Gëzuar 7 Marsin mësuese! Gëzuar Sistem!

Sistemi është përfshirë nga ethet e riformatimit të arsimit, në përpjekje për t’i kthyer mësuesit dinjitetin e nëpërkëmbur, unë gjej forcën të pohoj se dinjitetin që e promovojnë çdo vit, mësuesit nuk e kanë humbur…

Ora 5 pasdite. 

Ajo është aty, duke pritur në klasë që të përfundojë mësimi i anglishtes. Kalon aty pari një vogëlushe nga të sajët. Ndalon sepse e sheh dhe…si fillim një përqafim të gjatë. 

– Mse, pse je akoma këtu?

– Mse kam një pyetje që kam 100 vjet që dua të ta bëj: pse një letër kur bie lëviz fsh, fshshshsh (me një mimikë besnike) këndej e andej….kurse një gur bie direkt poshtë?

– Ta shoh pak tani përsëri enën me ujë, vaj dhe ngjyrosës…se mos ketë ndryshuar ndonjë gjë aty që nga dreka….

Kështu që ato flasin nja një çerek ore të mirë dhe mësuesja harron që duhet të ikin. 

Më 5 pasdite mësuesja e lodhur nuk ka asnjë pyetje për t’i bërë botës, kurse e vogla po. 

Pikërisht në një moment të tillë, kur tërë sistemi është përfshirë nga ethet e riformatimit të arsimit, në përpjekje për t’i kthyer mësuesit dinjitetin e nëpërkëmbur, unë gjej forcën të pohoj se dinjitetin që e promovojnë çdo vit, mësuesit nuk e kanë humbur…Arsyeja? Dëgjojeni! Po vjen duke i rënë fort sirenës një tren me momente si ky, me një vogëlushe që do të rrinte orë të tëra duke dëgjuar mësuesen e saj, pikërisht në klasën ku është lodhur gjatë mësimit, në vend që të shkonte në shtëpi dhe të kotej para një Ipad-i a një maçoku. 

Por ajo, një vogëlushe 7 vjeçare, rri aty në këmbë, ose ulur në karriget e parehatshme, përtej kohës së shkollës, duke i dhënë edhe mësueses së saj një mësim që nuk do ta harrojë ndonjëherë: 

E dashur mësuese ata dinë të të duan… edhe kur sistemi thotë të kundërtën.

Dhe ti e dashur mësuese pastaj i tregon sistemit atë…atë tjetrin që ka gjetur zgjidhjen e problemit duke u hedhur përpjetë nga karrigia, por në moment ngre shpatullat dhe ul kokën duke pritur reagimin tënd:

-Aaa jo kështu, do na hipësh sipër bankave…

Por në fakt ti nuk nxjerr zë, sepse ai entuziazëm është çarmatosës.

Pa i rrëfen edhe atë sykaltrën që në orën e fundit të së premtes, gjatë pushimit krejtësisht të merituar vjen dhe: 

– Ai më tha që jam shumë e vogël për të zbuluar atë gjënë.

– Cilën gjë zemër?

– Pooo…nuk e di, por ai thotë që unë jam shumë e vogël. 

– Të të them një sekret: që të dy jeni njësoj, edhe ai 7 vjeç është. 

– Ooo mësuese poooo.

Ja kështu edhe ajo e zgjidhi problemin e sotëm e mbase mori besimin se problemet zgjidhen, ndërsa “Ai” sigurisht që do të mërzitet, por do t’i kalojë.

………………..

Ndonjëherë, nëse shoh nga dritarja ose eci nëpër rrugë, kërkoj botën e fëmijëve, por nuk e shoh. Në tv nuk e gjej, apo edhe në lajme kur flitet për fëmijët dhe gjithçka shkon deri në 8 minuta…. Nuk duhet të ndodhë kështu, por kështu ndodh ama. 

Ku është bota e fëmijëve?

Ajo që unë dhe ju nuk e shihni është aty, grumbulluar para derës së klasës, mbi fletoren e shkarravitur, pas orës së muzikës, në lotët mbi faqe, në bisedat e lodhura. Sepse të jesh mësuese nuk do të thotë vetëm të japësh mësim, por edhe të bësh psikologun, mamanë, kitaristin, boksierin etj. 

Përsëri, në një tjetër ditë, ndërsa bëj blerjet e radhës në supermarket, më ngatërrohet këmbësh një vogëlush bashkë me pyetjen: Fëmijët tanë a e kanë realisht mundësinë të shpallin këndvështrimin e tyre që ndonjëherë ndodh të jetë krejt i kundërt nga ai i yni, apo thjeshtë mendimi i tyre. 

Këto dy pyetje dua t’i bëj sistemit. 

Unë, njësoj si sistemi nuk di t’i përgjigjem, sepse nuk arrij të shoh botën e fëmijëve. 

Por një mësuese nuk është si ne. 

Në një orë të zakonshme mësimi gjithkush sjell diçka: një pelush, një fustan të vogël, një biberon, një kruajtëse dhëmbësh etj. Mësuesja i vendos dukshëm në një tavolinë dhe fëmija nis e rrëfen marrëdhënien me këtë objekt. Në fund të fundit idetë e goditura vijnë natyrshëm nga fëmijët. Dhe mbi atë tavolinë rrëfehen historitë. Rrëfehen nga vetë të vegjlit. Shfaqet bota e tyre. Mbase duhet të kujtojmë më shpesh se sa bukur është t’i dëgjosh sepse vërtetë ne kemi ç’të mësojmë prej tyre, edhe pse ata vetë kanë ende shumë për të nxënë.

Sistem, kujtohu! Është fat i madh që ende kemi mësues. Mos u kënaq me këtë, por motivoji. Gëzuar 7 marsin ti mësuese edhe Sistemi…

(Natasha Shuteriqi Poroçani, Portali Shkollor)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

“Beteja e trurit”, konkurs mes klasave të dhjeta

Next Article

Mësuesja ime e parë

Related Posts