Gjuha jonë sa e mirë! Sa e ëmbël, sa e gjerë! Sa e lehtë, sa e lirë! Sa e bukur, sa e vlerë!
Të duash gjuhën tënde nuk është vetëm një mbrojtje e kulturës së vlerave të popullit tënd, por një respekt për identitetin e prejardhjes tënde ndër breza. U bë një kohë e gjatë që shqiptarët e diasporës “luftojnë” me mish e me shpirt për të ruajtur gjallë vlerat e trashëgimisë së popullit tyre, e kjo gjë ka ndodhur e vijon të ndodhë akoma në shtetin helen.
Mjafton një përpjekje e vogël e një personi, për të bërë më pas që dhjetra fëmijë shqiptarë të lindur në shtetin grek të fillojnë të mësojnë një nga një gërmat e gjuhës së mëmësisë. Një situatë e tillë, ndodhi pak muaj më parë në fshatin Nea Radiston, Thermi Selanik, ku dashuria për shqipen e një nëne shqiptare bëri që sot më shumë se njëzet fëmijë të ulen në bankat e shkollës për të mësuar gjuhën shqipe.
Pothuajsë një javë më parë më 19/ 03/ 2017 Bashkia e Thermit që ndodhet në periferi të qytetit të Selanikut, hapi dyert për një klasë, në të cilën mësohet dhe flitet rrjedhshëm gjuha e bukur shqipe. Përkrahja e shtetit grek kundrejt komuniteteve që jetojnë në këtë bashki ishte makisimale dhe është për t’u vlersuar, dhe jo vetëm.
Hapja e shkollës
Në çdo bashki të shtetit helen ndodhet edhe këshilli i emigrantëve, të cilët zakonisht trasmetojnë tek autoritetet problematikat me të cilat hasen çdo ditë emigrantët e kujdo lloj komuniteti që jeton dhe zhvillon aktivitetin në këtë vend. Konkretisht, pala shqiptare paraqiti në organin kërkesën e domosdoshme për një shkollë shqipe, ku fëmijët e tyre të shkonin të mësonin gjuhën mëmë.
Sakaq, Keshilli Bashkiak i Emigracionit me drejtuese znj.Ana Mihu vendosi që t’i jepte një ambient për të marrë mësime komunitetit shqiptarë, që jeton në këtë zonë.
Pikërisht, pas kësaj shkolla shqipe u bë e “gjallë”, tashmë fëmijët çdo ditë të shtunë do të shkojnë të ndjekin mësimin e shumdëshiruar.
Ceremonia
Megjithëse mësimet filluan pikërisht një ditë më parë, ceremonia e hapjes së shkollës u mbajt një javë më parë në sallën e Bashkisë së Thermit. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Konsulli i Përgjithëshëm i Republikës së Shqipërisë në Selanik, znj. Pavlina Evro Ylli, si dhe përfaqësues të organizatës së gruas shqiptare “Jeta”, përfaqësues nga lidhja e shkrimtarëve “Dega e Blertë”. Në fjalën përshëndetëse këshilltari i Këshillit Bashkiak z. Stelio Apostolu tha: “Bashkia i sheh të gjithë fëmijët e barabartë. Gjithashtu, ne dëshirojmë që këta fëmijë të kenë mundësi të mësojnë gjuhën e nënës ashtu siç mësojnë çdo ditë gjuhën greke, këtu ku ta jetojnë dhe shkojnë në shkolla.”
Nga ana tjetër, znj. Ylli theksoi se e vlerëson jashtëzakonisht iniciativën e mirë të autoriteteve helene, dhe se është krenare për bëma të tilla. Sipas saj, është e domosdoshme që këta fëmijë të mësojnë ashtu siç duhet gjuhën mëmë.
Sakaq, antarja shqiptare e këtij këshilli znj. Shqiponja Pepkolaj, e cila ishte dhe iniciuesja e kësaj nisme, bëri me dije se ishte dëshira e madhe e prindërve që sot kjo ditë të bëheshe realitet për të gjithë.
Dashuria për gjuhën
Në kohërat kur jetojmë mund të duket paksa paradoksale se ekzistojnë akoma ata njerëz që dëshirojnë të mësojnë gjuhën e tyre. Po, është mëse e vërtetë se mijëra shqiptarë jetojnë në Greqi dhe nuk arrijnë ta trasmetojnë gjuhën e tyre tek fëmijët, jo se nuk kanë dëshirë, por se nuk kanë mundësi. Nuk është gjithmonë e vërtetë se shqiptarët, e fshehin origjinën e tyre dhe tashmë kërkojnë të jenë dikush tjetër.
