Entela Binjaku: Ka fëmijë që jetojnë dramën e dhunës mbi ta gojëkyçur

Ka fëmijë që jetojnë dramën e dhunës mbi ta gojëkyçur, siç ka edhe fëmijë që thyejnë heshtjen dhe tregojnë për atë që përjetojnë çdo ditë. Shqetësimi ynë është se ka shumë të tjerë që nuk thonë asgjë…

Fëmija vjen vonë nga shkolla, ka shenja të ndryshme në trup, nuk di t’i shpjegojë këto shenja, mund të ketë dëme materiale si çanta, kërkon para, nuk dëshiron të shkojë në shkollë, nuk dëshiron të luajë më fëmijët e tjerë që mund të jenë shokët e tij… Këto janë disa situata, ku fenomeni i bullizmit është prezent, dhe si rrjedhojë prindërit duhet të kenë një vëmendje më të madhe ndaj fëmijës. Sipas sociologes Entela Binjaku, fenomeni i bullizmit ka ekzistuar prej brezash, e njeh forma nga më të ndryshme

“Ka fëmijë që jetojnë dramën e dhunës mbi ta gojëkyçur, siç ka edhe fëmijë që thyejnë heshtjen dhe tregojnë për atë që përjetojnë çdo ditë. Shqetësimi ynë është se ka shumë të tjerë që nuk thonë asgjë. Thyerja e heshtjes dhe komunikimi rreth kësaj dukurie, është një hap që u vjen në ndihmë fëmijëve”, shprehet sociologia.

Në këtë intervistë për Portalin Shkollor, Binjaku parashtron disa raste të adoleshentëve të kërcënuar nga bullizmi, pasojat që sjell ky fenomen dhe si mund të parandalohet. 

Ju keni trajtuar raste të fëmijëve apo adoleshentëve që janë të kërcënuar nga fenomeni i bullizmit?

Në angazhimin tonë si sociologë shqiptarë kjo është nga dukuritë e reja. Kjo nuk do të thotë se dukuria vetë është e re, por e re sepse vonë kemi nisur të flasim për të. Duhet të pranojmë se bullizimi ka ekzistuar prej brezash, ka njohur forma nga më të ndryshmet, është ushtruar në vendet e punës, në ushtri, ose në çdo lloj organizimi që ka një dinamikë grupi. Për shumë kohë njerëzit e shmangnin trajtimin e bullizmit (tallje, vënie në lojë, kërcënim, intimidim, molepsje) së fëmijëve prej fëmijëve. 

Në zinxhirin shkakësor të kësaj shmangieje do të rreshtonim këto hallka: herë për shkak se fëmijërinë e kemi konsideruar si një fazë kalimtare dhe se çdo gjë që ndodh nuk ka pse të merret me kaq shqetësim. (Mjaft të sjellësh në kujtesë shprehjet: “hë se fëmijë janë”, ose “nuk është ndonjë gjë, do kalojë”)  Herë sepse të rriturit që kujdesen për ta nuk e kanë marrë ndonjëherë në shqyrtim botën e brendshme.  Aftësia jonë e kufizuar për të analizuar këtë aspekt vjen nga edukata jonë shoqërore – kjo aftësi e ulët për njohje të së brendshmes, për të reflektuar mbi të, ka munguar në kulturën tonë. Kjo ka ndodhur edhe për shkak se prindërit tanë kanë jetuar në një kulturë që i ka injoruar nevojat emocionale. Një tjetër aspekt mund të gjendet tek frika që edhe vetë prindërit që janë përgjegjësit e parë për rritjen dhe edukimin e fëmijëve, kanë nga presioni i jashtëm, nga paragjykimi për ta si prindër të dobët, apo te fëmijëve të tyre si të tillë, vështiresitë për ta trajtuar këtë dukuri vijnë herë për shkak se as mësuesit nuk interesohen për atë që ndodh me nxënësit qofshin ata fëmijë, qofshin adoleshentë. Një vështirësi tjetër lidhet me ekspertizën e pamjaftueshme të psikologëve që do të duhet të dilnin me raporte e shkrime mbi punën që bëjnë në shkolla etj. Ndaj në kushtet që jemi, kur të paktën pranojmë hapur praninë e kësaj dukurie, duket sikur e kemi hedhur një hap në trajtimin e saj. E veçanta e një sociologu është se ai ndodhet kudo ku ka një pikë-takimi njerëzor. Bashkimi Evropian, ku ne ende aspirojmë të integrohemi si shoqëri, për shkak të seriozitetit të kësaj dukurie ka ndërmarrë fushatën: “ABC Europe’s AntiBullying Campaign, me projektin “I Am Not Scared”. Në këtë nismë janë bashkuar shumë projekte që kanë të gjitha të njëjtin qëllim: luftën e ashpër ndaj kësaj dukurie. 

