“I huaj”

Jetoja në një familje të pasur të asaj kohe, të them të drejtën nuk më mungonte as ushqim, as veshje, e as para… Por ishte diçka, për të cilën, gjatë gjithë jetës sime kam pasur nevojë: dashuri.

Eh! Ç’të them unë për jetën time? 

Jetoja në një familje të pasur të asaj kohe, të them të drejtën nuk më mungonte as ushqim, as veshje, e as para… Por ishte diçka, për të cilën, gjatë gjithë jetës sime kam pasur nevojë: dashuri.

Në shkollë, notat i kisha të siguruara prej babait që në fillim të vitit, falë negociatave dhe miqësive të tij aty-këtu. Edhe shoqërinë e kisha pranë falë parave, isha unë ai që paguaja në çdo kafene ku shkonim, në çdo restorant ku hanim drekë. Kështu, shokët i kisha pas vetes, kisha mundësi të zgjidhja kë doja unë dhe kur e doja. Ishte si një lojë: ti bëje kërkesën dhe porosia vinte në moment. 

Uh, se harrova t’ju thoja! Para disa vitesh babai kishte njohur disa burra, kishte bashkëpunuar me ta, që të bëhej pjesë e një partie politike. Qëkur kishte filluar të shoqërohej me ata, vija re te babi sjellje të çuditshme, sjellje ndryshe nga ç’isha mësuar të shihja. E kisha konsideruar shok, bisedoja me të për çdo gjë, por tani shoku im ishte zhdukur, ishte rritur në detyrë, ishte bërë deputet. Kështu, ai nuk kishte më kohë për mua, për djalin e tij të vetëm. Thoshte githmonë se kujdesej për mua, por… paratë, notat në shkollë, apo pushimet, për mua nuk tregonin kujdes. Më dukej vetja si një lodër, që ishte lënë mënjanë, pasi fëmijët ishin rritur, e lodra nuk u duhej më. Ose ndoshta nuk ishte kështu. Ndoshta nuk isha lodër. Këto ishin mendimet që më vinin rrotull, teksa haja darkën luksoze, të përgatitur nga shefat dhe shërbëtoret që babai kishte punësuar. Asgjë nuk më shijonte, pasi thellë brenda vetes ndihesha…bosh…

Isha në vit të tretë të gjimnazit. Një natë, babai më thirri të shkoja pranë tij. Shumë i lumtur, po mendoja se ndoshta shoku im ishte kthyer, e donte të bisedonte me mua. “Kam biseduar me disa shokë dhe po mendoj të të rregulloj në Angli për universitet. Kam gjetur dhe një mësuese për anglishten, që të të ndihmojë për provimin e gjuhës së huaj. 

Dakord?” U stepa. U zhgënjeva. Shoku im ishte kthyer, për të biseduar, e për të më thënë se nuk më donte më. Po më largonte nga vetja, po më largonte nga familja. Unë nuk doja, nuk doja të largohesha për të studiuar në Angli. Arsyeja ishte kjo: nuk kisha njohuritë e mjaftueshme akademike për t’i bërë ballë një institucioni ndërkombëtar. Gjithmonë notat i kisha marrë maksimale, por sa i kisha merituar unë ato???

Fillova të studioj intensivisht çdo ditë. Largohej mësuesja e anglishtes, vinte ajo e matematikës, më pas e shkencave, dhe në fund ajo e ekonomisë. Më dukej sikur po bëja dy vite shkollë në të njëjtën kohë. Në fakt, filloi të më pëlqente ideja e të studiuarit jashtë. Edhe mësueset më ndihmonin goxha (Patjetër, pasi babi ua mbushte xhepat me para çdo seancë).

Fitova! Me shumë mundime, shoqëri, miqësi dhe negociata të babait, arrita të pranohesha në një universitet anglez. Por, pikërisht atëherë kur unë mendova se jeta ime kishte ndryshuar për mirë… babain e arrestuan. Morëm vesh që ishte marrë me lloj e soj punësh të jashtëligjshme, kishte punësuar persona të paaftë nëpër institucione, u kishte dhënë leje ndërtimi shumë personave, e si për t’i vënë kapakun, kishte muaj që merrej me shfrytëzimin e vajzave të reja për prostitucion. 

Nuk durova më. Kur po dilte nga shtëpia, nën mbikëqyrjen e policisë, vrapova drejt tij dhe i thashë: “Mallkuar qofsh! Ti na shkatërrove jetën!” Nuk munda të vazhdoj më, pasi lotët më rrodhën vaj, dhe pas kësaj më erdhi papritur një e goditur që ma nxiu faqen. Ishte sërish ai! Nuk mjaftonte gjithçka kishte bërë, por duhej dhe të më godiste. U largova me nxitim, dhe natën e kalova jashtë, i shtrirë në një nga stolat e parkut.

Të nesërmen, me faqe të nxirë, shkoj në shtëpi, ku më pret nëna, e mbytur në lot. “Zhduku”-tha. “Ti je i huaj. Nuk mund të pranoj në shtëpi fëmijë mosmirënjohës. Si mund t’i flisje ashtu njeriut që sakrifikoi veten për ty?… Babai hoqi dorë nga ti. Po ashtu dhe unë!” 

Ai kishte sakrifikuar, po pra. Ishte lodhur i shkreti. Nuk më vinte keq për atë çka kishte ndodhur, por për nënën. Ia kishte errur sytë dhe asaj, e kishte kthyer në një skllave të tijën. Ajo mendonte si ai tashmë. Nuk guxova ta pyes për shkollën. Por me vete po plasja. Si do t’ia bëja unë tani?…

Xhemal Kodragjini

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Rruga e brezit tim drejt suksesit

Next Article

Ndërtimi i shumëkëndëshit

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427