Gostivar, prindërit nuk pranojnë në një klasë me fëmijët e tyre nxënësen me Sindromën Down

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Maqedoni. Në shkollën “Bashkimi” në komunën e Gostivarit, prindërit e fëmijëve të një klase kanë organizuar një peticion kundër një fëmije me “Down Syndrome”. Nxënësja në fjalë vijon mësimin në sallën e shfaqjeve, ndaras nga fëmijët e tjerë.

Në njërin prej televizione të Maqedonisë, një histori jo e zakonshme dhe e trishtë është transmetuar mbrëmjen e djeshme. Ndryshe nga fëmijët e tjerë, të cilët e nisën vitin shkollor për vitin 2022 më 1 shkurt, Ëmbla 11-vjeçare dje në shkollë qëndroi e vetme dhe jo në klasën e zakonshme me shokë dhe shoqe, kjo pasi prindërit e nxënësve të tjerë të shkollës fillore “Bashkimi” në Gostivar kanë bojkotuar mësimin me pretekstin se Ëmbla ishte agresive ndaj fëmijëve të tyre. 

Embla është një fëmijë me nevoja të veçanta, ajo ka sindromën Down. Kjo është arsyeja pse prindërit e fëmijëve të tjerë nuk duan që ajo të mësojë në një klasë me ta.

“Për shkaqe të pengesës nga nxënësja Ëmbla Ademi në orët mësimore dhe për shkaqe agresiviteti, kemi sjellë vendim nga ana e prindërve që të bojkotohet mësimi nga ana e nxënësve të rregullt”, thuhet në peticionin e nisur nga ana e prindërve.

Drejtori i shkollës është pyetur nga mediat në Maqedoni se “A është e mundur që si pasojë e agresivitetit që pretendohet të ketë Ëmbla, nxënëses t’i ndryshohet klasa çdo dy javë, e madje në të shumtën e rasteve të detyrohet të mësojë në sallën e shfaqjeve, ku qëndron e vetme?”. 

“Ne me prindërit e Ëmblës kemi rënë dakord, që Ëmbla të qarkullojë dhe të bëjë rotacion në tre klasa paralele që kemi. Kjo nuk është një gjë normale, për neve është një gjë e dhimbshme dhe problemi më i rëndë që e kemi. Por prap po e përsëris që në takimin që kemi bërë me prindërit e Ëmblës dhe me institucionet të cilat janë adekuate për këtë çështje, ramë dakord që Ëmbla të mos rrijë me një klasë”, ka thënë Ziadin Nuredini, drejtor i shkollës fillore “Bashkimi”.

Nga ana tjetër babi i Ëmblës ka pohuar se kjo marrëveshje është bërë para tre katër viteve për çështje integrimi të vajzës me bashkëmoshatarët e tjerë.  

“Jo aspak nuk është e vërtetë. Kjo gjë ka qenë kompromis para tre-katër viteve që vajza pastaj të integrohej me një klasë. Ëmbla është mbajtur edhe në sallën e shfaqjeve. Ne e dimë se si mund të jetë kjo sallë, e hapur dhe me një kalorifer të vogël. Kështu që ne nuk kemi qenë dakord dhe kjo gjë ka ndodhur në gjysmë vjetorin e parë të vitit shkollor 2021-2022. Për vajzën tani në shkurt ka filluar gjysmëvjetori i dytë dhe ne jemi të shqetësuar se si do të shkoj halli i saj në shkollë. Sot ndoshta prej jush, medieve, janë ndërgjegjësuar pak dhe asistentja arsimore na porositi që ta çojmë vajzën në klasë me fëmijët e  tjerë”, ka thënë Ilir Ademi, babai i Ëmblës.

Ëmbla më parë ka qenë pjesë edhe e qendrës për fëmijë me nevoja të veçanta, Handimak dhe e drejtori, Adem Idrizi ka thënë se Ëmbla, asnjëherë nuk ka qenë agresive.

“Ëmbla nuk është fajtore për gjendjen e saj. Ne jemi ata që duhet të mbajmë përgjegjësi dhe duhet të kemi një ndërgjegje. Ato nënat që kanë refuzuar dhe kanë protestuar për ta përjashtuar Ëmblën nga shkolla vetëm një minutë të vendosin vetën në pozitën e Ëmblës. Kjo është një mesazh për të gjithë nënat tjera të cilat rezistojnë që fëmijët e tyre të përfshihen. Çdo fëmijë ka vetitë e tij dhe jam i bindur se qasja që bëjnë ndaj Ëmblës nuk ëhstë normale dhe normale që me raste ajo do të bëhet agresive, pasi nuk pranohet nga të tjerët. Por nuk është faji i saj por faji i atyre që punojnë me Ëmblën”, thotë Adem Idrizi, drejtor i “Handimak”.

Ndërkaq në rrejtin e tij social në Facebook i ati i Ëmblës ka shpërndarë këtë postim: 

“Sot (dje) filloi gjysëmvjetori i dytë për të gjithë fëmijët, nxënësit dhe moshatarët e vajzës time… vetëm Ëmbla jonë nuk e gëzoi këtë ditë sepse dikush ia ndalë këtë ndjesi, që mos të filloj me moshatarët e vet….derisa të gjithë gëzohen se fëmijët e tyre nisën gjysëmvjetorin e dytë, na si prindër të Ëmblës e mendojmë kur do të filloj gjysëmvjetori i dytë për Ëmblën pasi që u bojkotua në gjysëmvjetorin e parë nga prindërit (nënat) e moshatarëve të Ëmblës…me hajër na qoftë”.

Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

I përzgjedhuri nga Obama Foundation, Egzon Gashi: Lidershipin tim do ta fokusoj tek arsimi në Kosovë

Next Article

MAS mbyll kopshtin privat në Fier ku humbi jetën fëmija 3 vjeç

Related Posts