Flori Kasaj, studenti ekselent punon në Call Center

Flori Kasaj sapo ka përfunduar vitin e dytë master shkencor në Fizikë me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Shkencave të Natyrës pranë Universitetit të Tiranës.

Gjatë viteve të studimit ishte pjesë e Këshillit Studentor ku vetë studentët e tjerë konfirmojnë kontributin e rëndësishëm që ka dhënë vullnetarisht duke i njoftuar dhe ndihmuar rreth problematikave dhe njoftimeve më të fundit në një grup me më shumë se 5000 antarë studentë të këtij fakulteti në rrjetin social Facebook. 

I nxitur nga pasiviteti i studentëve dhe nga jeta studentore e përgjumur, lë këshillin studentor dhe krijon Forumin Rinor të Shkencave, të cilin e drejton prej 1 viti. Forumi Rinor i Shkencave është një platformë studentore që ka për qëllim Jetë Studentore Aktive, duke i angazhuar, nxitur dhe promovuar vlerat e studentëve duke ofruar mundësinë të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme të organizuara gjithmonë pa pagesë dhe gjithmonë në progresin e dijes së tyre.

Numërohen mbi 30 certifikata të trajnimeve me tematika të ndryshme ku ka marrë pjesë dhe dhjetëra seminare e konferenca. 

Përjashtuar familjen, i vetmi burim financiar i tij është puna në call center. Gjatë jetës studentore ka punuar part-time në call center, së fundmi prej 1 viti e gjysmë punon në Kompaninë Promarketing në Tiranë. Jo vetëm për të, por për të gjithë studentët call centeri është e vetmja mundësi për të siguruar të ardhura të mjaftueshme, përveç orarit part-time/full-time është e vetmja shpresë e një të riu në proces studimi apo që sapo ka përfunduar studimet dhe kërkon punë. 

Për ta njohur pak më shumë Florin ne kemi zhvilluar një intervistë të shkurtër me të duke i drejtuar disa pyetje. Përpos faktit që njohëm një djalë me vlera zbuluam dhe disa problematika që hasin të rinjtë shqiptar.

Pse në call-center?

Call center sepse nuk kërkon eksperiencë pune minimumi 5 vjet siç kërkojnë punët e tjera;  nuk kërkon të jesh i angazhuar në forume politike; nuk kërkon ryshfete apo miq për një post pune siç ndodh rëndomtë në Shqipëri. 

Kjo është mundësi shumë e mirë për të marrë një eksperiencë pune, përvetëson gjuhën e huaj (italishten në këtë rast), aftësohesh në botën e marketingut, dhe bëhesh një “llafazan” i zoti, gjë që duhet në jetë, sidomos në Shqipëri. (qesh)

E sheh punën në Call Center si afatgjatë?

Për shumicën e të rinjve mendoj se është një mundësi e mirë për të bërë karrierë, sesa të qëndrojnë papunë apo të punojnë kamarierë. Unë personalisht, duke kaluar dhe një eksperiencë prej 2 viti e ca në total mendoj se kam fituar mjaftueshëm dhe kësaj pune po i vjen fundi.

Jam plotësisht i gatshëm, i aftë dhe i trajnuar për të dhënë kontributin tim në vendin ku jetoj duke u pozicionuar një vend pune të mirë dhe stabël.

E di që do jetë e vështirë për të arritur atje ku dua, por di që asgjë nuk është e pamundur.

Për studentët e shkëlqyer programi studimor nuk parashikon ndonjë mbështetje, punë apo kërkim shkencor?

Fatkeqësisht jo, edhe bursa e studimit njeh vetëm studentët me notë mesatare 10.0 në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të UT-ës ky rast është i pamundur; mesatarja 9.81 që unë kam aktualisht edhe pse renditem si i pari dhe i vetmi me këtë mesatare ndër këto vite në departamentin e Fizikës nuk jam përjashtuar nga tarifa e studimit. Theksoj që studenti i dytë që vjen pas meje është me mesatare poshtë notës 9. 

Për punë dhe Kërkim shkencor nuk di ç’t’ju them më shumë përveç se “jetojmë në Shqipëri”.

Është e vërtetë që shumica e moshatarëve të tij duan të largohen nga vendi; edhe ai vet është tunduar disa herë ta bëj një veprim të tillë, por vet dashuria për vendin dhe dëshira e madhe për të kontribuar dhe ndryshuar Shqipërinë e mban atë peng këtu. Sot drejtoj një forum, nesër do kem fatin të edukoj të rinjtë, të jem një nëpunës i mirë apo të jem një lider i zot.

Ndonjë mesazh për të rinjtë?

Në Shqipëri e dimë tashmë që jetesa është shumë e vështirë, mos të rrinë kafeve, llotove apo të ankohen, ose mbledhin mendjen të largohen nga Shqipëria, ose të përveshin mëngët, të trajnohen dhe aftësohen, të kërkojnë me ngulëm dhe forcë fatin dhe jetën e tyre, të punojnë fort për të realizuar ëndrrën dhe ta mposhtin pesimizmin me optimizëm.

Në qoftë se do kishte një shprehje për jetën time do ishte ajo e Jason Th.

U ngjita në majë me shumë vështirësi, duke luftuar dembelizmin dhe injorancën time në çdo hap, kjo shprehje duhet të personifikojë gjithsecilin nga të rinjtë edhe pse jemi të vetëdijshëm që sistemi i menaxhimit të politikave në vend ka sjellë shumë pasoja të rënda për rininë shqiptare.

Fatjona Kazani

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Tekstet shkollore falas, nisma pilotohet këtë vit shkollor (viti akademik 2018-2019)

Next Article

Standardet e projektimit të shkollave

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427