Gjatë këtyre viteve të punës me fëmijët në vështirësi të ndryshme dhe prindërit me dilemat dhe sfidat mbi mirërritjen dhe edukimin e tyre, kam mësuar fakte interesante, por një grupim prej të gjithave e kam veçuar si më delikaten, vështirësitë emocionale.
Fëmijët kur vijnë në jetë janë të varur plotësisht prej nesh, të rriturve, dhe ky rrugëtim është i gjatë. Mënyra se si ata komunikojnë janë emocionet të cilat evokohen për shkak të nevojave primare, bazë: ushqimi, gjumi, jashtëqitja dhe nevoja për t’u pastruar, kontakti fizik, të mbathen sipas klimës, etj. Të gjitha këtyre nevojave ne u përgjigjemi pasi fëmija na tregon me emocionet e tij se për çfarë ka nevojë: qan se do të pijë, qan se do të flejë, qan se do të ndërrohet, qan se do të mbahet në krahë, qan se ka ftohtë dhe kështu ngroh trupin e tij, qan se ka shumë nxehtë, etj.
Duket sikur fëmija ka lindur me një aftësi shumë të mirë komunikimi bazë që janë pikërisht këto emocione. Këto janë sinjale mjaft të mira të cilat shndërrohen në kërkesa më madhore në të ardhmen, sipas rritjes dhe zhvillimit të fëmijës. Disa prej fëmijëve fillojnë të zhvillojnë më shumë kërkesa për shoqërinë dhe i ndërtojnë ato sipas interesave personale të tyre dhe disa të tjerë janë më të tërhequr dhe presin që bota t’i zgjidhë për ata. Disa mendojnë se i meritojnë plotësisht arritjet e tyre, disa mendojnë se nuk do t’ia dalin asnjëherë. Disa mendojnë se bota është e sigurt dhe në paqe dhe se ata e meritojnë ta gëzojnë dhe ta trashëgojnë, disa mendojnë se bota është e bukur vetëm kur ata ta meritojnë, dhe kjo kthehet në një shpresë negative për botën, se nuk do t’ia dalin asnjëherë. Disa të tjerë ju gëzohen edhe gjërave më të vogla që jeta ju sjell, disa të tjerë e kanë të vështirë të gëzohen edhe pse kanë thuajse gjithçka, disa prej tyre guxojnë të jetojnë ditën duke ndërmarrë vendime të mëdha, pa kufizime, pa frikë, duket sikur asnjë gjë nuk mund t’i ndalë dhe disa të tjerë frikohen të bëjnë qoftë edhe hapin më të vogël, sikur edhe të dilnin nga dera e shtëpisë.
E gjithë kjo larmi mendimesh e veprimesh udhëhiqet nga ndjenjat tona. Ne duam të ndjehemi mirë, por rrugëtimi për t’u ndjerë mirë, varet shumë nga mënyra se si i kemi modeluar skemat për të arritur deri atje. Fëmijëria është faktor kyç për realizimin e një integriteti emocional. Nga ky rrugëtim varen dimensionet e shëndetit mendor të fëmijëve tanë në të ardhmen, nëse do të kemi fëmijë me vështirësi emocionale të ankthit, të humorit, të vetëvlerësimit, dhe të tjera të ngjashme.
Larmia e ndjenjave që fëmijët përjetojnë janë kaq të shumta, saqë sfida është e madhe për fëmijën që të përballet me to. Jo gjithnjë fëmijët janë në dijeni për ndjenjat që përjetojnë dhe nuk arrijnë t’i verbalizojnë dhe t’i konsumojnë sikundër një i rritur mund ta bëjë, edhe pse ky i fundit mund të ketë dilemat e tij.
Si prind, ne kemi në dorë që t’ia bëjmë më të lehtë jetën fëmijëve tanë, duke i vënë emocionet prioritet të komunikimit. Mendojeni kështu, kur ka qenë hera e fundit që e keni pyetur fëmijët tuaj se si ndjehet? Kur ka qenë hera e fundit që e keni ndihmuar fëmijën tuaj të shprehë ndjenjat e tij? Kur ishte hera e fundit që i komunikuat fëmijës emocionet tuaja në mënyrë të ndershme? Kulturalisht ne nuk përballemi me emocionet e fëmijëve tanë, por as me emocionet tona.
Nëse fëmija është i mërzitur dhe ju këtë e vëreni mjaft mirë, priremi të pyesim “çfarë ke?” në vend që të pohojmë “të shikoj të mërzitur. Arrin të më thuash se pse ndjehesh kështu?” nëse ne imarrim “leje” fëmijës që të tregojë për ndjenjat e tij, e respektojmë atë, privatësinë dhe vështirësinë që ai/ajo ka për të shprehur këto ndjenja.
