Gjatë një interviste dhënë për Portalin Shkollor Albas mësuese Enriketa Zeqo rrëfen për eksperiencën e saj shumë vjeçare të punës së bërë vullnetarisht për fëmijët me aftësi ndryshe dhe se si ajo konkretisht ka arritur t’i integrojë ata. Në këtë 3 dhjetor mësuesja apelon për edukimin të mëtejshëm të tyre.
“Sot është Dita e personave me Aftësi të Kufizuar. Jam me fat që kam kontribuar modestish për disa prej tyre. Më besoni: Janë asete.” – Ishte pikërisht ky status i mësueses Enriketa Zeqo, në profilin e saj të Facebook, që na shtyu të zbulonim diçka më shumë nga përvoja e saj e veçantë me fëmijët të diagnostikuar me aftësi ndryshe.
Zj.Enriketa, ju jeni njohur dhe keni dhënë mbështetjen tuaj për fëmijët me aftësi ndryshe që 18 vite më parë, kohë kur për këtë gjë dihej dhe flitej shumë pak… Mund të na rrëfeni pak nga ky fillim i juaji për këtë kontribut dhe si u përfshitë, çfarë ju shtyu?
Historia ime për të dhënë kontributin tim modest për nxënësit me Ak, filloi rreth 18 vjet më parë më shumë si një dhembshuri nëne, sesa një përgjegjësi profesionale.
Një mikesha ime, në atë kohë drejtore e një institucioni ku trajtoheshin fëmijë me prapambetje mendore (rezidencial), më rrëfeu me lot në sy se, në qendrën e saj ishte një vajzë që dallonte nga të tjerët dhe që drejtoresha zonja Eglantina Shtrepi donte të bënte diçka më shumë për të.
Ajo e shprehu hapur dëshirën që për Kristinën donte që të arsimohej. Pa më të voglin hezitim pranova që Kristina të vinte në klasën time. Në atë kohë ajo i kishte mbushur 15 vjeç.
Nuk e mendoja kurrë që të pranoj në shkolle një fëmijë të tille (me problemet e shëndetit mendor dhe pa familje) do të përbënte për mua një sfidë persa i përket suportit të institucioneve përgjegjëse.
Si e theksova dhe me lartë, Kristina i kishte mbushur 15 vjeç dhe si e tillë nuk mund të regjistrohej në klasë të parë dhe ligji për nxënësit me Aftësi të Kufizuar ende nuk ekzistonte.
Kristina filloi normalisht shkollën, dhe pak ditë më vonë asaj iu bashkua dhe Paula. Përparonin mirë në abetare dhe kishin shumë dëshirë Edukimin Muzikor.
Çfarë do të thotë të jesh mësuese e fëmijëve të cilët për fatin e tyre të keq janë diagnostikuar me prapambetje mendore?
Te qënurit mësuese e këtyre fëmijëve ka qenë për mua një sfidë. Përveç faktit që ishin fëmijë me AK, ata ishin dhe pa familje. Jetonin në qendra rezidenciale dhe sfidat e të integruarit në shkollë si gjithë fëmijët e tjerë ishin padyshim shumë të mëdha.
Ka pasur plot raste që Kristina nuk vinte në shkollë, sepse nuk kishte kush e sillte, ose shëndeti i saj mendor rëndohej ngaqë kujdestarja nuk e kishte ndihmuar të bënte detyrat.
Rastet në fjalë janë raste kur nxënësit me AK nuk ishin përfshirë në Arsimin Parauniversitar të detyruar dhe kjo punë bëhej me dashuri profesioniste dhe dhembshuri prindi.
Eksperienca ka qenë e jashtëzakonshme. Krahas integrimit të tyre më është dashur të punoj edhe me pjesën tjetër të klasës për t’i pranuar. Solidariteti i nxënësve për këta fëmijë ka qenë i jashtëzakonshëm. Nuk kishte festa që të mos u bëheshin dhurata duke i ndier dhe jo të detyruar.
Si mund të punohet me këta fëmijë që të integrohen në shoqëri?
