Mëdyshjet se kjo gjuhë është tepër e lashtë po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt zbardhjes. Kjo është dhe arsyeja, që sot më shumë se kurrë, duhet të mbushemi me krenari e të bëhemi fisnikë me atë çka ne dhe kombi ynë përfaqësojmë dhe do të përfaqësojmë për qindra shekuj të tjerë.
Shqipja është e vetmja nga gjuhët e pashkruara të Ballkanit të lashtë si trakishtja (që flitej në Rumaninë e sotme), dakisht (që flitej në Bullgarinë e sotme), që ka mbijetuar deri në ditët tona. Gjuhën shqipe përgjatë historisë së hershme e ka ndjekur fatkeqësia “si një gjuhë e shkruar vonë” kur dokumentet e shkruara më të vjetra që njohim për gjuhën shqipe, Formula e Pagëzimit e Pal Engjëllit dhe Fjalorthi shqip-gjermanisht i pelegrinit Arnold von Harff, i përkasin vetëm shekullit XV. Kjo është më vonë se tekstet e para të gjermanishtes së vjetër, që dalin në shekullin VI, frëngjishtes së vjetër dhe të sllavishtes kishtare në shekullin IX.
Por, sidoqoftë, shqipja e shkruar dokumentohet para disa gjuhëve të tjera europiane si rumanishtja, letonishtja, lituanishtja, që dalin se janë shkruar fillimisht nga shekulli XVII. Vetë gjuha shqipe, fjalori i saj i trashëguar, është dëshmia më e vjetër për prejardhjen dhe lashtësine e saj. Në evolucionin e fjalëve e në strukturën e saj gramatikore është gdhendur historia e saj sipas një kodi vetjak, që është mishëruar në rregullat e fonetikës dhe gramatikës. Duke ndjekur evolucionin e fjalëve të shqipes deri në burimin e tyre më të hershëm indoeuropian të 5-6 mijë vjetëve më parë, gjuhëtarët kanë rindërtuar format e njëpasnjëshme të atyre fjalëve deri në format e sotme shqipe, duke krijuar kështu një pamje të përgjithshme të lindjes dhe etapave të zhvillimit të saj.
Tashmë është një fakt i njohur se shqipja bën pjesë në familjen gjuhësore indoeuropiane, që përfshin thuajse tërë gjuhët e sotme të gjalla të Europës dhe disa gjuhë të gjalla e të vdekura të Azisë. Familja e gjuhëve indoeuropiane është studiuar më shumë e njohur më mirë se sa çdo familje gjuhësore e botës dhe deri me sot nuk ka qenë e mundur të provohet shkencërisht se ajo lidhet gjenetikisht me ndonjë familje tjetër gjuhësore. Lindja e gjuhësisë indoeuropiane është lidhur me emrin e William Jones-it (1746-1794), ndonëse më shumë se një shekull para tij, studiuesi hollandez Marcus Zuerius van Boxhorn (1612 –1653) kishte arritur në të njëjtin përfundim me të, se disa gjuhë të Europës ashtu sikurse edhe persishtja e indishtja e vjetër kishin dalë nga një gjuhë më e vjetër, tanimë e zhdukur.
Nga fillimi i shekullit XIX deri në ditët tona, kjo ide nxiti një ortek studimesh të panjohur ndonjëherë më parë në fushën e gjuhësisë, të cilat i çuan gjuhëtarët në përfundimin se të gjitha gjuhët e sotme dhe ato të zhdukura të Europës (veç baskishtes, hungarishtes, finlandishtes dhe estonishtes) dhe gjuhë të tjera të sotme (indishtja e vjetër, persishtja etj.) dhe ato gjuhë të zhdukura të Azisë, ishin bija të një gjuhe të vetme. Kjo gjuhë ishte folur nga një popull që, shumica e historianëve, gjuhëtarëve dhe arkeologëve besojnë të ketë jetuar mbi 6 mijë vjet më parë në një truall që shtrihej në stepat e Europës lindore, midis maleve Urale, Detit Kaspik dhe lumenjve Vollga e Don. Procesi i formimit të gjuhëve bija të asaj gjuhe nënë të familjes së sotme indoeuropiane mendohet të ketë nisur rreth 5 mijë vjet më pare. Ndër gjithë popujt indoeuropianë, ata që e shkruan të parët gjuhën e tyre, qysh në shekullin XVIII p.e.s., ishin hititët, një popull anadollak që jetonte në Turqinë e sotme e në Sirinë e Veriut. Sot gjuhët indoeuropiane përfaqësojnë grupin e gjuhëve më të përhapura të botës, me rreth 3 miliard veta që i flasin ato si gjuhë të nënës dhe rreth 1 miliard si gjuhë të dytë. Gjuha shqipe (ose thjesht shqipja) është gjuhë dhe degë e veçantë e familjes indo-evropiane të folur nga më shumë se 6 milionë njerëz, kryesisht në Shqipëri, Kosovë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe në zona të tjera të Evropës Jugore ku ka një popullsi shqiptare, duke përfshirë Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës duke qenë gjuha zyrtare e Shqipërisë dhe Kosovës, dy shtete shqiptare në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kontinentit Europian.
