës së folur (dialektit), por edhe moskoordinimit, kur vjen nga jashtë shtetit dhe ke problem me gjuhën amtare, pamjes fizike, stilit të veshjes, shoqërisë që zgjedh, gjërave që di ose nuk di të bësh, forcës së fjalës apo forcës fizike, profesionit të prindit dhe performancës së tij, etj.

Ç’duhet bërë?

Duhet të ndalemi të gjithë e të shohim qartë çfarë po ndodh. Mos të trembemi, por të rrisim vigjilencën. Mësuesi dhe prindi duhet të jenë në gjendje alarmi. Prindi ka peshën kryesore në edukimin e fëmijës. Unë nuk mund të bie dakord asnjëherë me prindër që thonë se nuk kemi kohë për t’u marrë me fëmijët. Është ai i pari që ka përgjegjësi për rritjen e shëndetshme dhe edukimin koherent. Prindërit të bëhen bashkë, të bëhen miq, të jenë me fëmijët e tyre nëpër ditëlindje, të jenë aty në një cep të festës, të vizitojnë ndonjëherë pub-et, të kenë akses në rrjetet sociale dhe komunikimet e fëmijëve deri në një moshë të caktuar me dijeninë edhe të vetë atyre, të kontrollojnë ndonjëherë çantat shkollore, xhepat e pantallonave, të shohin ndryshimet e fëmijëve edhe të vogla, të besojnë mësuesin, ta marrin fëmijën aty te dera e shkollës deri në gjimnaz. Të mos e lënë pa kontrolluar kohën e lirë, t’ua zënë kohën me sporte, aktivitete, vegla muzikore, libra. Jetojmë kohën me të vështirë për të rinjtë sot dhe më me shumë rrisqe. Po le të marrim shembullin e prindërve në vendet nordike, të cilët kur kishin problem si tonat vite më parë, u bënë bashkë, ndanë detyrat, bashkërenduan, u ndërgjegjësuan se ata ishin shpëtimtarët e parë të fëmijëve të tyre, morën nga një pishtar në dorë e bënin roje rrugëve për t’i mbledhur ata në shtëpi, shtuan aktivitetet e bukura të shëndetshme dhe argëtuese, dhe sot ata kanë më pak burgje e më shumë edukim. I mësuan fëmijët me artikulimin e të vërtetës. Nëpër shkolla futën letërsinë që nuk trajtonte vetëm tema pozitive, por edhe problematika të mprehta. Jepnin mesazhe përmes teatrove, ndihmonin fëmijët që kishin nevojë për mbështetje, i bënin bashkë me prindërit gjërat e mira. Prindërit filluan t’i kërkonin llogaridhënie shkollës, të ishin pjesë e planifikimeve të saj.

Shkolla të reagojë shpejt, sapo vë re një problem, të vërë në lëvizje partnerët, të zhvillojë aktivitete gjithpërfshirëse, të trajnojë stafet për rastet e pandeshura, të jetë sy e veshë. Të mos bëjë vetëm shkencën, por edhe edukimin. Më pak shpjegim, më shumë mësim me në qendër nxënësin. T’u bëjë të qartë nxënësve të drejtat dhe përgjithësitë. T’u tregohet se në cilat raste veprimet e tyre bëhen të dënueshme. Të shtojë orët e debatit. Më gjerë të shihen disa ndryshime në kurikul; të rishihet prezenca e disa lëndëve shoqërore me ndikim social si; filozofia, historia e artit. 

Shoqëria ta qepë gojën, mos të bëjë sehir me rastin e tjetrit, se fati nesër mund të trokasë kudo.

Shteti të tregojë se është i tillë në role e përgjegjësi.

Media të japë modele, mjaft më me rastet e mbivlerësuara të antivlerave, “vrasësve” të vërtetë të edukimit.

Adriatike Lami, Drejtore e Shkollës Woodrow Wilson. Specialiste e arsimit parauniversitar

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

12 mësuesit më të suksesshëm në historinë e mësimdhënies

Next Article

Përkushtim për fëmijët me autizëm në shkollat e zakonshme

Related Posts