Nëse ne insistojmë në mënyrë të vazhdueshme duke pyetur se çfarë ka fëmija, ka shumë të ngjarë që komunikimi do të ndërpritet aty. Ju thjesht po kërkoni të rehabilitoni ankthin tuaj, kështu nuk po i vini aspak në ndihmë. Do të ishte e udhës që t’i ofroni mbështetje dhe t’i tregoni se ju jeni aty nëse ai/ajo ka nevojë të flasë. Po si mëson një fëmijë të flasë për ndjenjat dhe emocionet e veta? Si mëson t’i njohë ato? Pikërisht nga mënyra se si ne si prindër ia bëjmë të njohur fillimisht, në mënyrë sa më të drejtë dhe objektive.
Ne duam që fëmija të ndjehet mirë, por ne duhet të pranojmë dhe t’ia tregojmë fëmijës që ai/ajo do të ndjehet edhe keq, do të ndjehet i/e mërzitur, i/e gëzuar, i/e zhgënjyer, etj. Ne ia tregojmë fëmijës këtë që në situatat nga më të voglat. Kur fëmija vritet, ne i themi se e kuptojmë që i dhëmb, por ju jeni aty me të për ta kaluar së bashku, dhe jo t’i bërtasim ose t’i themi që nuk ndodhi asnjë gjë, sepse nuk është e vërtetë. Nëse fëmija është duke ju treguar se është i mërzitur sepse lodra e tij është prishur, apo është zënë më një shok, etj., jepini mundësi që ta dëgjoni deri në fund, tregojini që ju vjen keq që i është prishur lodra ose që është zënë me shokun dhe se e kuptoni se si ndjehet, më pas ofrojini mundësi objektive që të menaxhojë me arsye vështirësinë: ka gjithnjë mundësi për të marrë një lodër të re, ndoshta të një lloji tjetër dhe se herë tjetër do të duhet të bëjë kujdes me gjërat e tij; ka gjithnjë mundësi për të rregulluar një marrëdhënie, por do të duhet të gjendet mënyra dhe momenti i duhur. Lëreni fëmijën t’ju japë ide se si mund ta gjejë zgjidhjen.
Prindërit edhe pa komunikuar mund të jenë një model i rëndësishëm i kuptimit të emocioneve prej fëmijëve. Prindërit vlen që të jenë të ndershëm në mënyrën se si ata ndjehen. T’i tregojnë fëmijës së tyre të vërtetën mbi mënyrën se si ndjehen për të shmangur çdo lloj konfuzioni. Fëmijët ndjehen në ankth dhe konfuz kur perceptojnë diçka tjetër dhe ju i tregoni diçka tjetër: nëse ju ndjeheni të mërzitur, të shqetësuar, apo situata të ngjashme, dhe fëmija ju pyet “çfarë ke mami/babi?” dhe ju nuk i tregoni të vërtetën, mundoheni ta fshihni duke menduar se i keni bërë një të mirë të madhe duke mos e lënduar, por në fakt ju i keni shtuar ankthin dhe fëmija ndjehet konfuz. Në të ardhmen dhe ai do të mësojë të fshehë ndjenjat e tij/saj dhe kjo nuk do ta bëjë të ndjehet më mirë. Kështu ndodh edhe në situata kur prindërit përjetojnë mosmarrëveshje me njeri-tjetrin, situatat para, gjatë dhe pas ndarjes (divorcit), situatat kur një i afërm ndërron jetë, etj.
Është shumë e rëndësishme që ne t’u komunikojmë fëmijëve të vërtetën, kjo do ta bëjë më të lehtë dhe më të drejtë vështrimin e emocioneve të tyre.
Një tjetër situatë që më bën përshtypje është se si prindërit nuk bëjnë kujdes që fëmija të jetë mjaftueshëm i informuar mbi atë se çfarë ndodh rreth tij. Sa herë që jeta sjell ndryshime fizike apo sociale gjeni kohën t’ia shpjegoni fëmijës, t’i tregoni edhe sesi fëmija mund të ndjehet: fëmijës po i afrohet datëlindja dhe të gjithë prindërit përballen me fëmijë që në ditën e tyre të lindjes fillojnë dhe qajnë vazhdimisht.
Sigurisht, situata për ata është e re dhe e panjohur. Si mendoni sikur t’ia tregoni më parë se çfarë do të ndodhë? Po sikur ta ilustronit me foto? Po sikur të provonit të përshtatnit ambientin dhe të ftuarit me stilin emocional të fëmijës dhe jo me nevojat dhe stilin tuaj? Kjo do të ishte një mënyrë e mirë për ta bërë fëmijën të ndjehet më i sigurt dhe më në sintoni me emocionet e tij.
Zhvillimi emocional është guri i qoshes për mirëqenien e shëndetit mendor të fëmijëve. Investoni pa droje për të bërë më të mirën, mjafton të jeni të vërtetë me fëmijët dhe emocionet e tyre.
(Nga: Drnt. Denata Toçe)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.