Ese: Mësuesi model nuk gjendet te një individ i vetëm

Eseja është shkruar nga Elsa Breti, nxënëse e shkollës “Isa Boletini”. Ky krijim është përzgjedhur ndër pesë esetë më të mira të realizuara nga nxënësit pjesëmarrës në konkursin “Mësuesi im”.

Tërë jeta ime ka qenë e lidhur fort me mësuesit. Me ta unë kam kaluar për plot 12 vite gjysmën e ditës duke marrë dije dhe kulturë, duke u bërë personi që jam sot… Gjatë këtyre 12 viteve kam njohur shumë mësues, e mësuesi model ka ndryshuar shpesh.

Në kopsht më pëlqente të shkoja. Gjithnjë vonohesha pak, por shkoja me dëshirë ndryshe nga shokët e shoqet e mia. Kanë kaluar shumë vite e kujtimi i edukatores time vjen ende i pastër. Me kujtohen flokët e saj të shkurtër të zinj e zëri i saj i ëmbël. Kopshti mbaroi sa hap e mbyll sytë e unë e gjeta veten në klasën e parë ku mësuesja me sy ngjyrë kaf me mësoi të shkruaja e të lexoja. Kur e takoj tani ajo ma përmend çdo herë sesa e turpshme dhe fjalë pak kam qenë që atëherë. Për një kohë shumë të gjatë për mua nuk kishte mësuese më të mirë se ajo.

Ndryshimi më i madh erdhi padyshim në klasën e gjashtë kur tani do të kishim mësues të ndryshëm për çdo lëndë. Në atë kohë kjo ishte diçka e paimagjinueshme e tejet e vështirë me të cilën duhej të përshtatesha. Shumë shpejt kuptova se lënda që më pëlqente më shumë ishte biologjia e mësuesja e biologjisë u bë e preferuara ime. Më pëlqente mënyra se si shpjegonte mësimin e mënyra si i kërkonte njohuritë në mënyrë logjike nga ne.

Shkolla e mesme kaloi shumë shpejt e ndonjëherë do doja që ta ktheja kohën pas për t’i jetuar sërish ato momente. Kujtimet janë shumë të freskëta e disa prej tyre të prekshme edhe sot. Gjatë këtyre 3 viteve kam njohur mësues shumë të përgatitur, disa të rreptë e disa që na heqin frikën e matematikës. Këta mësues na e përsërisin shpesh se nuk ka rëndësi nota që ne synojmë, por dijet që ne përfitojmë. Kjo shprehje e tyre na shtyn të mësojmë më shumë, jo për të marrë notën që kaq shumë e synojmë të gjithë, por më shumë që atë notë ne ta meritojmë vërtetë. Është e vështirë të zgjedhësh mes tyre mësuesin perfekt, pasi të gjithë ata së bashku formojnë mësuesin model, mësuesin që çdo nxënës meriton. 

Ky mësues model përpiqet ta meritojë vëmendjen e nxënësit gjatë orës së mësimit e përpiqet që çdo orë mësimore ta bëjë interesante për ne. 

Ky mësues na kupton dhe e përmend shpesh se ne jemi adoleshentë e si të tillë mund të na lejohen disa sjellje e disa të tjera jo.

Ky mësues na qorton kur ne gabojmë si të ishte prindi jonë.

Ky mësues i përcjell dijet tek ne plot energji dhe është gjithnjë gati për pyetje.

Ky mësues nuk na thotë kurrë se jemi gabim, por shprehet se nuk është kjo ajo që ai kërkon.

Ky mësues e kupton kur ne po kopjojmë e na “quan hajdutë të vegjël” duke na edukuar se edhe dija e vjedhur quhet gabim.

Ky mësues na thotë ta shijojmë gjimnazin se në fund s’do mbajmë mend atë ushtrimin që zgjidhëm në orën e fizikës apo matematikës.

Ky mësues tregohet objektiv në vlerësim e subjektiv në marrëdhëniet njerëzore që krijon me ne.

Ky mësues duket mësuesi më i rreptë në fillim, por me kalimin e kohës ne e harrojmë perse na dukej ashtu.

Ky mësues është shembull për ne.

Ky mësues na bën që ne të ëndërrojmë që një ditë të jemi vetë mësues….

E pra, mësuesi model nuk gjendet te një individ i vetëm, por vjen tek ne si një i tillë falë punës së shumë mësuesve të tjerë….

(Elsa Breti, shkolla: “Isa Boletini”)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Libri studimor “Udhëtime letrare”, Nasho Jorgaqi

Next Article

Albas në Panairin e 19-të të Librit në Prishtinë

Related Posts