Gjërat të cilat mësuesi që ju zëvendëson duhet t’i dijë

Dosja juaj për mësuesin zëvendësues duhet të përfshijë disa informacione kyçe në mënyrë që klasa juaj të mos humbasë asnjë hap.

Sa më shumë informacion që një mësues mund t’i japë një zëvendësuesi, aq më pak presion ka mbi atë zëvendësues. Zëvendësuesi më pas mund të ndihet i sigurt, duke e ditur se di si të reagojë në çdo situatë.

Transmetimi i njohurive

Përveç planeve të mësimit, rregullave zyrtare të shkollës dhe orarit të autobusëve, është e dobishme të krijoni një paketë të detajuar informacioni për mësuesin tuaj zëvendësues.

Paketa juaj duhet të përfshijë:

– Procedurat e urgjencës në shkollë, shembull në rast zjarri. 

– Të qenit i informuar mbi sjelljen e nxënësve dhe problemet e së kaluarës. “Është gjithmonë mirë të dish se cilët fëmijë do të jenë të dobishëm dhe cilët do të jenë fëmijët qesharakë, fëmija me humor që do të përpiqet t’ju thotë se emri i tij është George kur ai në të vërtetë quhet Bob”, thotë Bon Crowder, mësues matematike.

– Shqetësimet shëndetësore. Për siguri, është e rëndësishme t’i komunikohet mësuesit zëvendësues nëse ndonjë student ka astmë, diabet ose alergji.

– Detyra të veçanta. Nëse ndonjë nxënës ka nevojë për detyra më të thjeshta, sigurohuni që mësuesi zëvendësues të jetë i njoftuar më herët në mënyrë që t’i ketë gati.

– Harta e shkollës. Njoftoni mësuesin se ku janë zonat e rëndësishme, si zyra, klasat, banjat, kafeteria, salla e mësuesve, këndi i lojërave dhe parkingu.

– Emrat e bashkëpunëtorëve të dobishëm. “Është gjithashtu e dobishme të kesh një listë të të tjerëve në shkollë që mund të ndihmojnë nëse lind një problem”, thotë Friedrich. Jepni emrat e mësuesve, së bashku me drejtorin, zëvendësdrejtorin, infermieren e shkollës dhe kujdestarin.

– Këshilla teknologjike. “Tregojuni zëvendësuesve nëse mund të sjellin laptopët e tyre personalë, iPad-ët dhe telefonat celularë”, thotë Crowder. Sigurohuni që të përfshini fjalëkalime të rëndësishme, si fjalëkalimin e WiFi-së.

– Kur bëhet fjalë për procedurat në klasë dhe planet e mësimit, jini sa më specifik që të jetë e mundur. “Sa më shumë detaje të mund t’i lini një zëvendësuesi, aq më mirë”, thotë Friedrich. “Lërini të dinë se si dëshironi të zbatohen mësimet dhe çfarë të bëni gjatë aktiviteteve.”

Hiq presionin nga zëvendësuesi

Mësuesit zëvendësues kanë nevojë për të gjithë ndihmën që mund të marrin. “Zëvendësuesi duhet të mbikëqyrë, kështu që unë përpiqem të heq çdo mundësi për nxënësit që të hyjnë në një debat me zëvendësuesin”, thotë Williams.

“Unë përpiqem të krijoj aktivitete për të hequr presionin nga mësuesit zëvendësues”, thotë Williams.

Shumë tekste shkollore ofrojnë shtesa mësimore të zgjeruara pas çdo kapitulli. Crowder rekomandon heqjen e detyrave shtesë për një mësues zëvendësues. “Nxënësit mund të kthehen në Kapitullin 1, edhe pse e kanë zotëruar tashmë atë”, thotë ajo. “Zakonisht këto gjëra kanë një lloj tjetër vlerë shtesë, si një këndvështrim historik ose një mësim zbulimi.”

Mbi të gjitha, jini sa më të detajuar me udhëzimet tuaja për zëvendësuesin.

“Problemet e mia më të mëdha si mësues zëvendësues erdhën kur problemet e sjelljes nuk u bënë të njohura, planet mungonin ose ndryshimet e orarit ishin të panjohura”, thotë Friedrich. “Kështu që me të vërtetë të mendoni për planet tuaja dhe të siguroni sa më shumë informacion që të jetë e mundur është gjëja më e mirë.”

Burimi: Klikoni këtu 

Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Këshilla për takimet prindër-mësues

Next Article

“Sociologjia shpëton jetë” nga Ledjo Zeneli

Related Posts