Sot është fare e thjeshtë që këta fëmijë të jenë prezent në shkollë, por integrimi i tyre në shoqëri mbetet ende një çështje e pazgjidhur. Jo çdo gjë zgjidhet me dëshirën e mirë të ca njerëzve, ajo duhet të jetë e sanksionuar me ligj. Ne ende kemi raste shumë të rralla të fëmijëve me AK që përfundojnë të gjitha ciklet e arsimimit në Republikën e Shqipërisë dhe asnjë rast të fëmijëve të sistemuar në qendrat rezidenciale.
Si mund të thyhen konkretisht barrierat e paaftësisë te këta nxënës?
Ka ardhur koha që Ligji për personat me AK (këtu përfshihen edhe fëmijët) të plotësohet me amendamente të tjera për t’u bërë më i plotë.
a. Të mos ndërpritet edukimi i tyre, por të jetë në vazhdimësi.
b. Të detyrojë institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet private që të marrin në punë këta persona. Si një mësuese që jam marrë vazhdimisht me këtë kategori do tu jepja përparësi personave që nuk kanë mbështetje familjare.
Kristina, Xhulia, Valentina mund të punojnë pa problem ne institucionin ku ato janë rezidente ose edhe si personel ndihmës. Fatjoni gjithashtu mund te sistemohej në një servis makinash (gjithmonë për punë të thjeshta).
Nisur nga eksperienca juaj e gjatë, çfarë ka ndryshuar në drejtim të sensibilizimit apo masave të marra për këtë kategori?
Siç e përmenda dhe më parë historia ime me nxënësit me AK ka filluar 18 vite më parë, kur të sillje në klasë nxënës të tillë nuk të mbështesnin institucionet përgjegjëse në radhë të parë. Ndonëse Kristina vazhdoi rregullisht 3 klasë, ajo nuk mundi të merrte kurrë në dorë një dëftesë dhe ky është një peng që më rëndon në ndërgjegje. Mentaliteti i shoqërisë linte shumë për të dëshiruar.
Sot gjërat kanë ndryshuar për mirë. Integrimi i tyre është detyrim ligjor, pavarësisht se jo në pak raste ai çedon. Sot këta fëmijë asistohen edhe nga personel psiko-social si dhe mësuese mbështetëse.
Sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi është më i madh. Çdo pushtet vendor ka në strukturën e vet edhe një zyrë për mbrojtjen e fëmijëve nga diskriminimi.
Ende mbetet punë për të bërë, pavarësisht arritjeve.
Çfarë duhet të ndryshojë në të ardhmen për këta fëmijë? Patjetër që ju e keni një apel për këtë?
Mendoj që plotësimi i kuadrit ligjor padyshim do të ishte një hap shumë i nevojshëm si dhe zbatimi i tij me korrektësi duhet të jetë domosdoshmëri.
Ju i konsideroni “aset” personat dhe veçanërisht fëmijët me aftësi ndryshe, pse?
E kam thënë vazhdimisht që këta fëmijë janë aset për familjarët që i kanë në shtëpi, por dhe mësuesit e nxënësit që kanë në klasë këta fëmijë.
Nuk është faji i tyre që kanë ardhur në jetë me atë problem, por ata janë fëmijë si gjithë të tjerët. Shpesh dëgjoj që përmendin termin të ndryshëm. Padyshim që janë të ndryshëm, ashtu si çdonjëri nga ne është i ndryshëm. Të gjithë jemi unik.
Pse unë i konsideroj aset? Prezenca e tyre u mëson fëmijëve të tjerë në klasë se edhe ata mund të kenë nesër një motër ose një vëlla me të tilla probleme. U përshtat sjelljet e tyre lidhur me këta fëmijë. E bënë klasën më solidare dhe më humane. Fëmijët u imponohen prindërve të tyre të ndryshojnë sjelljen ndaj kësaj kategorie duke e bërë gjithpërfshirjen me konkrete dhe më të prekshme.
Kristina ka 15 vite që nuk frekuenton shkollën, por ajo asnjëherë nuk harron të më falënderoj për atë çka bëra për të. Them me bindje se asnjëherë nuk kam marr kaq shumë mesazhe mirënjohje, nga ata që i quajmë normal, sa kam marrë nga këta fëmijë.
Po mesazhi juaj për këta fëmijë në këtë ditë të shënuar ndërkombëtare cili është?
Bota është më e bukur kur i ka të gjitha ngjyrat. E në këtë buqetë ngjyrash, padyshim dhe këta fëmijë kanë vendin e tyre,duke e bërë më të plotë buqetën.
Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.