Gjuha shqipe ngjalli interes si gjuhë me karakteristika të veçanta, teksa studiuesi i parë që u mor me prejardhjen e gjuhës shqipe ishte “Aristoteli i kohëve të reja”, por njëkohësisht edhe “një dijetar i hershëm i vërtetë i gjuhës shqipe” filozofi gjerman Gottfried Wilhelm Leibniz (1646–1716), që iu përgjigj një kërkese të Bibliotekës Mbretërore të Prusisë për të dhënë një mendim se ç’ishte dhe nga vinte gjuha shqipe. Me etimologjitë e tij, mjaft të sakta për kohën, ai arriti në përfundimin se shqipja ishte gjuha e ilirëve. Ndërkohë përmes një punimi të kushtuar shqiptarëve dhe shqipes, studiuesi gjerman Josef Ritter von Xylander (1794-1854) gjithashtu përforcoi idenë se gjuha shqipe i kishte rrënjët tek ilirët që ishin “të lidhur nga gjaku me trakët”. Vetëm nga mesi i shekullit XIX, gjuhëtari gjerman Franz Bopp (1791-1867), një nga themeluesit e gjuhësisë krahasimtare indoeuropiane, nëpërmjet një studimi të veçantë kushtuar prejardhjes së gjuhës shqipe, vërtetoi përfundimisht se ajo bën pjesë në familjen gjuhësore indoeuropiane. Disa vite më vonë, nën ndikimin e frymës evolucionare darviniane, August Schleicher (1821- 1868), paraqiti skemën e parë të pemës gjenealogjike të familjes së gjuhëve indoeuropiane dhe përcaktoi vendin e shqipes në të, krahas tetë gjuhëve të tjera indoeuropiane. Sipas asaj gjenealogjie, të gjitha gjuhët indoeuropiane rrjedhin nga një burim i përbashkët, nga një gjuhë e stërlashtë indoeuropiane.
Shumë gjuhëtarë të huaj e vendas megjithëse nuk kanë gjetur dokumente të shkruara kanë shprehur bindjen se ka ekzistuar edhe gjuha ilire, që i përket familjes së gjuhëve indoevropiane dhe ka qenë folur në pjesën perëndimore të Ballkanit. Nga gjuha ilire janë trashëguar sot rreth 1000 emra njerëzish, perëndish, fisesh, vendesh, lumenjsh e malesh që janë gjetur në mbishkrime të ndryshme, në shkrimet e autorëve të vjetër grekë e latinë, si dhe në monedhat e gjetura në teritoret ilire. Nga studimi i tyre është arritur në përfundimin se gjuha ilire bën pjesë në grupin e gjuhevë indoeuropiane. Me anë të gjuhës shqipe, studiuesit sot kanë mundur të shpjegojnë kuptimin e shumë fjalëve ilire si: bilë (bijë), sika (thika), aran (arë), baro (bari) etj. dhe emrat ilirë si Bardhyl, Agron, Teuta, Genti, Pirro, emra të cilët përdoren edhe sot në trevat shqiptare. Fakti që shqipja, si gjuhë moderne, përfaqëson një degë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane bashkë me armenishten dhe greqishten, e bën atë një gjuhë të veantë dhe me shumë interes për albanologë të ndryshëm që e studiojnë atë prej qindra vjetësh.
Gjuha lidhet me përparimin mendor të njeriut. Fakti që shumë autorë kanë punuar për të treguar lashtësinë e gjuhës sonë dhe fakti tjetër që gjuha jonë nuk është zhdukur si disa gjuhë të tjera të njohura, tregon se ne shqiptarët nuk qenkemi ai kombi i prapambetur mendërisht, siç pandehin ca. Është pikërisht kjo, gjuha jonë shqipe, ajo me të cilën përshëndetemi çdo ditë, grindemi, shahemi, falenderojmë, mësojmë. Ruajtja e gjuhës shqipe përbën në mënyrë absolute një nga vlerat që ne gëzojmë si komb. Trojet pushtohen e çlirohen, veshjet përshtaten e po kështu zakonet, por gjuha mbetet përjetë, duke qenë element parësor kombformues.
Sot, shqipja po bëhet gjithnjë e më shumë një faktor bashkues dhe njësues i të gjithë shqiptarëve, ndonëse ka edhe përpjekje përçarëse që përpiqen të ngrenë në piedestal dialektet përmbi gjuhën letrare, me qëllim shkatërrimin e kësaj të fundit. Interneti flet tashmë shqip, ndërsa edhe programet e Microsoft kanë regjistruar gjuhën tonë prej dy vitesh. Libri shqip nuk po njeh më caqe e me këtë, po shlyejmë një mangësi që dikur ka qenë pengesë për të mbrojtur historinë tonë. Libri shqip për të mësuar emigrantët shqiptarë është gjithashtu një vlerë. Studiuesit e huaj kanë rritur interesin e tyre për të njohur shqipen, kurse nxënësi shqiptar gjen një lehtësi të jashtëzakonshme për të mësuar edhe nëse ndodhet në një mjedis joshqiptar. Tradita vazhdon e gjuha shqipe rimëkëmbet. Mëdyshjet se kjo gjuhë është tepër e lashtë po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt zbardhjes. Kjo është dhe arsyeja, që sot më shumë se kurrë, duhet të mbushemi me krenari e të bëhemi fisnikë me atë çka ne dhe kombi ynë përfaqësojmë dhe do të përfaqësojmë për qindra shekuj të tjerë.
Arlind Kamberi, Klasa XI-4, Shkolla: “Ernest Koliqi”, Tiranë
N. Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.