Në një moment m’u duk sikur isha në ditën e parë të karrierës time! M’u kujtua thënia: “Kur shkruani historinë e jetës tuaj, mos lejoni që dikush të mbajë penën”. Gjurmë të bullizmit që do të uroja të mos mbeteshin tek asnjë rast…
“Kur shkruani historinë e jetës tuaj, mos lejoni që dikush të mbajë penën”
Në përpjekje për të kuptuar, atë çfarë ti nxënës kërkon të më shprehësh me sy dhe jo me fjalë. Qershori ikën. Vitet kalojnë dhe mendojmë që eksperienca në punë, na bën të jemi, më vetbesues me veten. Shtatori vjen. Në bankat e klasës ulen nxënës të rinj.Vështrimi i tyre në ditët e para, është habitës.
Flas me veten: Janë të vegjël 11/12vjeçarë (kur mendoj që nxënësit që lashë ishin 15/16 vjeçarë),gjithçka për to është e panjohur (shokët/shoqet e rinj, mësuese/mësues të rinj, ambiente të reja). Për ti qetësuar, e për të qenë miqësore me ta u them: “Zgjidhni shoqen/shokun e bankës dhe uluni”. Çlirohen, qeshin dhe kanë një ecje të shpejt, drejt bankës që ato duan të ulen.
Bëj shumë përpjekje në ditët në vijim, sepse dy vështrime më shqetësojnë. Ato mendojnë se me ambientin e ri janë përshtatur, por sytë e tyre i tradhtojnë. Njëri nga vështrimet tregon frikë, tjetri diçka kërkon të më thotë. Kërkoj një takim me prindërit e klasës për ti njohur dhe për të gjetur çelësin e këtyre vështrimeve.
Mu deshën vetëm pak minuta.
- Nxënësi me vështrim të frikësuar, kishte një baba autoritar sepse pashë, që fëmija në prezencën e të atit, filloj të mblidhte supet dhe në një moment mendova se u zvogëlua fare. Në diskutimin që pata dhe mbështetjen që i dhashë nxënësit, mora buzëqeshjen e parë dhe një frymëmarrje të thellë nga ana e tij. Çelësin tashmë për këtë nxënës e kisha në dorë. Ai nxënës kërkonte t’i zgjasje dorën, e të nënkuptonte që ti ishe aty, për ta mbështetur e ndihmuar.
- Ajo çfarë më bëri habi, ishte se prindi tjetër (i nxënësit që nëpërmjet syve donte të më thonte diçka) komunikoi me mua pa prezencën e fëmijës. Arsyen e kuptova pas bisedës. Fëmija ishte dhunuar psikologjikisht nga shoku i tij një vit më parë në mënyrë sistematike. E pa shpjegueshme, që një fëmijë 11 vjeçar të ketë “forcën” për të dhunuar psikologjikisht një 11 vjeçar tjetër.
- Nxënësja në fjalë fillimisht kishte shfaqur dhimje barku, të vjella, gjendje të fikti, në një periudhë të gjatë. Pas peripecive në spitale u arrit në përfundimin, që gjithçka ishte psikologjike. Mu desh të shfletoja informacione mbi bullizmin, e të kërkoja ndihmë e bashkëpunim me kolegët.
Duhet të isha shumë e kujdesshme. Të dy nxënësit janë në të njëjtën klas ,”loja” ndërmjet tyre kishte filluar. Njëri potent dhe zotërues, tjetri kërkonte hapësirë. Çelësin tani e kisha në dorë, por ky çelës kishte një peshë të madhe. Në një moment m’u duk sikur isha në ditën e parë të karrierës time! M’u kujtua thënia: “Kur shkruani historinë e jetës tuaj, mos lejoni që dikush të mbajë penën”. Gjurmë të bullizmit që do të uroja të mos mbeteshin tek ky rast.
Sajmira Lami
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.