Kurse ne jemi ende në hapat e parë,  trajtimi është më së shumti invididual, dhe i patrajtuar në mënyrë vizionare nga politikat e mirëfillta në ndihmë të kësaj lufte. Nismat janë sipërfaqësore dhe të shkëputura ndërkohë që shtete të tjera zhvillojnë fushata të përmasave kombëtare, që janë edhe të përgjejgshme edhe të prera në këtë drejtim.

Ka fëmijë që jetojnë dramën e dhunës mbi ta gojëkyçur, siç ka edhe fëmijë që thyejnë heshtjen dhe tregojnë për atë që përjetojnë çdo ditë. Shqetësimi ynë është se ka shumë të tjerë që nuk thonë asgjë. Thyerja e heshtjes dhe komunikimi rreth kësaj dukurie, është një hap që u vjen në ndihmë fëmijëve. 

Po përhapja e teknologjsë a ndikon që të shtohen rastet e bullizmit?  Nëse po, në ç’formë?

Bashkë me teknologjinë në shoqëri hynë edhe pasojat e saj, ndër të cilat edhe komunikimi në nivele të reja falë platformave teknologjike. Kjo formë komunikimi i ka dhënë rrugë dhunës që ushtrohet në rrjetet online dhe njihet si “cyberbullism”. Kjo forme po njeh rritje të madhe falë edhe faktit se është vështirë për ta dalluar. Por pasojat janë po të njëjta me ato të bullizmit real.  Format e shprehjes janë të ndryshme:  përmes intimidimit, bisedave në grupe që vënë në lojë dikë që lihet mënjanë, talljes ose shantazhimit me shkelje të privatësisë, përdorimit të fotove apo materialeve të tjera vizive etj.

Cilat janë disa prej pasojave që sjell bullizmi në raport me procesin mësimor?

Si veprim bullizimi është një veprim presioni, intimidimi, agresiviteti që përsëritet ndaj një individi dhe që shoqërohet me heshtjen apo miratimin e një tjetri mbi të cilin ushtrohet. Këto veprime kryhen në ndërgjegje të plotë dhe në dijeni të asaj që po kryejnë. Shkolla është një nga institucionet më të rëndësishme në shoqëri. Institucioni i shkollës përfaqëson një tërësi vlerash, normash, pozicionesh, rolesh dhe grupesh si përgjigje të individit ndaj nevojave bazë që ka shoqëria ku ai jeton. Institucioni i shkollës parashikon edukimin e fëmijëve dhe, për nevojat që shoqëria ka, transmeton tek të rinjtë kulturë, për të formuar qytetarë të denjë. Normat që e rregullojnë këtë proces janë frekuentimi i detyrueshëm dhe të gjitha ato që gjenden brenda këtij frekuentimi. Shkolla synon t’i përgatisë ata të kontribuojnë në mënyrë aktive në komunitetet ku janë pjestarë gjë të cilën e realizon  sipas motos: “Asnjë fëmijë nuk duhet të mbesë pas”. Por shpesh ndodh që dhuna që fëmijët përjetojnë nga bashkëmoshatarët e tyre në shkolla i bën ata të shfaqin mungesën e dëshirës për të mësuar, bien nga mësimet, nuk dëshirojnë të shkojnë në shkollë, nuk hapen me mësuesit, nuk pranojnë këshilla as nga psikologët, ndjehen të lënë mënjanë, humbin interesin dhe parapelqejnë të izolohen, vuajnë në heshtje talljen dhe nuk kanë kurajo ta flasin atë, janë më të brishtë emocionalisht etj.  

A janë të mjaftueshme praktikat e ndjekura nga stafet pedagogjike në shkolla për reduktimin e këtij fenomeni?

Praktikat sigurisht që nuk janë  të mjaftueshme për aq kohë sa në shkollat tona puna në këtë drejtim është e kufizuar. Ekspertiza e psikologëve është e pamjaftueshme, minutat e kësaj ekspertize në dispozion të fëmijëve janë thuajse minimale (aty ku janë). Mësuesit jo gjithmonë janë të formuar për trajtimin e kësaj dukurie, shkolla shqiptare jo në të gjithë vendin ka njohur ngritje të atillë sa të merret më çdo aspekt që shqetëson komunitetin e nxënësve, puna e policisë sërish është e kufizuar në këtë drejtim sepse edhe ata punonjës nuk kanë në çdo rast formimin e duhur. Të mos harrojmë bullizimi ka ndonjëherë si pasojë deri edhe  mendimet suicidale apo shndërrimin e e viktimës në një shkelës të ligjit. Kur sjelljet marrin format e kërcënimit, molepsjes ato parashikohen edhe në kodin penal dhe kanë ndëshkim. 

