“Jam gjallë” nga Enia Hoxha

A demaskoi ajo periudhë karantine kush jam unë në të vërtet? A do të vinte ndryshimi? Apo ashtu si dhe Rapunzel e mbyllur në kullën e saj do vazhdoja të numëroja agimet? A ia vlente e gjitha? Por pavarësisht gjithçkaje në fund të ditës thoja me veten time: “Jam gjallë!”

E mallkuara karantinë…

Si arriti të na shtypë me kthetrat e saj prej shqiponje, ashtu pa u ndjerë aspak? Njësoj si pija që në fillim të ngroh, ama në fund të deh e të bën gjëmën. Dhe unë e gjeta veten të dehur nga likeri i ëmbël i pandemisë.

Ndjeja kaos…por njëkohësisht dhe një qetësi të pashpjegueshme brenda meje. Ishte sikur bota rreth meje ishte nën flakët e ferrit dhe unë thjesht isha shumë e pafuqishme të luftoja kundra saj, kështu që thjesht u miqësova me të. Gjeja qetësinë time në orët e vona të natës e në ato të parat e mëngjesit. Sepse në atë orar isha vetëm,nuk kisha askënd që të përpiqej të çante fluskën time të përkohshme të lumturisë. Ato orë ishin gjithçka kisha. Gjithmonë jam trembur nga vetmia, por ja ku ishim si për ironi të fatit, thjesht unë e hapësira boshe e mendjes sime, që po niste të ngjasonte me një tunel të pafundëm pa dritë në fund të tij. 

Çdo ditë prisja lindjen e diellit. Më jepte pak më tepër forcë. Thjesht rrija e ulur mbi një stol në cepin e ballkonit tim e hidhja sytë tej, kërkoja shpërqendrime të pafundta. E kur dielli lindte thoja me vete “Një ditë e re”. 

Nën tingujt e muzikës melankolike shpirt im dergjej e gërthiste për ndihmë, por aparenca ime tregonte të kundërtën. Ose ndoshta jo… Nuk e di ndoshta dhe nga jashtë dukesha si katastrofë, por di të them që përpiqesha ta mbaja veten. Kështu jam rritur, me idenë se nuk duhet t’i shpreh ndjenjat që më bëjnë të dukem e dobët. Mund të kem qarë dy herë gjithsej përpara mamit tim duke u përpjekur t’i shpreh se si ndjehesha. Qaja sepse kur dëgjoja se çfarë thoja, kuptoja se kisha arritur pikën time më të dobët. Më tmerronte fakti që po rikthehesha pas në verën e vitit 2016. Njerëzit kishin nevojë për mua, për mbeshtejten time, por unë në ato momente nuk isha e aftë as të mbështesja veten. 

Ndërsa për sa i përket të qarave kur isha e vetme, e mbyllur në dhomën, time nuk mbaj mend asgjë… Ndoshta nuk kam derdhur asnjë pikë loti…ndoshta kam qarë me ngashërimin që më pengonte të merrja frymë çdo natë para se të flija. Më mirë që nuk e mbaj mend!

Dita ishte vrastare për mua. Nuk doja të kisha kontakt me askënd. Dhe nëse do të doja të kisha, mendja ime ishte tër kohën e lodhur. Nuk ndjeja asgjë. U ktheva në një parazit. A demaskoi ajo periudhë karantine kush jam unë në të vërtet? Një parazit që gjithçka di të bëj është të ankohet pafundësisht e të zhgënjejë njerëzit? Të tjerët më thonin që isha shumë mirë e që gjithçka do kalojë, por ishte njësoj sikur të mjekoje një plagë të madhe me një leukoplast. 

 A do të vinte ndryshimi? Apo ashtu si dhe Rapunzel e mbyllur në kullën e saj do vazhdoja të numëroja agimet? A ia vlente e gjitha? Shkaterrimi i ngadaltë i vetes sime?

Por pavarësisht gjithçkaje në fund të ditës thoja me veten time: “Jam gjallë!”

Enia Hoxha 

Enia Hoxha ka lindur më 11 gusht 2003  në qytetin e Elbasanit. Lindur e rritur në këtë qytet, aktualisht ndjek klasën e 11-të pranë gjimnazit publik “Mahir Domi”. Që në moshën 12 vjeçare ka nisur të shkruajë poezi e proza me tematika të ndryshme e intriguese duke fituar shumë çmime e duke u përfshirë në antologji poezish. Tashmë në rolin e bashkë-skenaristes, por dhe aktores në projekte të ndryshme, përpiqet t’i hapë një rrugë për në të ardhmen pasionit të saj – artit.

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Luan Stafasani: Bullizmi në mjediset shkollore

Next Article

Nxënësit në Spanjë po mësojnë në “klasat” buzë detit

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427