“Faleminderit” APO “Falemnderit”?

Si ta shkruajmë dhe si ta përdorim saktë këtë pasthirrmë mirënjohjeje?

Kjo pasthirrmë mirënjohjeje është formuar nga përngjitja e dy fjalëve: “falem” dhe “nder”. Mirëpo kjo pasthirrmë shumë herë na del me dy trajta: falemnderit dhe faleminderit. Të dyja këto trajta janë të sakta, por ka një rregull se kur përdoret njëra dhe kur përdoret tjetra.

– Kur përdoret trajta e parë dhe kur e dyta?

Për të përdorur trajtën e saktë të kësaj pasthirrme, duhet të shohim kujt i drejtohemi: një apo disa personave. Pra, të shohim numrin: 

1. Përdoret “falemnderit” kur i drejtohemi një personi të vetëm, të afërm ose që e ndiejmë të tillë dhe nuk lind nevoja të përdorim shprehjet e mirësjelljes. P.sh.: Ty të falemnderit! Të falemnderit, vëlla! Nuk mund t’i drejtohemi vëllait, babait, nënës, motrës, mikut tonë të ngushtë me “Ju”. P.sh.: Baba, ju faleminderit që erdhe me mua! Por: Baba, të falemnderit që erdhe me mua! 

2. Përdoret “faleminderit” kur u drejtohemi disa personave. P.sh.: Miq, ju faleminderit që më qëndruat pranë! Mirëpo, përveçse kur u drejtohemi disa personave, kjo trajtë përdoret edhe kur i drejtohemi një personi të vetëm, por duam të shprehim mirësjellje e respekt ndaj tij, ose kur atë person nuk e njohim nga afër, është më i moshuar ose është drejtuesi ynë etj. Ndaj këtyre personave u drejtohemi me “ju”, jo “ti”, dhe në këtë rast përdorim pasthirrmën “faleminderit”. P.sh.: Zoti ministër/drejtor, ju faleminderit që i morët parasysh kërkesat tona! 

Pra, nëse dikujt i drejtohemi me “ti” përdorim pasthirrmën “falemnderit”, nëse i drejtohemi me “ju” përdorim “faleminderit”!

Sevi (Lami) Agolli 

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Nxënësit, a duhet të kenë detyra shtëpie?

Next Article

Tekstet shkollore falas, nisma pilotohet këtë vit shkollor (viti akademik 2018-2019)

Related Posts