Çfarë sugjerojnë studiuesit?

Për këtë, metodat që sugjerojnë studiuesit për të ndërtuar strategji për përmirësimin e punës në shkolla në drejtim të parandalimit të dukurisë së bullizimit duhet të përfshijnë: a) punën për menaxhimin e një strategjie largpamëse dhe efektive. b) mbështetje të jashtme dhe të brendshme e shkollës në këtë drejtim c) politika dhe procedura mbështetëse për trajnimin në vazhdim të mësuesve, psikologëve, këshilluesve socialë. 

Cila moshë është më shumë e rrezikuar?  Po gjinia?

Në raportin e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës, për vitin 2018 theksohet fakti se rreth 70% e fëmijëve nga mosha 8-11 vjeç kanë raportuar se kanë qenë subjekt i dhunës fizike, ndërsa 58% e fëmijëve të anketuar janë pjesë ose dëshmitarë të dhunës në familje dhe 1 në 5 fëmijë janë subjekt i ngacmimit në shkolla si dhe  numri i fëmijëve me aftësi të kufizuar të integruar në arsim është ende shumë i ulët.

Të dyja gjinitë preken njëlloj. Si në mjediset me shumicë mashkullore po ashtu me shumicë femërore është  kjo dukuri është mjaft e pranishme. Mosha më e rrezikuar është ajo e fillimit adoleshencës që përkon me ndryshime të rëndësishme ne jetën e fëmijëve.  Sipas Tim Fields ai që kryen një akt të tillë ka “një nevojë kompulsive për të shfaqur agresivitetin si shprehje e një mungese papërshtashmërie – që mund të jetë sociale, personale, ndërpersonale, e sjelljes, profesionale ) që përkthehet në veprime që synojnë të nënshtrojnë të tjerët duke I kritikuar, përjashtuar, izoluar etj. Zakonisht ata që ushtrojnë dhunën ndjejnë nevojën të mbizotërojnë, nuk kontrollojnë impulset, kanë vetëkonroll të ulët, nuk pranojnë kufizimet apo rregullat sociale, kanë një mendim të ekzagjeruar për veten, shqetësohen për reputacionin e tyre dhe kërkojnë mbështetës të heshtur.  Ata që bien në kurth herë e bëjnë këtë për shkak të turpit, herë për shkak se ndjehen fajtorë, herë se kanë frikë zëmerimin,  herë falë paaftësisë për të vepruar. Kjo paaftësi vjen si pasojë e vlerësimit të ulët për veten, vështirësive emocionale apo të përshtatjes, probleme të integrimit që lidhen me origjinën e familjes, probleme psiko-motore etj. 

Në moshën e adoleshencës shumë nga këto tipare janë mjaft të shprehura. 

Si mund të parandalohet?

Çelësi për këtë është komunikimi, e folura hapur për këtë dukuri, për pasojat që ajo sjell, jo vetëm në jetën e nxënësve por edhe për të gjitha raportet e fëmijës më të tjerë, e folura për pasojat ndëshkuese. Informimi i duhur i prindërve, siç rritja e vëmëndjes nga ana e secilit prej tyre, edukimi i kuadrove didaktikë apo i vetë  shoqerisë civile që të dijë të veprojë në mënyrë të prerë dhe të përgjegjshme ndaj secilit për rast,  për ta izoluar atë dhe për të mos e lejuar të përparojë në dëm të fëmijës.  Masat që duhet të marrim janë ato që psikologë dhe punonjës të policisë të shkojnë në shkolla e të flasin me nxënësit për këto problem. Por këto duhet të jenë si fushata kombëtare ku ata të punojnë bashkë me mësuesit.  Çdo i rritur që ka në përgjegjësi edukimin dhe mirë rritjen e fëmijës duhet të kuptojë se kur fëmija refuzon të shkojë në shkollë, apo kur nis e izolohet në mënyrë të pakuptimtë, t’i marrë këto si shenja të alarmit se një veprim bullizimi tashmë ka nisur. 

Entela Binjaku

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Referenca që ndryshoi jetën

Next Article

Kush tha që fëmijët nuk lexojnë?

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427