Galeni, i pari që futi në mjekësi konceptin e eksperimentit

Edhe pse disa nga përfundimet e Galenit kanë qenë të gabuara, 129 vëllimet që ka lënë pas janë një kontribut fenomenal për shkencën e mjekësisë dhe pikënisje nga ku mjekët e periudhës së Rilindjes kanë mundur të fillojnë betejën e tyre kritike.

Galeni nga Pergama

130 – 201

Kronologji

Lindi në vitin 129 në Pergamë (Pergamon) (Bergama e sotme në Turqi).

• Në vitet 148 – 157 udhëton në Korint e në Aleksandri dhe studion atje.

• Në vitin 157, mjek i gladiatorëve në Pergama.

• Në vitin 161, mjek i mbretërve romakë, Mark Aurelit dhe Komodusit.

• Më 1628, sistemi i qarkullimit të gjakut, i propozuar nga Uilliam Harvei, u bë alternativa e parë e zbatueshme në sistemin e Galenit.

Në dallim nga dijetarët e tjerë të këtij libri, Galeni nuk u bë i famshëm për ndonjë arritje të veçantë, por për veprën shumëvëllimshme absolute në fushën e mjekësisë. Edhe kjo mbase mund të mos qe e mjaftueshme për përfshirjen e Galenit këtu, po të mos përmendej fakti që kjo vepër u pranua si autoriteti i vetëm i mjekësisë për 1400 vitet e ardhshme.

I paprekshëm për një mijëvjeçar

Parashtrohet pyetja “Pse?”. Disa mendimtarë sugjerojnë përgjigjen: Studimet e Galenit janë aq gjithëpërfshirëse, sa pasardhësve u mbetet shumë pak për t’u diskutuar. Një përgjigje tjetër ishte se si autoritetet arabe, të krishtera dhe ato hebreje janë treguar të gatshme për ta përqafuar veprën e tij, duke i dhënë një peshë të padiskutueshme. Përgjigjja e tretë mund të ishte se Galeni në tekste nuk ka futur vetëm zbulimet e veta, por ka grumbulluar zbulimet më të arrira të të gjitha kohërave, të njohurive nga mjekësia, p.sh., të Hipokratit. Galeni e përshtati qasjen e Hipokratit, “katër humorët” këtë në veprën e vet, gjë që përbën edhe një ndër arsyet kryesore të rezistencës së saj për gjithë këtë kohë.

Studimet e Galenit kanë qenë aq gjithëpërfshirëse, saqë pasardhësve

të tij u kanë mbetur shumë pak gjëra për të diskutuar.

STUDIUES i ndërgjegjshëm

Nuk mund të themi se Galeni nuk pati edhe mendime origjinale. Ai ka qenë mjaft i përpiktë si nga ana shpjeguese, ashtu edhe metodike në kërkimet e tij në fushën e mjekësisë, veçanërisht në anatomi. Shumë njerëz të rëndësishëm shkonin në tempullin e Eskulapit, perëndisë greke të shërimit, në qytetin e lindjes së Galenit, me synimin për t’u shëruar nga ndonjë sëmundje. Kësisoj, Galeni i ka parë nga afër simptomat e sëmundjeve dhe mënyrat e shërimit të tyre. Pas qëndrimeve të shkurtra në Smirnë (Izmiri i sotëm, Turqi), Korint dhe Aleksandri, ku studioi filozofi dhe mjekësi, të cilat i ka trajtuar si të pandara (duke studiuar edhe raste te kafshët), u kthye në Pergam në vitin 157. Për katër vjet qe mjeku i gladiatorëve, ku fitoi një përvojë të madhe nga praktika mjekësore në anatomi.

MJEKU I MBRETËRVE

Me këtë përgatitje shumë të mirë u shpërngul në Romë, ku ushtroi pjesën më të madhe të aktivitetit të tij profesional dhe u bë mjeku i vlerësuar i Mark Aurelit, Lucia Verës, Komodusit dhe Septimius Severit. Kjo pozitë, përveç respektit, i dha atij edhe lirinë për të vazhduar studime dhe kërkime më të thelluara. Gjithsesi, atij nuk i lejohej të eksperimentonte me kufomat e njerëzve, prandaj ai studionte kafshët, veçanërisht majmunët afrikanë, pasi ata kishin më shumë ngjashmëri me njerëzit. Përfundimet më të rëndësishme lidheshin me funksionin qendror të trupit të njeriut. Për fat të keq, ato kanë pasur kaq ndikim sa, gjatë 1500 vjetëve të ardhshëm, u ndërpre çdo përpjekje për zbulime të reja.

Galeni besonte se gjaku prodhohej në mëlçi, burimi i shpirtit natyror. Ky organ ushqehej nga përbërja që vinte nga stomaku. Nga mëlçia, gjaku shpërndahet në të gjithë trupin, dhe shndërrohej në mish. Prandaj mëlçia çdo ditë kërkon ushqim shtesë, që ta shndërrojë në gjak. Një sasi e këtij gjaku kalon në barkushen e djathtë të zemrës, pastaj futet në barkushen e majtë dhe përzihet me ajrin e mushkërisë, duke krijuar shpirtin jetësor, i cili rregullon temperaturën e trupit dhe qarkullimin e gjakut.

Me ndihmën e arterieve, një pjesë e gjakut transportohet në tru, ku përzihet me shpirtin kafshëror. Ky është përgjegjës për lëvizjet dhe ndjenjat. Bashkimi i këtyre tre shpirtrave drejton trupin dhe kontribuon në formimin e shpirtit. Në logjikën e mendimeve të tilla, Galeni nuk ka arritur tek ideja e një sistemi të vetëm e të plotë të qarkullimit të gjakut, fakt të cilin bindshëm e ka vërtetuar Uilliam Harvei në vitin 1628.

TRASHËGIMIA E GALENIT

Edhe pse disa nga përfundimet e Galenit kanë qenë të gabuara, 129 vëllimet që ka lënë pas janë një kontribut fenomenal për shkencën e mjekësisë dhe pikënisje nga ku mjekët e periudhës së Rilindjes kanë mundur të fillojnë betejën e tyre kritike. Duhet të përmendet fakti se Galeni qe i pari që futi në mjekësi konceptin e eksperimentit. Shumë nga gabimet anatomike që gjenden te Galeni, shpjegohen me faktin se ai eksperimentoi vetëm me kafshët, duke qenë se autopsia e kufomave njerëzore në atë kohë ka qenë e ndaluar. Thuhet se Galeni është bërë mjek për shkak se Eskulapi (Asklepi), perëndia e shërimit, iu shfaq të atit në ëndërr.

100 shkencëtarët që ndryshuan botën, përkthyer Latif Ajrullai, Albas


© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Për mësuesit, për ne!

Next Article

Trajnimi për nxënësit me AK, pjesëmarrja tejkalon pritshmëritë

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427