Koha kur ata luftonin për identitetin e tyre ka mbaruar, ata tashmë kërkojnë t’i japin vlerën që meriton vetes dhe fëmijëve të tyre, madje tashmë ata kërkojnë me ngulm të mësojnë dhe ta trasmetojne atë në breza.
Njëzet e pesë fëmijë janë të regjistruar në shkollën në fjalë, ndërkohë që mësimi sapo ka filluar. E veçanta tjetër që ka sjell shkolla e Nea Redesto-së është ka fëmijë grekë që interesohen të mësojnë shqip, pasi duan të mësojnë shqip ashtu siç kanë mësuar edhe shokët e tyre shqiptar.
Një fenomen i tillë është paksa jo i zakonshëm, por kjo dëshmon se komuniteti shqiptarë është gërshetuar kaq mire tashmë në atë grek, sa diferenca është e pa përfillshme.
Fëmijët grekë mësojnë shqip
Vasili është një djalë grek. Ai jeton në fshatin Nea Redesto dhe pjesa më e madhe e shoqërisë së tij është shqiptare. Dëgjoi nga bashkëmoshatarët e tij se do të hapet një shkollë shqipe dhe nuk ngurroi. Ai ka vendosur të mësojë shqip bashkë me shokët e tij. Bashkë me Vasilin, marrjes së mësimit të shqipes do t’i bashkohen edhe dy bashkëkombas të tij, të cilët për arsye subjektive do t’i bashkohen gjuhës shqipe javës që vjen.
Pala shqiptare
Në hapjen dhe e shkollës shqipe përveç ndihmës së palës greke luajtën një rol të madh edhe përfaqësuesit shqiptarë që ndodhen në Këshillin e Emigracionit. Konkretisht, në hapjen e kësaj shkolle kontribuuan Shqiponja Pepkolaj, Kristo Metja, Spiro Janaqi, Miranda Roçi etj. Ishin këta persona së bashku me ndihmën e prindërve të fëmijëve që bënë të realizueshme një përpjekje ndër vite.
Mësimdhënie vullnetare
Në qytetin e Selanikut pothuajse trembëdhjetë vite më parë filloi mësimdhënia e parë e gjuhës shqipe nga shoqata “Nënë Treze”, e cila vijon mësimdhënien e gjuhës shqipe edhe sot e kësaj dite. Sakaq, shkolla në fjalë nuk është e vetmja që jep mësim shqip në qytetin e Selanikut, pasi një hap për t’u vlerësuar në këtë këndvështrim ka dhënë edhe shoqata “Progresi”, e cila jep mësim vullnetarish në një tjetër zonë të qytetit. Gjithashtu, edhe shkolla e Nea Redesto-së do të ketë një mësuese, e cila do të japë mësim për nxënësit në mënyrë vullnetare.
Ekloida Sula është vajza nga Skrapari, e cila jeton prej vitesh në qytetin e Greqisë veriore tashmë do të jetë mësuesja e njëzet e dy fëmijëve shqiptarë dhe tre grekëve.
“Lufta” e një mirëditorje
Vajzën nga Mirdita e takova rastësisht një vit më parë në një restorant kinez, ku dhjetra gra shqiptare ishin mbledhur për t’i dhënë jetë asaj që ne e quajmë sot organizata “Jeta”. Organizata në fjalë është një organizatë gruaje me seli në Athinë, por që dita-ditës po merr “frymë” në të gjithë Greqinë.
Takimi me Shqiponjën ishte ndryshe, pasi ajo ruante brenda shpirtit të saj një forcë të madhe; dashurinë e madhe për vendin ku u lind dhe u rrit. Kaluan ditët dhe shihja se vajza mirditore dinte të lidhte kaq mirë dialektin me poezinë, madje energjinë e saj të brendshme me komunitetin. Duke qenë nënë e dy fëmijëve të lindur në Greqi, ajo punoi me mish e me shpirt që fëmijët të kishin një mundësi për të mësuar gjuhën e tyre shqipe.
Pas kërkesës në Këshillin Bashkiak, Shqiponja Pepkolaj punoi në mënyrë vullnetare me prindërit e zonës, duke informuar dhe regjistruar dhjetra fëmijë shqiptar.
(Fatime Mënalla, Selanik, Greqi)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.