Harmonia fetare në vendin tonë

Në këtë muaj të festave më të rëndësishme fetare ju prezantojmë me esenë fituese në projektin “Mendimi im, Forca Ime”, që përcjell vlerat dhe krenarinë për bashkëjetesën fetare në vendin tonë nga Debora Caka, shkolla Fiershegan, Lushnjë.

“Feja e shqyptarit asht shqyptaria”, motoja e Rilindjes Kombëtare që vazhdon të mbetet lajtmotivi i besimit fetar në vendin tonë. Bashkëjetesa dhe harmonia fetare janë vlerë dhe shprehje e qytetërimit të një kombi, e në Shqipëri këto janë identiteti ynë.

E ku ka më bukur se krenaria e bashkëjetesës njerëzore brenda një komuniteti, që ngërthen ndryshime pikëpamjesh për jetën, ritesh fetare apo stilesh jetese! Është ky një realitet që mbetet i pandryshueshëm si krenari ekzistenciale mbi bindjet, frymën dhe respektin reciprok fetar.

Në fakt, historia shqiptare ka sjellë ndër vargshekujsh rrugënaja të pashkelura. Ky popull i vogël e ka mbjellë farën frymëzuese të vlerës së besimit në fqinjësi pa lakmi, duke vizituar paqësisht fqinjin në xhami, në kishë a në teqe, duke kthyer frymën e dyshimit në farë besimi se Zoti është një dhe njësoj për të gjithë.

Të jetosh në harmoni, është shumë më tepër se të jetosh dhe kjo buron nga dëshira dhe dashuria për njëri-tjetrin, për jetën që jetohet në mënyra të ndryshme, por që në thelb mbetet unike bashkëjetesa. 

Bashkëjetesa jonë fetare është shembull se si komunitetet fetare mbajnë një raport të respektit reciprok dhe të një bashkëpunimi të njerëzishëm, duke u bërë atdheu i ekumenizmit dhe i dialogut ndërfetar, shembull i mirëkuptimit fetar dhe i mospërdorimit të dhunës. Një mozaik i vendosur mbi një shtrat të fuqishëm, të përforcuar në rrjedhën e historisë dhe në vazhdimësinë e saj.

Ky vend i vogël, por me kaq shumë vlera, është një model i admirueshëm se si njerëzit nga fetë e ndryshme mund të bashkëjetojnë duke zgjedhur dashurinë dhe harmoninë. Familje të ngritura mbi këtë pranim dhe respekt, duke i kultivuar këto vlera me krenari ndër breza e duke mësuar se pranimi i diversitetit jo vetëm në fe, është çelës për paqen dhe stabilitetin e një kombi.

Le t’i përqafojmë ngjashmëritë që na lidhin e të mos i lejojmë dallimet të na përçajnë. Jemi bashkë me besimin në Zot, në komb dhe në dashuri. 

Nga Debora Caka, shkolla Fiershegan, Lushnjë

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Provimi i licencës 2023, lista e kandidatëve Gjuhë Angleze

Next Article

Drejtori i shkollës “Salih Çeka”, Leonidha Haxhinikolla: Arsyet pse nxënësit duhet të zgjedhin arsimin profesional

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427